Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Asociacioni i komunave

| E premte, 28.08.2015, 07:48 PM |


ASOCIACIONI I KOMUNAVE…,  ME VULË NDËKOMBËTARE?!. . .

Nga Dibran Demaku

Kosova në ish Jugosllavi kishte një autonomi të dalë nga Kushtetuta e atij shteti. Dhe atë autonomi Kosova e kishte fituar me gjak e sakrifica të shumëta. Dhe do të vinte një ditë, kur Serbia me një të rënë lapsi do ta suprimonte atë autonomi, që kishte si garancion Kushtetutën e shteti të përbashkët!Dhe pothuajse askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk do të reagonte, sepse sipas tyre Kosova dhe autonomia e saj ishte problem i brëndshëm i shtetit Jugosllav. Shqiptarët do të ngrisnin zërin dhe edhe do të vriteshin duke mbrojtur atë autonomi dhe kurrgjë kërkujtë, sepse autonomia e Kosovës nuk kishte vulën e bashkësisë ndërkombëtare!. . .

Për fatin e mire të Kosovës dhe shqiptarëve, pas suprimimit të autonomies së Kosovës, Serbia nuk do të ndalej e të kënaqej me atë që kishte arritur, por do të shkonte mëtutje! Hegjemonizmi serb kishte projektuar Ëndrrën e vet për Serbinë e madhe, të cilën do ta ngriste mbi gërmadhat e ish shtetit të përbashkët!Për ta realizuar atë Ëndërr Serbia do të bënte gjithë ato luftëra në teritoret e ish Jugosllavisë, duke shkaktuar shkatërrime e tragjedi  të papara që nga Lufta e dytë botërore e këtej!Popujt dhe republikat e tjara të ish Jugosllavisë, kush më herët e kush më vonë, pas luftrave të përgjakshme do të liroheshin nga tutela serbe! E fundit, dhe mbase ndër më të dëmtuarat në të mira material dhe në njerëz do të lirohej nga tutela serbe Kosova dhe populli i saj, dhe atë falë luftës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës ushtarake të  Bashkësisë ndërkombëtare!

Veçëse Kosovës dhe popullit të saj nuk i shqitet se nuk i shqitet Serbia! I është ngjitur si rodhe dhe nuk e ka ndërmend ta lërë të qetë në hallet e veta të shumëta! Ajo, pra Serbia edhe gjashtëmbëdhjetë vite pas largimit nga Kosova, atë pra, Kosovën e konsideron si teritor të vetin!Përveq deklaratave ajo edhe në preambulën e saj sot e kësaj dite Kosovën e konsideron si pjesë përbërse të Serbisë?! Dhe bën be e rrëfe se kurrë ama, bash kurrë nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës! Dhe jo vetëm që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, por në vazhdimësi ndërhyn në punët e saj të brendshme, nëpërmes të serbëve të Kosovës!Në emër të tyre ajo, Serbia ka arritur që në teritorin e Kosovës të formojë një fantom të ashtuquajtuar Asociacion të komunave me shumicë serbe dhe atë ta zyrtarizojë si të tillë edhe me një marrëveshje ndërkombëtare si ajo e Brukselit e nënshkruar një ditë më parë nga zyrtarët më të lartë të Republikës së Kosovës, nga zyrtarët më të lartë të Republikës së Serbisë dhe Bashkimit Europian?!Kështu Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë e mori edhe Vulën e Bashkësisë ndërkombëtare?!Dhe kjo Vulë e Bashkësisë ndërkombëtare në favor të Asociacionit serb, ka vlerë dhe fuqi më të madhe se sa sikur ky asociacion të kishte edhe elemente ekzekutive brenda Kushtetutës së Kosovës?!Vlerën e Vulës ndërkombëtare për Asociacionine tyre e kanë të qartë edhe serbët e Kosovës, andaj ata edhe festojnë! Deklaratat e zyrtarëve të Republikës sonë, se Asociacioni i komunave serbe brenda Kosovës nuk do të ketë elemente ekzekutive, janë vetëm një ngushëllim i vogël për ta dhe për popullin shumicë në Kosovë?!

Dikush mund të thotë se Marrëveshjet e arrituradhe të nënshkruara në Bruksel në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkësia ndërkombëtare janë konsideruar si një e arritur historike për të dy shtetet, andaj përse gjithë ky shqetësim tek shqiptarët e Kosovës?!Por, ai dikushi, cili do qoftë ai, duhet ta kuptojë se Bashkësia ndërkombëtare, në këtë çast është e preokupuar me konflikte të tjara më të nxehta dhe nuk është e interesuar që në Ballkan të rindezet ndonjë konflikt!Andaj ajo edhe i përshëndetë të gjitha marrëveshjet që i arrijnë popujt dhe vendet e Ballkanit, në këtë çast tejet delikat, pa çka se në ato marrëveshje ndonjëra palë edhe mund të dali e dëmtuar, ashtu si doli Kosova me Marrëveshjen për Asociacionin?!. . .