Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Njerka krihet e Shkupi digjet

| E hene, 31.08.2015, 07:06 PM |


NJERKA KRIHET PARA PASQYRËS

E SHKUPI DIGJET

 

NGA: KALOSH ÇELIKU

 

(Gjaku)

 

Përçudi: Sot, më shpallni të çmendur:

“Armik të shqiptarisë. Dhe, Kur’anit”.

Faleminderit. Së paku, jo edhe të Biblës.

Nusja me pashterkë të kuqe e pati në dorë

Xhindet ende e hudhin majë lisave në Katund

Rrëzë Çukës. Dhe, në Vendlindje.

 

Pajtohem. Po, Nesër e keni vështirë, o  “burra”

Me mua Poetin këmbëkryq të uleni në një sofër

Ballë për ballë me Gjenitë e Botës.

 

Prognozën të ma caktoni në Shtëpinë Publike.

Sëmundje trashëguese familjare: Gjaku…

 

 

(Shkupi)

 

Imzot, Shkupi historik i shqiptarëve antik

Jo, s’ka mëkate. Faj kanë dudumët “kuqezi”,

“Shehitë”, që pinë gji tek Njerka si qengji

Matanë, t’i bien not Vardarit për Dje.

Edhe, mbyten në hurdhë shiu. Kënetë.

Megjithatë, Skënderbu i pavdekshëm kotet brigjeve

Rrëzë Kalasë Dardane. Pasmesnate

Zëra: O burra shqiptar, thërret Atdheu!

 

Ballë u bëri nëpër shekuj pushtuesve.

Mëkat, që ulem te këmbët e Olimbisë

Nuse pa koçi me fëmijë në gji e prehër.

Dexhalli mbi Urë,  e kërkon për Nuse!

Luftë u kam shpallur shtambave me verë

Përinat të Rrufjanit,  e Njerkës azgane.

 

Buçat, pjellin kopila, na i lënë pas porte

Bythekrye dehen me çaj rusi në Bit –Pazar.

Valle  heqin me Dexhallin, bien “shehitë”.

 

Matanë Urës Gurit, Aleksandri Maqedonisë

I ka hipur kalit. Shpatën e ka në dorë për luftë.

Filipi Maqedonisë, grushtin si xhaxhi Enver:

Ndalë, këtu është kufiri shqiptaro - shqiptar!

 

Para Kishës Shën Dhimitri, bëhet luftë fetare:

Mitropolitë Beogradi, kryqin e Biblën në dorë

Shejtanarapët, nateditë e shurdhojnë qiellin

Besimtarët, e  harruan Zotin, lartë mes reve.

 

Skënderbeu në Shkup, moti i ka hipur Kalit

Shpatën në brez për paqe: Ndaluni, o burra!

Car Dushani, sot nuk rrëzohet me çekiç druri.

Po, me tokmak vathe. Bythekrye, në Vardar.

 

“Komandantët” pa ushtarë  i kemi në xhami

Dehen me çaj rusi në çajtore, deri në “sabah”.

Natën mbajnë “Ramazan”

E ditën e kalojnë në gjumë:

Me tespihe kuqezi e ilahi e  “vrasin” Shejtanin...

 

 

(Vulë në ballë)

 

Skëndrebeu im, herët po më del gjumi

Dexhalli merr nuse me koçi, në Shkup!

Valle heq nën Rrap, ma tremb poezinë

Miken me dy shtamba verë nën hije

Nuse, ma përcjellë pas shtatë maleve.

 

Përmidis Shkupit i bie me trumbeta e valle

Tri ditë para Përmbytjes Madhe (Kiametit)

“Sehirxhive” ua vë nga një vulë në ballë…

 

 

(Xhadia)

 

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup

Lëmën na e mbushe plot me kopila!

Gjumi, si nuk të mori për “pushtet” argati

Gji pi me kusi, te pragu i Derës madhe.

Ditënatë duke u përkundur në djep druri

Vëllai - vëllanë ta vrasë natën në gjumë.

 

Xhadi, oj Kurvë! Bijë Kurve, në Shkup

Burrë, si nuk u gjetë për ty deri më sot?!

“Nagantin” nxjerrë nga brezi, në shtrat

E të të palojë kulaç në Livadh.

 

Nusen e Dexhallit ta zbresë nga koçia…

 

 

(Qepja e Atdheut nga struke

në Gunë të Zezë)

 

Imzot, më vrisni mes dy shtambave me verë

Guxim, më japin për Liri, në prehërin e Mikes Di.

Gji kreshnikësh mes maleve. Fuqi për luftë

Përmes Çarshisë me dy “kashikara” raki rrushi

Në çantë mbi tavolinë. Përkarshi Skënderbeut.

Jo, si dikur Isë Boletini në Londër me dy kobure

Plumbat, e të cilit ishin patriotik: dum - dum.

 

Zogkeqin e ndjek, mu si dikur im Atë me pushkë

Pasmesnate, kur na këndon vdekje mbi Çati:

Bir, kënga e tij ndjellë kob, ndiqeni me armë

Matanë maleve të Çelëvjollcës, në errësirë!

 

Arma ime, është sot: Pena në brez me dy tyta

Rrapin marr nën sjetull, e dal kaçakë malit!

Gëlasa politike para kamerave televizive

Dudumët na i hedhin për të ardhë në pushtet!

 

Luftë në Bit-Pazar nuk bëhet me gota çai rusi

E, as me këmbët dhe trutë nateditë në legen.

Vera, kur rrjedhë lumë në Baba-Tomor.  Drini

Lumëbardhë e i Zi, maleve arnojnë Atdheun:

Strukes ia qepin mëngët. Gunë për Dimër

Zogkeqi me gëlasa, ende na këndon mbi Çati.

 

Imzot, e pi gjakun e Isu Krishtit (Azreti Isait)?!

Lotët e Shën Mërisë Virgjër (Azreti Fatimes)

Punemadhe. Nesër, do ta shuaj zjarrin e Ferrit…

 

 

(Njerka krihet para pasqyrës

e Shkupi digjet)

 

Vite e vite i prita nën Rrap dudumët

Mes dy shtambave me verë.

Dhe, Mikes Di kokë më kokë.

Vapë. Nën hije, në Bit – Pazar

Shqiptarët të dalin në protesta për Liri:

Jo me flamuj turko – arab

Po, me flamurin kuqezi shqiptar.

Grupe – grupe përpara Qeverisë:

Ne, nuk e duam këtë Njerkë

Që vretë. Rrasë në burg “terroristë”.

E duam Mëmëdheun. Dhe, Atdheun!

 

Vërtetë, sot më vjen keq si Poet

Shqiptarët nuk dinë çka duan Nesër:

“Vëllazërim-bashkim”. Shqipëri Etnike

Apo, xhami?! Robërinë shekullore.

 

Dudumë, dilni në protesta “paqësore”

Dhe, puthni Njerkën në të dyja faqet!

Ndoshta e shpëtoni “vëllazërim-bashkimin”.

 

Njerkën e rrejshme të Dudumit Melez

Që, nateditë me trumbeta përdridhet në Shkup:

Këmbën me miell, na rrëfen si Nënë Shqiptare...

 

 

(Arsye)

 

Dallimi mes Nënës sime dhe Gruas besnike

Që, të dyja vinin nga familje hoxhallarësh.

Nëna: nga doktorë teologjie, studentë në Kajro

E, Gruaja nga shkolla e Asdrenit, në Bukuresht.

 

Dallimi: Nëna e bëri Babain “musliman”

Rrëzë Çukës, në Katund.

Gruaja, mua shkrimtar në mes të Shkupit.

Përkarshi minareve të xhamive

Sikur të isha turk ”ehamdurila”, në Stamboll.

Edhe pse, Nëna shpesh ma përsëriste:

E sheh Babain tënd: Dje, ishte bektashi

Sot, është bërë haxhi, shkon e lutet në xhami?!

 

Bir, unë kur erdha nuse në këtë Shtëpi

Babai yt, pushkën e mbante varë mbi kokë.

“Nagantin” me gjithë fishekë nën jastëk..

Natën, thashë t’i bëj zë: ta çoj për “syfyr”:

E rroku mauzerrin përgjumshëm. Tymeflakë

I shkrepi të gjithë fishekët. Përpak, më vrau në çardak.

Mezi u ngrita mes tymit e flakës më këmbë

E mjera, unë! Arsye: ia kisha prishur gjumin…

 

 

(Zonja vdekje pas porte)

 

Mjaftë më erdhe, na trokite te porta

Rend e parend: me kosë në dorë!

Nuse nuk kemi, as djem për varre

Zonjën Lindje e presim në Dasmën e Madhe.

Shtatë male larg, marrim Nuse.

Krushqit i kemi shkri, i prinë Koçisë:

Hajdeni bini Djemtë e Shalës

Përmes Sarjeve të Pashës!..”

 

Frikë nuk të kemi pasur, Dje

Nuk të kemi, as sot.

Mesiguri, edhe Nesër.

Gra e burra kemi vetëm për male

E shumë pak për fusha. Varre.

 

Nuk është lehtë, babai t’i përcjellë fëmijët

Po, fëmijët babain në mesin e varreve.

Prandaj, kosën sot fshihe pas porte!...

 

 

(Zonjën Vdekje do ta marr

për Grua)

 

Gjumë ende s’ka. Unë jam i çmendur

Ndodhë, një ditë Vdekjen do ta marr për grua.

Shtëpinë ta mbush me fëmijë. Atdheun

Dhe, të flej rehat. Nesër, të ngrej dolli.

Edhe, për Miken. Edhe, Cucën Boheme

Vërtetë, ju ishit gra të bukura. Azgane.

 

Vetëm, edhe Zonja Vdekje: është Grua e bukur…

 

 

(Rrapi Nesër do të lulëzojë

prej Rrufesë)

 

Patjetër, Nesër Rrapi do lulëzojë prej Rrufesë

Arsye: shiu do të bie me shtamba.

Natyra do të egërsohet. Hakmerret

Bërllokun ia kemi lënë te pragu i derës.

 

Qielli do të bombardojë me breshër

Çatitë t’i lajë nga bërlloku shekullor.

Hedhurinat të na i kthejë prapë në Vatër.

Rrëzë Çukës, të rritet bari mbi varre.

 

Nesër, do të zgjohen të vdekurit nga varret

Shkaku, se: Sot na mbytën të gjallët…