Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Arti dhe kopja

| E marte, 08.09.2015, 08:34 PM |


Arti dhe kopja

Nga Ilir Muharremi

Arti nxjerrë impulsin e qetësisë dhe bukurisë duke bërë që njeriu ta harroj vetveten. Të gjitha dhimbjet e botës në moment çlirimi të artit harrohen për një çast. Kjo nxjerrë thënien e Nietzsches se asnjë artist nuk e duron realen. Edhe një njëri i rëndomtë në heshtje vetmie ikën nga realja. “Asnjë artist nuk mund të abstenojë nga realja”, arsyeton Kamy. Krijimi nxjerrë kërkesën jo veç për refuzim, por edhe për anashkalim duke kthjelluar unitetin. Njeriu refuzon botën në bazë të mungesës së saj, por nuk duhet harruar se në emër të botës njeriu ekziston. Ashpërsimi i heshtur i revoltës këtu bëhet i zhurmshëm. “Pra arti do të duhej të na hapte perspektivën e fundit mbi përmbajtjen e revoltës”, vazhdon Kamy. Mua më shumë më intereson të dijë se kur shikoj një pikturë çfarë ndjejë në shkëmbim të saj? E dijë se vepra është e shkëputur nga artisti dhe fiton një pavarësi, bëhet një personalitet i krijuar nga një hije spirtuale me pamjet materiale, e bërë qenie. A duhet përdorur realitet sa më pak për të arritur spirtualen? Natyrisht po. Bashkimi është i nevojshëm për krijim. Nuk do ta quaja si lindje e rastësishme, por forcë aktive krijuese. Do të mbetej indiferente në jetën shpirtërore, po të mos krijohej. Vepra e mirë provokon në shpirt vibracione me rezonancë të kthjelltë.“Një imazh nuk është i pikturuar mirë nëse vlerat e tij janë zgjedhur me saktësi, ose ai ndërtohet me një ekuilibër thuajse shkencor midis të ngrohtave dhe të ftohtave, imazhi është i ndërtuar mirë kur ai jeton mirë në brendësinë e veprës”, thotë Kandiski. Ky piktor na kthen te harmonia e veprës dhe ngjashmëria e shpirtit me të.

Dikur është pikturuar për të zbukuruar një pallat, pikturën e kanë vënë në një kishë  për t’i ndihmuar njerëzit në lutjet e tyre, ose veprën e kanë ekspozuar  në një galeri për të admiruar bukurinë e saj ndonëse të meditojnë  për idetë që përcjellë piktura Rafaeli i bënte pikturat me porosi, duke i thënë se çfarë të pikturonte. Piktura edhe sot vazhdon të bëhet me porosi apo të  nxjerrët imazhi nga një fotografi me autor të njohur. Pse njerëzit ndjejnë kënaqësi në të kopjuarit? Kjo është çështje shijeje, por kjo shije dominon në tërësi. Nuk duhet të kërkohet nga artisti të kompozohet mbi shijen e kërkuesit, por njeriut duhet t’i pëlqejë ajo çfarë ka krijuar artisti pa kërkesë. Vepra duhet të duket si përjetim i parë për shpirtin. Këtu ndjemë dashuri dhe kënaqësi. Renoir pikturonte atë çfarë dëshironte, njerëzit ja blinin pikturat sepse u pëlqente pamja e tyre. Vepra e tij “Në teatër” (1876-77), tregon një grua të re që ka shkuar për herë të parë në një shfaqje teatri. Ajo qëndron në llozhë, duke vështruar spektatorët e tjerë, dhe ngjan paksa e emocionuar nga ajo që sheh. Tërheqja lind nga përjetimi i parë. Ndonëse ta ripërsëriste të njëjtin përjetim, dëshira dhe dashuria për të do zbehët. Herman Hese është më i moderuar kur thotë :“Arti shfaq fytyra të reja, i ka ardhur në majë të hundës duke folur me gjuhën e së shkuarës”. Bëhet fjalë për   kapërcimin kufijve. Krijues i mirëfilltë dhe i sinqertë mund të quhet ai që heshturazi në atelienë e tij në bashkëbisedim me veten hedh bojën në telajo. Artist (kopjues nga fotografitë dhe pikturat e mjeshtërve tjerë) mund të cilësohet si teknik dhe moralist i mirë. Të dyja të fundit nuk gjenden në thellësi të artit. Piktori duhet të kremtoj shkëlqimin dhe tmerrin e të jetuarit me qëllim të bartjes së dritës, gëzimit dhe dashurisë mbi tokë, edhe pse gjithnjë ecën përmes fushës së dhimbshme të lotëve. Artisti nuk i nënshtrohet shtrëngimeve. Ata që ndjenë pakënaqësi ndaj artit që e krijon artisti përmes shijes së vet s’duhet të akuzohet, por as ta bind veten t’i pëlqejë. P.sh mua që më pëlqejnë mjeshtrit e vjetër nuk duhet të kërkojë artistëve të sotëm të heqin dorë nga eksperimentimet dhe fatet e tyre nëpërmjet të cilëve bota e artit nuk varfërohet, por pasurohet. Ose artistët që krijojnë vepra kopje këtë mesiguri e bëjnë pa shpirt, ngaqë fokusohen në identiken, dhe identikja është më shumë teknike dhe zanat sesa shpirt apo art. Nuk duhet mohuar këta, por nuk duhet radhitur në mesin e artistëve individualist. Unë më parë do pëlqeja një vepër të dobët e që është origjinale nga artisti sesa kopjen e “Lulediellit” të Van Goghut të bërë nga një artist i sotëm. Këtu e kam fjalën për origjinalitetin e shpirtit spontan pa planifikim të realizmit sesa kopjimin pa fije emocioni nga artisti tjetër. Këtu ndjenja përpiqet të shumëfishohet, por dështon nëse dëshirojmë të kapim unin e vërtetë të artistit. Ribërjen e botës së tij në llogari të veten e ndjemë vetëm nëse vepra është origjinale. Këtu duhet pak kulturë dhe informim ndaj masës. “Artist” kopjues i quaj njerëz më ndjeshmëri nën mesataren, ndonëse artisti i vërtetë qëndron më ndjeshmëri mbi mesataren dhe ka rol për të ardhmen e njerëzimit. Këta ndoshta tingëllojnë si karikaturë e dëshirës së lirë, por janë të sinqertë dhe të vërtetë para pasqyrës.

Pse çmohet tek ne më shumë kopja? Niveli i intelektit ndaj perceptimit origjinal të shpirtit nuk ekziston. Duhet pak njohuri për këtë. Duhet një gjetje origjinale të jetë edhe pse kjo jeton brenda të pamundshmes në kohën tonë. Kombinimi me dhënien e shpirtërores mund të quhet veçanti vetëm atëherë kur plasohet në vepër, sepse shpirti dhe arti veprojnë reciprokisht. Fjala është për ata njerëz që kanë një jetë të fortë shpirtërore. Përsosja ndodh vazhdimisht. Gjithmonë mbetet diçka për tu kritikuar. Në anë tjetër artisti-kopjues nuk e di pse e vë firmën e tij në pikturë. Fjala është për porosinë e kompozuar nga dikush tjetër, dhe kopjen nga fotografia (pikturë e fotografuar e ndonjë artisti të famshëm.) Këta krijues vdesin në përfundim të veprës. Njohë shumë njerëz që në muret e shtëpive i varin kopjet e krijuesve të mëdhenj. Ka edhe të tillë që bëjnë porosinë e kompozimit të pikturës. Një numër prej tyre lakmojnë pas bojës së orendive të ketë ngjashmëri me pikturën. Edhe të tillë që pëlqejnë qartësinë e veprës (fjala është për realizmin.) Të tjerët lakmojnë pas figurave historike duke kërkuar nivelin patetikë të formës. Ekziston edhe një pjesë që kinse adhuron artin modern, këtë e bënë vetëm para publikut derisa në vetmi vdesë për folklorin, fenë, teologjinë apo politikën. Ekziston edhe një numër i  “Artdashësve” që përnjëherë kanë filluar të pranojnë goditjen e artit, gjë për të cilën asnjëherë nuk kanë ëndërruar. Këta janë rritur me kopje të zbehta (goblenë) dhe tash ecin të humbur duke mos perceptuar shpirtëroren origjinale. Prapë nostalgjia i mundon. Këta njerëz duhet ta dinë se në çdo vepër origjinale, çfarëdo qoftë teknika e saj, është harmonia që kërkohet. Fjala është për jetën e artistit dhe mjeteve të tij shprehëse. “Nëse aty mbizotëron kjo harmoni dhe përmes skicave e shënimeve lind një vepër, në të cilën një copëz jete është vështruar, atëherë buzëqeshim dhe e miratojmë plot mirënjohje” thotë Hesse. Nuk do na interesonte teknika apo modernizmi i saj, qëllimi është të lumturohemi për krijimin e diçkaje të mirë. “Krijues të mëdhenj janë ata të cilët, sikur Piero della Francesca, japin përshtypje se fiksioni sa po bëhet realitet”, vazhdon Kamy. Mesiguri, ai ndan realitetin me subjektin, porse nxjerrë fiksionin si realitet të unitetit të përgjithshëm. Ai ndrydhë veten për të tjerët. Ose të tjerët gjejnë diç të përbashkët në fiksionin e tij.

Nëse dikush pyet piktorin: përse nuk ke zgjedh një temë tjetër, e njëjtë është sikur mjeku t’i thoshte të sëmurit: më mirë do ishte të kishe zgjedhur një ftohje më të lehtë. “Unë jam i fortë, sepse nuk jam ndikuar asnjëherë nga të tjerët dhe bëjë atë që kam brenda meje” thotë Gauguin. Kjo deklaratë e tij na orienton drejt një rruge të panjohur. Arritjen e kënaqësisë ai gërsheton nga e jashtmja. Injoranca e Sezanit që lind nga shtypja dhe shtrëngimi që i është bërë e obligon të ulërinë me: “Dijeni mirë se në botë ka veç një piktor, dhe ky jam unë”. Ai asnjëherë nuk mundi t’i pikturoj shpirtrat, por trupat. Ky piktor kërkonte fitore. Përveç që shpirti dhe arti na qenkan një, spektatori sipas Kandiskit është revansh. Gjuha shpirtërore ndodh shpesh të mos kuptohet me artistin. Artistit i duhet të thellohet të edukohet dhe të edukojë, me qëllim që talenti i tij të ketë diç për të veshur, të mos jetë pamje e zbraztë, ose kopje e mbushur, e tejngopur dhe e mërzitur nga ripërsëritja. “Ai duhet të dijë se çdo veprim, çdo ndjenjë e tij, është materiali delikat, por i qëndrueshëm, prej nga lindin veprat dhe për këtë ai nuk është i lirë në jetë, por vetëm në art” thotë Kandinski. Liria si farefis i shpirtit njehë ekzistencën e artit.