| E diele, 06.09.2015, 09:54 AM |
Dashuri dhe dhimbje
(tregim)
Nga Vladimir Muça
-Të dashur nxënës! Tema e hartimit “Qyteti më i dashur për ju” ishte një temë interesante dhe shumë e dashur për të gjithë. Ajo u trajtua me shumë dashuri dhe dhimbje nga ju, që vini nga vënde të ndryshme, me zakone, doke të veçanta.
Secili nga ju ka shkruar me ndjenjë për qytetin e tij të dashur. Do të veçoja hartimin e Taulant Barbëllushit, i cili spikat dhe një talent të veçantë në fushën e letërsisë. Ju e keni vënë re dhe në recitimet plot ndjenjë dhe pasion të poezive të krijuara nga ai me atë sharmin e thukët liriko-atdhetar.
Taulanti ka lindur me talent, por puna e vazhdueshme studimore me librin ja dhjetëfishon sharmin e krijimit artistik. Ai ka derdhur jo vetëm dashuri dhe dhembje në hartimin-ese për qytetin e tij të dashur dhe magjik, por na vjen me cilësinë e një prozatori, ku me metafora brilante e alegori të dritësuar, me një poezi mbyllëse, jep mesazhe që më lanë pa frymë, me ato meditimet për shtëpinë e të parëve të mi. Atje në Kalabrinë e dashur, ku mëngjeseve të dritësuar e gjelbëreme, me mbrëmjet lunatike, të ëmbeltojnë me atë nanuritjen e tingujve të këngës “Moj e bukura More”.
Vetiu më shpëtuan lotët e gëzimit. Nxënës të dashur, lotët janë zëri i shpirtit, turbullirë ato s'kan, në to shkrihet dhe vetë qielli, në gjërsi të pa anë. Dëshiroj që Taulanti, duke na lexuar hartimin e tij, të na përcjellë gjithçka që ai ndjen për vendlindjen, qytetin e tij të dashur.
Taulanti mbasi i buzëqeshi, si në vagulli mësueses, duke i shprehur me sy falenderimin për vlerësimin, hodhi një shikim frushnajë në fytyrat e nxënësve stranierë, mëndjezgjuar si në një agim të ri, filloi të lexojë hartimin:
Shkodra është locja e zemrës time. E bukur, legjendare, mitike, lindur për të mëkuar fëmijët e saj me qumësht nga gjiri i gurtë që 2700 vite më parë. Qarkohet nga tre lumenj: Buna qetanake, Drini dhe Kiri që vijnë turrshëm nga malet e lartë me kapuçat me borë. Miklohet nga valët qetake të liqenit i cili zien nga bollëku i krapit. Qyteti i sotëm shtrihet në pëllëmbën e dorës së Akropolit, të kodrës sheshajë, ku tre vëllezërit ndërtuan kalanë e famëshme të Rozafes.
Rozafa nanë, me gjirin e saj të gurtë edhe sot miklon fëmijët me qumështin që rrjedh nga gjiri pa u ndalë. Kështu thotë legjenda. Por të vërtetën nga legjenda, një fije peri e ndan. Nëna-Rozafë u bë kurban që muret të mbaheshin dhe të mos shembeshin, siç ndodhte çdo natë.
Drini i madh që i jep dritë tërë Shqipërisë me ujin e turrshëm dhe të bollëktë e qarkon qytetin në juglindje, ndërsa Buna ujëshumë me ato ishujt e bukur, me flokënaja shelgjesh lotusë e brugave që lahen në ujëra si shtojzovallet, e mbajnë qytetin në freski. Nga veri-lindja me rrapëllimë, Kiri yshtet mbi zallin e tij, ku sa herë që vija me dajomadhin mblidhnim guralecat si inxhi për të luajtur guraçokthi. Kur lodheshim së barituri nëpër zall e bregut të Bunës, shtroheshim të uritur nën hijen e shelgjeve e mbanim vesh korin e bilbilave griarë. Gjyshemadhja urtake siç, ish shtronte tavën e famshme të krapit, e veçantë dhe e famshme në kuzhinën botërore. Kërkund s’e kam ndjerë shijen e Tavës Shkrodrane, jo vetëm pse peshku krap është disi i veçantë në shije, por dhe duart e nënëmadhes janë krejt të veçanta.
Liqeni ka
aq shumë peshk saqë, kur është koha e lëshimit të vezëve, krapi ngec nëpër
cekina, mes kallamishteve.
Shkodra ime e bukur me ato sheshet e gjëra, lulishtet erëmira, pedonalen dritëshumë, Gjuhadolin e rikompozuar, ku nën llamburitjen e dritave, reklamave të artizanëve shkodranë, të cilët akoma punojnë me përkushtim si paramjeshtrat, me jaren shkodrane në goje. Eh!...Shkodra e arkapijave të dashura, ku adoleshenca, pa zori çaponte nga lagja në lagje. Eh sa herë me to i jam vjedhur dajomadhit dhe nënëmadhes. Nga shtëpia në shtëpi, nga oborri në oborr, dilja në lagjen Xhabije tek shoku im Dushi. E pasi ngopeshim me fiq në kopshtin e Can Zajës, nëpër rrugicat e kalldrëmta me gurë lumi, merrnin kurrizin tatëpjetë kalasë nën këngën e gardalinave, kumrive e të Lym Sheqernikut, i cili mbante gjallë në shpirt këngen e jareve shkodrane, si e vetmja në llojin e saj e interpretuar me mjeshtëri nga Bik Ndoja, Bujar Qamili.
Nga shesh-shikimi i kalasë fusha e Nën-Shkodrës, sapo kalon harkun e Bërdicës, të kënaq syrin me atë valëzimin e misërorëve dy bojë njeriu e me ato kopshtijet të cilat zënë fill tek Bahçallëku e shrihen gjatë gjithë bregut të Bunës gjer në plazhin e bukur të Velipojës, me atë rërën ngjyrë ar, e cila me rrezen e parë të mëngjesit, ngjan me thërrmija të florinjta. Ky është qyteti im i dashur, Shkodra ime loce, qyteti magjik, qyteti i legjendave, i cili me mëkimin që i jep qumështi i nënë Rozafës si një bekim i qëndresës, besës e përkushtimit ndaj tokës amë. Shkodra ime, “dashnorja e shekujve”, perlë mes ujërave, gjelbërimeve si në mes të një loti stërmadh të atdheut tim të dashur.
Sa herë që shkoj në Shqipëri, atje më gjen shpirti qetësi, çlodhem pranë mrizave si hënë e zgjohem gjithmonë si një diell. Tres shikimin nga bedenat e kalasë në gjelbërimin e pafund të Nën Shkodrës, në kësulën e borës së vonë të Taraboshit, apo në bardhësinë krenare të Alpevë.
Deti, lumenjtë, liqeni, fushat e mbjella janë frymëmarrja që i mungon bijve të shkodrës mërguar nëpër botë. Çdo hera, kur largohem nga qyteti im magjik e legjendar, unë ndahem duke u përshëndetur me vargjet e poetit Ndre Mjeda, mjeshtër i fjalës, i cili e ka sintetizuar dashurinë e magjinë e këtij qyteti me këto vargje:
Lamtumirë o moj Shkodër,
Lamtumirë o ti Cukal,
Zhduket Buna nën një kodër
Zhduket Drini nën nje mal.
Taulanti mori frymë thellë si të donte të thithë edhe një herë gjithçka që kishte shkruar në hartim; me dorën e djathtë fshiu dy vraga loti që i rrodhën nga faqet e skuqura.
-Taulant!-i tha mësuesja duke fshirë lotët.-Hartimin e ke bërë me shumë dashuri, por unë nuk jam e qartë: është fantazi e jotja ky qytet apo është me të vërtetë kaq i magjishëm?...
-Mësuese, Shkodra është më shumë e magjishme nga çfarë kam shkruar unë.
-Nxënës të dashur jam i një mendimi me Taulantin!...Filozofët e lashtë me të drejtë kanë thënë: “Se kur një lumë rrymon pranë një qyteti, perëndia e ka bekuar atë qytet”. Qyteti i Taulantit rrymohet nga tre lumenj dhe nanuritet me valët e liqenit, ai është i bekuar katër herë si asnjë qytet tjetër në botë.
Përse e ke lënë Taulant një qytet kaq të magjishëm dhe ke ardhur emigrant në Rexhio Emile?...Eshtë mëkat të largohesh nga një vend i tillë.
-Eh zonja mësuese!...Frika e gjakmarrjes, indiferenca e shtetit, braktisja e popullit nga një kastë e privilegjuar që vodhi mundin e dyzetë e pesë viteve të këtij populli.
Dhe sërishmi vraga e lotit të valë filloi të bjerë nga mollëzat e skuquara, faqeve të Taulantit.
Nxënës të dashur! Nëqoftëse jeni lënduar me të kaluarën, por dhe të sotmen, ka ardhur koha që ta hidhni në lumë atë lëndim e ta marrë njëherë e mirë lumi. Pasuria që s'bie asnjëherë në vlerën e saj, është respekti për vendin ku ke lerë. Kur humbet këtë pasuri njeriu bie në hone. Dashuria për vendin tënd nxënës të dashur, është ekuivalente me lumturinë dhe dhimbjen më të thellë të botës. Shikoni sytë e Taulantit!...Jo më kot nga ato sy sot buron thirrja e Xhimi Hendriksit:”Kur bota e dashurisë do të mbisundojë mbi dëshirën për pushtet, atëherë do të njohë paqen”.
Për një çast në atë klasë, pashë fytyra të gëzuara dhe mendova: Dielli lind për të gjithë...
Në këtë klasë, nga ky hartim, gjithçka erdhi si dritë zemre; e drita e zemrës është më ndriçimtare se drita e syve.
Mësuesja hodhi shikimin mbi nxënësit stranierë, duke i futur pa përjashtim në gjirin e syve të saj. Në thellësi të syve të tyre, po ndizeshin stuhitë e një sërë shqetësimeve. Fytyrat po u merrnin pamjen me stilimet e një Pokahonte.