95 VJET MË PARË
3 SHTATOR 1920, DITA E FITORES
SË LUFTËS SË VLORËS
Gjurmime nga vrojtimet dhe ekspeditat në terren
NGA MSC. ALBERT HABAZAJ
Lufta e Vlorës gjatë verës së vitit 1920
(29 Maj - 3 Shtator), e cila u konkretizua me pastrimin e vendit nga forcat
pushtuese italiane, apo siç e këndon kënga, me hedhjen në det të perandorisë së
re apenine, u kurorëzua me gëzimin e fitores, me festimin madhështor që u bë në
Vlorë më 3 shtator 1920, gati një shekull më parë, plot 95 vjet nga sot.
Fitorja e Luftës së Vlorës bëri bujë në Rajon dhe në Europë, pati jehonë e
tronditi shtetet e mëdha “padrone” të kontinentit të vjetër, ndikoi pozitivisht
për Luftën e Koplikut dhe të Dibrës dhe rriti prestigjin ndërkombëtar të
Shqipërisë. Lufta e Vlorës klasifikohet si një ngjarje me rëndësi komëtare në
Historinë e Shqipërisë. Qe luftë e drejtë dhe e organizuar, kundër forcave
ushtarake të armatosura të shtetit italian; qe një luftë e zhvilluar vetëm nga
luftëtarë vullnetarë shqiptarë, nga të gjitha krahinat e vendit dhe pa dallim
besimesh fetare: shqiptarë për Shqipëri: myslimanë, bektashinj, të
krishterë ortodoksë dhe katolikë, burra dhe gra, jo vetëm nga Vlora dhe
krahinat e saj, që mbajti peshën kryesore me Lumin e Vlorës, Himarën,
Kurveleshin, Tepelenën, Mallakastrën, me Sarandën e Delvinën, me karvanet nga
Vllehët e Selenicës, por të ardhur e të organizuar në çeta edhe nga Çamëria,
Korça, Përmeti, Skrapari, Kolonja, Berati, Myzeqeja, Elbasani, Librazhdi,
Pogradeci, Kavaja, Kruja, Durrësi, Tirana, deri edhe nga shqiptarët e Amerikës,
por jo vetëm Vatranët e zjarrtë. Edhe logjistika e luftës u sigurua nga banorët
e trevave shqiptare. Qeveria e Sulejman Delvinës e mbështeti fuqishëm Luftën
termopiliane të Vlorës, e cila u drejtua nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, me
Osman Haxhiun në krye. E majta europiane, që për kohën qe forca progresiste,
qe një faktor pozitiv dhe mbështetje e fuqishme morale për çlirimtarët
shqiptarë, që luftonin në të drejtën e tyre, për Atdheun e tyre. 3 shtatori i
vitit 1920 është shënuar në kujtesën sociale të banorëve dhe të pjesëmarrësve,
si dhe është shkruar në librat e
historisë shqiptare si dita e çlirimit nga imperialistët italianë, apo
nga Italia e parë, siç flitej në gjuhën popullore. U festua fitorja e Luftës së
Vlorës dhe largimi i pushtuesve italianë nga Shqipëria. Ngjarjet e Luftës
së Vlorës u pasqyruan në gazetën “Drita”
të Veli Harshovës, Gjirokastër, me korrespodent Gani Iliazin, “Kuvendi”
“Dielli” të Bostonit etj.
Halim Xhelo qe frymëmarrja e kësaj epopeje termopiliane, siç qe Abdyl Frashëri
për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Shoqëria “Vatra”
e Amerikës dërgoi “Bandën” e shoqërisë së bashku me trupat vullnetare. Bandën e
drejtonte muzikanti Thoma Nasi. Nuk mbetën pas as fetarët në këtë luftë, ku
spikasin Babai i Teqes së Tepelenës, Ahmet Turhani, Baba Xhaferi i Përmetit,
Dom Mark Vasa, At Shtjefën Gjeçovi, myftiu Osman Muka, etj. Një rol të veçant
pati edhe italaini Xhovani Valencia,
(arbëresh në origjnë), magazinier në Panaja i cili u dorëzoi magazinat e
armatimit dhe të municionit luftëtarëve shqiptarëve. Është i rëndësishëm roli i
Spiro Jorgo Kolekës si mendimtar, si orator, si mbështetës e ndërlidhës në mes
qeverisë së Tiranës dhe kryengritësve. Për këtë arsye qeveria e emëroi Spiro J.
Kolekën ministër Fuqiplotë për të koordinuar lidhjet në mes Komitetit “Mbrojtja
Kombëtare” dhe krahinave të vendit. Gjatë zhvillimit të ngjarjeve të asaj vere
të nxehtë të Njëzetës, do të jetë një nga figurat kyçe të veprimeve politike
dhe diplomatike. Ai do të jetë dëshmitar i betejave heroike të bashkatdhetarëve
të tij kundër pushtuesve deri në orën kur armiqtë dorëzuan armët dhe u
nënshkrua Protokolli i Tiranës. Pas çlirimit të Vlorës, ministri Fuqiplotë,
Spiro Koleka i drejtoi luftëtarëve dhe popullit një shpallje përgëzimi dhe
lavdërimi, krenarie dhe mirënjohje, që përfundonte me thirrjet: “Rroftë
Shqipëria!”, “Rroftë Fuqia Kombëtare!”
Në vrojtimet dhe ekspeditat në terren kemi
përdorur praktikën e hapjes, e prurjeve e verifikimit dhe celebrimit të njësive
origjinale folklorike që jetojnë e qarkullojnë në komunitete. Kemi takuar e
kemi punuar me bartës, krijues, interpretues të folklorit burimor, të cilët
mbajnë mend shumë vargje e këngë. Kështu, Feti Brahimi i njohur i Lapardhasë së
“Janinës”, zotëron rreth 9 mijë vargje, nga të cilat 4 mijë krijime të tij
tekstore e melodike. Vetëm në fshatin Kallarat kemi regjistruar 27 variante të
EHLV, që bëjnë akoma jetë folkorike në hapësira të kufizuara banorësh dhe në
raste të caktuara. Këtë e dëshmojmë dhe me regjistrimet e teksteve mbledhur në
Kallarat, dhe me shkrimin original të bartësit Llambro Hysi, për të patur dhe
një model të regjistrimit me dëshirën e vetë subjektit.
Nga njësitë e
mbledhura vërejmë funksionin e këngës si institucion vlerësimi për figurat e
shquara të LV dhe për bijtë e fshatit të rënë në atë luftë. “Futja
në këtë lloj kënge - na thotë Ll.
Hysi, subjekti me të cilin punojmë - është futje në historinë e asaj luftës
epope”. Më 23. 11. 2012 në qendër të
komunës Kotë, në Lumin e Vlorës morëm pjesë në nderimin që u bëhej tre të
rënëve në Luftën e Janinës, të cilëve dhe me rastin e 100 - vjetorit të
Pavarësisë Iu ngrit një memorial. Pjesëmarrësit kënduan këngë të ndryshme
trimash, si “Janinës ç’i panë sytë”, si dhe kënga “Kanan t’u prish
bukuria/ Le të rrojë Shqipëria!”, që i kushtohet heroit të LV, Kanan Mazes
nga Shkoza, me një nofull copa - copa, nga predha e armikut, aty në Kotë, 93
vjet më parë, etj. Plaku 87 vjeçar nga
Velça, Xhevit Ormëni, i biri i trimit të Njëzetës, Hasan Hyso Ormëni, këndoi
këngën “Telat - o po ven’ e vinë,/ Telat -o”, një nga më të njohurat dhe
më të përhapurat me temë nga Njëzeta, të cilën e kemi të regjistruar në DVD dhe e ruajmë po ashtu në USB, dëshmi konkrete të jetës folklorike që bëjnë disa
njësi folklorike në mjedise tradicionale të caktuara. Siç trajtuam nga
gjurmimet, që është me interes të theksojmë numrin relativsht të madh të
varianteve të disa prej këtyre këngëve, që përfshijnë shifra të tilla si 14,
11, 8 (ashtu siç ndodhen edhe në sot AFIAKSA), mendojmë se ka jo më pak interes
jeta folklorike që bën EHLV. Në këtë fokus, ndoshta do të ishte më e dobishme
të evidentonim cilat janë ato njësi folkorike, në cilat hapësira, në
ç’komunitete dhe si kohë kur e bëjnë këtë jetë kolektive. Bartësi i pasionuar,
Ll. Hysi, që është dhe një studiues serioz, që mban mend shumë këngë të vjetra
të Njëzetës, pasi na flet jo rastësisht për “Ultimatumin” e Petro Markos, që
përveç vlerave artistike ka edhe vlera folklorike dhe etnologjike me peshë
specifike, mësojmë se vetë shkrimtari ishte mik i Halim Xhelos e Ali Asllanit
dhe mbante mend përmendësh gati të gjithë këngët e ciklit të EHLV. Mendojmë se edhe kjo pikë lartësore kontakti
ndikon që, me të drejtë, e kemi cilësuar
Halim Xhelon Abdyl Frashër të Epopesë së Njëzetës, jo vetëm për segmentin kohor
luftarak të fiksuar në histori: 29 Maj - 3 Shtator 1920, sepse ai me mundim Sizifi, me pjekuri Sokrati e
temperament shqiptari, qe vërtet shpirti, zjarri, motorri i këtij vullkani
popullor që gremisi në det Perandorinë.
Prurjet nga
Kallarati, sipas gjurmimeve në terren dhe regjistrimeve që kemi bërë me
subjektin e zgjedhur, që lidhen me ngjarjen e LV dhe personazhet e e saj, vijnë
me variante dhe një pjesë për herë të parë, duke u bërë në fund të çdo
teksti shënimet sqaruese, (brenda
kllapave katrore): 1) Ashkosun, moj Libohovë,/ Si çdo herë, ti me kordhë,/
Nxorre ca trima të sorrë,/ Trim si Sezai doktorrë,/ Gjezdis me armë në dorë,/
Në Lugar?, përmbi Vlorë. [Lugar? -Llogora, Lugar?, lugë, lugu; Shezai Çomo nga Libohova, delegat i
Vlorës në KKL, mjek dhe luftëtar në LV, anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, Fanolist në
revolucionin e Qershorit, 1924]. 2) Në atë muajn Qershuar,/ Hyxhym shqipot -
ë me duar,/ Majën e Shkallës e muar./ Canua e bëri forrë,/ E mori plumbi në
dorë. [Shkalla e Mavrovës (Olimpia e lashtë, toponim në afërsi të
Kotës; Cano Rustemi nga Mavrova]. 3) Ky
Çelo Mete Barjami,/ Burrë trim, zëmër stërralli,/ Në çdo luftë doli i pari,/
Trimërin’ ja pa Junani./ Në luftën me Itali/ E bëri prapë bel?,/ Kaptoi telat me gjëmba,/ Seç ju fut armikut
brënda,/ S’ju trëmp syri, s’ju droth zëmra,/ se një her’ e kish’ bër’ mëma.[Çelo Mete Bajrami, luftëtar në luftërat për
pavarësi, kundër pushtimit grek; në Njëzetën kundër ushtrisë italiane. Me shumë
gjasa nga fisi Bajramaj i Tërbaçit, zbritur mbi 100 vjet më parë në Drashovicë
dhe Vodicë]. 4) O Flamur, Shqipe me derte,/ Të kërkuam e na gjete,/ Na erdhe
i kuq me Shqipe,/ Erdhe dhe vëndin e ndrite,/ Na erdhe si ill karvani,/ Në
Vlorë, ballë Sazni/ U mbit në det Italani. [Variant që e ka burimin në
Qeparo, Himarë. Këndohet në fshat të vjetër, atje ku është një lagje, sipër mbi
Qeparo, quhet Bragjin dhe janë shpërngulur të parët e tyre me Papa Nikën nga
Mëhalla Bragjin e Tërbaçit në v. 1670 -‘ 80, si pasojë e trysnisë për ndërrimin
e fesë,që bënë osmanët edhe në fshatrat e Labërisë së Brendshme. Qeparoi nuk i
ka ndërprerë asnjëherë lidhjet dhe marrëdhëiet e mira reciproke me vendin e
origjinës së të parëve. Kjo konfirohet në Historikun e Tërbaçit, në librin
“Bragjinajt e Qeparoit” të prof. as Jorgo Dhrami, Tiranë, 2005]. 5) Istikam
nën - ë Kaninë,/ Të rrallë dyfeqe binë,/ Vranë Haxhi Ismailë,/ Sinan Meten me
Rakipnë,/ Skëndon dhe Amet Alinë,/ Hasan e Lamçe Selimë/ Dhe Zenelin me
Tahirë,/ Bejko Numanin s’e dimë. [Të gjithë të rënë nga Tragjasi në LV]. 6) O të zestë pleqtë tanë,/ Nëpër vap’ e muar
malë/. Në Gurr’ prishën Ramazanë,/ Van’ e zunë Llogoranë,/ U hodhë mi italanë,/
Mbenë dy trima të vrarë:/ Begë Lazja me Hasanë. [Të dy dëshmorët nga
Gjormi. Tek kjo njësi shikojmë raportin Atdhe - Fe. Feja s’e lejon të prishet
Ramazani. Atdheu kërkon bijtë e tij. Atdheu del kryefjala]. 7) Atë natën e
xhum?,/
Që ra topi nën kala,/ Velç’ e Ramica u vra./ Kush u sos në tel i pari?/ Caush
Memet kryetari,/ Bir, o bir Hakan
Shabani,/ Xhafo Avdi rrënëjdali./ Xhafua, njëzet vjeç djalë/ Mori shtatë
istikamë./ Yzeir, o rrënjëdalë,/ E le nënën- ë në shkallë./ Nënën në shkallë e
le,/ Me tri motra kallogr?. [Emrat
e përmendur janë luftëtarë nga Velça, me komandantin e çetës në ballë Caush
Mehmet Sinani. Na bën përshtypje në tekst një fjalë: kallogre. Pse kallogre? A
kishte myslimanizmi, shtresëzimi i
religjonit islam kallogre dhe kallogrinja? Mendojmë se kemi të bëjmë me
mbijetoja të besimit të krishterë. Ndoshta kërkon një studim më të thellë, por
i përket një angazhimi tjetër në të ardhmen]. 8) Kurvelesh e tatëpjetë/ Ç’u
mbeti nderi përpjetë,/ Ua prunë trimat e shkretë,/ Ata që muar kalanë,/ Totua
me Arif Rushanë,/ Sinua me të vëllanë,/ O Sino takëmergjëndi/ Edhe Toto
zëmërshkëmbi./ Kush e nji Toto Haxhinë?/ I shkurtër, po vetëtimë,/ Rrëmba -
rrëmba e kish synë. [Të përmendurit në tekst janë nga Bolena. Një variant
tjetër e kemi gjetur në Bolenë, një tjetër si vajtim i të shoqes së Toto Hosit,
Rubisë. Me heqje e shtesa fjalësh na vjen dhe ky variant i Kallaratit, që është
fshat i Kurveleshit të Poshtëm. Sinua erdhi që nga Amerika, vulnetar për të
shpëtuar mëmëdheun nga çizmja e kolonizatorëve italianë dhe i fali jetën
Vlorës. Mendojmë se dhe piktori portret të tillë s’e bën dot, aq bukur i ka
lidhur krijuesi popullor vargjet e kësaj kënge]. 9) U lumtë, o trimat tanë,/
Na nderuat Lazaranë,/ Muar dyfek’ e gjerdanë,/ U bashkuan me Selamë./ Luft’ e
madhe në Babicë/ Me tela, me alitrikë,/ Aty nata bëhej ditë,/ I zut’ topçitë në
grykë,/ M’u te bregu, te ullitë,/ Ishin futur breshkaxhitë. [Sipas Ll.
Hysit, kjo këngë e ka zanafillën krijuese në Lazarat të Gjirokastrës; në Kallarat e ka prurë një bijë e Lazarate e
martuar në Hoxhaj të Kallaratit, që në v. 1965; sot tepër e moshuar, por e
këndojnë nipat e mbesat e saj që janë nga 55 - 60 vjeçarë]. 10) Zyber
Bejtua, trim i mirë,/ Në Hapsan’ ngriti dollinë:/ - Burra, ta mbytim qafirë!/
Dhe u hodh si vetëtimë,/ Dhe u hodh mbi italanë/ Me një shkop e jataganë./ I
kullon gjaku në brinjë,/ Gjylet plumbat
e grinë. [nga Sevasteri]. 11) Gjëmon Boderi, Çipini,/ Thonë u vra
Muhedini,/ Sojë trim, sua birbili./ Të vran’ o Muho, të vranë,/ Topëçiu past’
belanë,/ Të dha një gjyle në ballë,/ Ta hodhi poshtë gjerdanë,/ Ta humbi fare
nishanë,/ S’tu ndodh as Demiri Pranë,/ Se një plump e kishte marrë,/ E nisën
për në spitalë. [Demiri është vëllai i dëshmorit Muhedin Mystehaku nga
Matogjini]. Një këtë këngë epiko - elegjiake s’përmendet fare vdekja, s’e
përmend krijuesi, se s’do t’i prishë bukurinë, që i jep rënia për atdhe, trimit
të lirisë. Te vargu: “Ta hodhi poshtë gjerdanë”, përdorimi me
vend e me kursim i figuracionit stilistik na bën ta ndjejmë bukur atë art të kulluar estektik, që na fal kënga
e trimit të rënë. 12) Mato Robi, një trim djalë,/ Ngjeshur mezin me
gjerdanë,/ Shqiponjë mbi italianë.../ Qante Dudia në shkallë,/ Për Toton dhe
për Kafazë/ Dhe Sino Amerikanë/ Ruba me një kaçup dhallë,/ Bëri poshtë në
Qishbardhë,/ Pyeti trimat me radhë:/ - Mo më pat’ burr’ a kunan?/ - Totua
bashk’ me Kafazë,/ Të dy ata janë vrarë,/ Kur dëgjoi këto fjalë/ Hodhi kapuçin
me dhallë,/ Ngjeshi dyfek’ e gjerdanë./ I veshi rrobat si djalë,/ Atje poshtë,
në Qishbardhë/ U dëgjua zër’i sajë:/ - O burra, mbi italianë,/ Se na kan’ zënë
vatanë,/ Ta hedhim në det të gjallë. [Edhe në këtë variant, gjetur nga
gjurmimet në Bolenë, përmendet Sino Micoli, Amerikani, si i flisnin
bashkëfshatarët, sepse ishte emigrant në Amerikë, i kthyer rishtaz për të
luftuar. Dhalla është bulmet në lëkurë, kapuç, kacek, që pihej në stinënë e
nxehtë të verës në Labëri për të shuar vapën, për t’u freskuar. Kënga flet vetë
për veprimet e Rubi Hosit, e shoqja e Toto Hosit të rënë në luftë]. 13) Obobo,
seç qënkej Kota/ Mbushur mitrolos e topa,/ Vjen Kanan Mazja nga Shkoza,/ Me një
nofull copa - copa./ Kanani bë
trimërinë,/ Si përpara në Janinë,/ Kanan, të la bukuria,/ Plot me gjak t’u
mbush shamia!/ - Nuk më duhet bukuria,/ Po të rrojë Shqipëria!”