| E shtune, 05.09.2015, 06:07 PM |
Të jesh emigrant, a të vdesësh?,
kjo është pyetja.
Nga Gëzim Hoxha
Fotoja e
djalit 2 vjeçar të mbytur që bëri xhiron e botës më shokoi me të vërtetë. Dhe
pa më të voglin dyshim mendoj se nuk jam i vetmi. Thashë me vete se as deti nuk e pranoi.
Por mua më tmerrojnë të dhënat e agjensisë evropiane për emigrantët Frontex. Të dhënat që jep kjo agjensi flasin për më shumë se 23 000 emigrantë mbërritën në Greqi nga deti javën e kaluar, gati 50 për qind më shumë se një javë më parë. Ndërsa bilanci i një operacioni me emër Triton të koordinuar nga Frontex në Mesdheun Qendror, jep shifra trnditëse për javën e kaluar, 5 400 të shpëtuar dhe 55 trupa të gjetur, kryesisht ato nga poshtë një kuverte të një anije druri zbuluar nga anije suedeze me emër Poseidon. Drejtori Ekzekutiv i Frontex – it Fabrice Leggeri citohet të ketë thënë se: "Kjo ishte një javë shumë e errët. Ne jemi të pikëlluar thellë me vdekjen e emigrantëve pranë bregut të Libisë dhe në një kamion në Austri. Frontex do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet në fushat e operacioneve të saj për të shpëtuar sa më shumë jetë që të jetë e mundur. Por është e qartë se ne do të shkojmë kundër trafikantëve të cilët janë në mënyrë të qartë nuk merren me ofrimin e një kalimi të sigurt. Ata janë të pamëshirshëm dhe do të bëjnë çdo gjë për fitim”.
Dhe tek dëgjoj këto fjalë mendja më shkon te shqiptarët të cilët bënin gjithëçka për të kaluar kufijtë aq të ngurtë të Evropës të viteve ‘90 të shekullit të kaluar . Siç e dimë të gjithë aso kohe trafiku ilegal I qënieve njerëzore lulëzoi dhe fitimet për organizatorët e tij kapën pikun. Pak para se të hiqeshin vizat më kujtohet një eurodeputet i cili tha se nëse doni të luftoni këtë trafik duhet të bëni një gjë fare të thjesht: të hiqni vizat. Dhe menjëherë pas disa vitesh nuk dëgjoje më për trafik qëniesh njerëzore nga ballkani perëndimor, por dhe krimit të organizuar i ikën me miliarda euro nga duart. Tek e fundit unë nuk i vë faj askujt, sepse njerëzit kanë lindur për të qënë të lirë. Këtë e gjen dhe në nenin 1 të Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor të vitit 1948, ku thuhet shprehimisht se të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri - tjetrit me frymë vëllazërimi. Neni 2 i saj sanksionon gëzimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër.
Dhe çdo gjë duket aq e thjeshtë në letër shpalle, ratifikoje dhe kaq. Gjëra po kaq të bukura thuhen edhe në . Konventën për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore të miratuar nga të gjitha vëndet anëtare të këshillit të Evropës në Romë, më 4 nëntor 1950. Në Protokollin Nr. 4 të kësaj konvente, i cili është miratuar në Strasburg më 16 shtator 1963 në kapitullin ku sanksionohet liria e lëvizjes në pikën 2 thuhet se çdo person është i lirë të largohet nga çdo vend, duke përfshirë të tijin. Në nenin 4 të tij ndalohet dëbimi kolektiv i të huajve.
Sikur të respektohej e drejta e lëvizjes së lirë e cila gjendet dhe në nenin 13, pika 2 të Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, sot në kufirin hungarez me Serbinë, autoritetet nuk do të ishin zbuluar rreth 9 400 emigrantë javën e kaluar. Ndoshta as Greqia dhe Maqedonia nuk do të përballeshin me këtë fluks refugjatësh, që hyjnë në Maqedoni nga Greqia, dhe që po shënon rritje ditë pas dite. As Sërbia nuk do të qe buzë një krize humanitare, pasi vetëm gjatë muajve korrik e gusht, në Serbi kanë mbërritur mbi 47 mijë refugjatë.
Thirrjet e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker nga Strasburgu, për të rritur kuotat e strehimit të refugjatëve vendeve të Bashkimit Europian nga 40 mijë që ishte rënë dakord nga krerët në muajin korrik, në 160 mijë refugjatë ranë në vesh të shurdhër për disa prej tyre. Ndër to mund të përmendim Hungarinë, disa vende të Europës Lindore, si dhe Britaninë e Madhe. Dhe kjo ndodh kur e drejta e kërkimit dhe e gëzimit të azilit sanksionohet në nenin 14 në pikën 1 të Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut.
Pamjet e trenit të tejmbushur me refugjatë në Hungari, më kujtuan skena të një filmi për nder të Alfred Nobel i cilli shpëtoi me mijëra hebrenj. Mos kemi të bëjmë me një holokaust të ri me emër krizë refugjatësh? E pra e vështirë të thuhet. Për më tepër, në kohën tonë nuk ka më një Hitler. Por nëse e shohim ashtu siç ka qenë, fakti është se kjo e drejtë ka jetuar në shekuj me njerëzit. Sepse ata nuk mund t’i privosh nga e drejta për të kërkuar diçka më të mirë për veten e tyre. Një prej qëllimeve të krijimit të dhjetra perandorive mund të ketë qenë edhe dëshira për të shkelur vise të papara më parë, përveç tamisë së përvetësimit të tyre. Por po të ecim në kohë dhe të vimë në fund të shekullit të 19 –të, në revolucionin francez i cili zgjati plot 10 vjet nga 1789 deri më 1799 , njerëzit u vranë dhe jo më kot. Qëllimi i tyre nuk ishte vetëm shporrja e monarkisë dhe çlirimi i popullit nga zgjedha e mbretit, njërit prej Luigjërve të shumtë (atij të 16 –të), por dhe më shumë të drejta dhe rezultati karta e të drejtave të njeriut. Kanë kaluar më tepër se 200 vjet dhe zbatimi i tyre ka qenë vetëm selektiv, vetëm për të pasurit.