| E merkure, 09.09.2015, 08:27 PM |
U BË PROMOVIMI I LIBRIT “STINA E
UJKUT”
Përkthimi serioz i kësaj vepre është po aq dinjitoz për shkak të përzgjedhjes së autorit, ndër më të mirët në të gjitha trojet etnike shqiptare, u shpreh shkrimtari Smajl Smaka.
Nga Dijana Gj. Dukaj
Dita e parë e manifestimit letrat “Muzat e Alpeve 2015” u mbajt mbrëmë në Rozhajë, me diskutim mbi temën “vargu shqip brenda territorit të Malit të Zi”. Mbrëmja vazhdoi me promovimin e romanit të përkthyer në gjuhën malazeze “Stina e Ujkut – Vucje Doba”, të autorit Ridvan Dibra.
Në diskutim mbi temën e paraparë “vargu shqip në territorin e Malit të Zi” foli studiuesja Liridona Sinishtaj nga Tuzi. Ndërsa Flora Brovina tha se shtyllat e letërsisë shqipe në Mal të Zi janë: Radovan Zagoviqi, Esat Mekuli dhe pasuesit e tyre të cilët kanë vepruar në Kosovë. Ndërkaq, autori boshnjak Safet Hadoviq-Verkiqi, shtoi se roli i Shoqatës Rajonale të shkrimtarëve “TEUTA” është pikërisht këmbimi letrar e që ndihmon në njohje me njëri tjetrin. Ndërsa prof. Dr. Anton Nikë Berisha tha se letërsisë sonë i duhen jo vetëm përkthime por, përkthime të mira dhe origjinale sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të plotësojmë misionin tonë. Kurse shkrimtarja boshnjake Natasha Lako, tha se në zhvillimin e projekteve të tilla duhet të angazhohen shumë institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu, për librin e përkthyer në gjuhën malazeze “Stina e Ujkut- Vucje Doba” të autorit Ridvan Dibra që u promovua mbrëmë në Rozhajë foli përkthyesi i këtij libri Nikollë Berishaj i cili mes tjerash tha “se për përkthimin e letërsisë sa është e rëndësishme njohja e të dyja gjuhëve po aq e rëndësishme është njohja shpirtërore e të dy popujve, librat e të cilëve përkthehen”.
Ndërsa
vetë autori Ridvan Dibra, tha se është i lumtur që romani i tij është ndër
romanet që “nuk plaken” dhe se jehona e këtij romani edhe pse mbas 15 vitesh,
botimi dëgjohet tutje. Sakaq, shkrimtari dhe gazetari Smajl Smaka tha se ky
përkthim serioz është po aq dinjitoz për shkak të përzgjedhjes së autorit, ndër
më të mirët në të gjitha trojet etnike shqiptare.