Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Spahiu: Vështrimet sintaksore-krahasimtare të Eqrem Çabejt për gjuhët indoevropiane

| E merkure, 30.07.2008, 07:13 PM |


Eqrem Çabej
Vështrimet sintaksore-krahasimtare të Eqrem Çabejt për gjuhët indoevropiane

 

Nga Agim Spahiu

 

Prof. Eqrem Çabej, sipas një bibliografie të botuar në fund të pjesës së pestë të “Studimeve gjuhësore”, që nga viti 1929 e deri më 1975 shihet se ka botuar më tepër se 170 artikuj, studime e vepra të çmuara të fushave të ndryshme, sidomos të gjuhësisë. Natyrisht se ky numër i tyre nuk është i plotë dhe përfundimtar, sepse ai ka botuar ndoshta edhe para vitit 1929 dhe pas vitit 1975. Ky numër nuk do të jetë aq shumë i rëndësishëm po të mos e kishte edhe komponentën tjetër: pra rezultatet që i sjellim ato kësaj gjuhësie duke e ngritur atë në nivelin e gjuhësive më të avancuara evropiane e botërore. Prandaj punimet e bëjnë shkencëtar të madhe e të pavdekshëm.

Por, do të ishte utopike dhe mendim i papeshuar po të thuhet se në të gjitha fushat e përmendura ka rezultate kolosale e të pakontestueshme. Në të shumtën e herave ai ka bërë studime shteruese që s’ ke as çfarë t’i heqësh dhe as çfarë t’i shtosh, po aty-këtu, natyrisht se ka nevojë që ato të rishikohen, rishqyrtohen nga studiues të zellshëm e të përgatitur mirë në mënyrë që çështjet e hapura, diskutabile, të papërfunduara apo të padefinuara në një mënyrë të kenë ndoshta një zgjidhje pëfundimtare a version të caktuar. Kjo mendoj është kështu, ngase cilido studiues qoftë, nuk mund të ketë në të gjitha fushat e studimit rezultate njësoj.

Në këtë kumtesë do të ndalemi vetëm në disa pika të vështrimit të tij sintaksor-krahasimtar lidhur me gjuhët indoevropiane. Edhe fusha e sintaksës së gjuhëve të përmendura është prekur mjaft mirë nga ky studiues i zellshëm. Mirëpo, jo në atë masë sa bie fjala fusha e fonetikës dhe e morfologjisë historike.[1] Derisa po e zëmë, rregullat dhe ligjet e fonetikës historike të shqipes shpjegohen me 40 faqe tekst[2], me 25 faqe të kësaj fushe në studimin krahsimtar të gjuhëve indoevropiane: ose me 34 faqe të morfologjisë: pjesa e sintaksës së këtyre gjuhëve shpjegohet vetëm me 6-7 faqe[3].

 

Me këto pak faqe janë përfshirë në vija të përgjithshme vetëm veçoritë më të rëndësishme sintaksore të gjuhëve indoevropiane në përgjihësi, dhe të shqipes në veçanti, në mesin e tyre, duke i vënë në dukje pikëpërkimet nga ky aspekt, me metodën e njohur të krahasimit. Këtu prof. Eqrem Çabej ka vënë në dukje dhe ka shkoqitur përgjithësisht një mori çështjesh të rëndësishme të gjuhëve të përmendura, ndër të cilat po veçojmë: Fjalitë nominale, si ndërtime të të gjitha gjuhëve indoevropiane; topika e fjalëve në fjali; mjetet e lidhjes në fjalitë kallëzuesore; bashkërenditja dhe nënrenditja e çështje të tjera, të cilat po i paraqesim shkurtimisht në këtë kumtesë. Këtu në këtë tekst të shkurtër gjejmë mjaft mendime e konstatime të drejta, të cilat janë për t’u veçuar.

Lidhur me fjalitë emërore (nominale), prof. Eqrem Çabej shpreh mendimin se ato janë më të shpeshta në gjuhët e vjetra indoevropiane, qëmoti të dokumentuara. Si një tip shumë i vjetër fjalish,sipas tij, na del për shembull në mbishkrimet e akemenitëve, në persishten e vjetër, në indishten e vjetër dhe gjetiu. Indisht: Tva Varunah “Ti je Varuna”; greqisht, te Homeri Xvavye (anange) “është nevoja”, Siklior (dikaion) “është e drejtë”, në sentencat latine, proverba e shprehje të afërta me to, si” Quod capita to sententiae, Summus jus, summa inituria etj. Edhe gjuha ruse e ka këtë veçori që, për çudi, dallohet nga gjuhëve e tjera sllave.

Por, sipas prof. E. Çabejt, kjo gjuhë mund të ketë pasur ndikim nga gjuhët ungrofim, ku hyjnë: finlandishtja, estonishtja e të tjera gjuhë. Po kështu, edhe nëgjuhën shqipe na del ky tip fjalish në disa shprehje stereotipe e në ndajfolje si: trimi i mirë me shokë shumë, Ligja e madhe, nevoja ma e madhe[4]. Mirëpo, sipas mendimit tonë, nuk kemi të bëjmëmefjali emërore (nominale), po kryesish mefjali eliptike,ngase mungon këputja ose edhe ndonjë trajtë tjetër foljore-kallëzuesore[5]. Fjali emërore konsiderohen sot ndërtimet sintaksore si: Dimër, Heshtje. Ja fshati im i lindjes etj., në të cilat vërtet fshihet një bërthamë kallëzuesore dhe të cilat e kanë intonacionin e vet të përmbarimit.

Lidhur me fjalitë foljore (verbale) ka shfaqur një mendim të drejtë, ku thotë se elementin kryesor të fjalisë e përmban folja. Kjo përmban tiparet e vetës dhe të numrit. Në këtë mënyrë për gjuhët e lashta indoevropiane eptimi (fleksioni) mjaftonte për të kuptuar për kë bëhet fjalë: a është subjekti i gjinisë mashkullore a femërore, a është i kësaj rase apo i asaj rase, a ëshë shumës a njëjës etj., kuptohet nga folja përkatëse. Kështu kur themi latinisht: Quod scripsi, scripsi “Atë që shkrova, shkrova”, nuk ka kryefjalë, meqë edhe s’kishte nevojë. Prandaj, përfundon shumë herë në gjuhët e periudhave të antikitetit mungon, por edhe sot në gjuhët, ku fleksioni është i pasur, pra, natyrisht, edhe në gjuhën shqipe shpeshherë[6]. Por, në disa gjuhë romane, në anën tjetër, zhdukja e mbaresave vetore te foljet ka kushtëzuar paravendosjen e obligueshme të trajtave përemërore, si në gjuhën frënge: je loue “unë lëvdoj”, tu loues “ ti lëvdon”, il loue “ai lëvdon” etj. Kështu edhe në gjuhën angleze etj[7].

Lidhur me topikën e fjalëve në fjali, prof. E. Çabej niset gjuhësisht nga parimi i drejtë se sa më e pasur të jetë një gjuhë në sistemin e eptimit (fleksionit), aq më e lirë është topika e fjalëve në fjali. Dhe, anasjelltas, sa më shumtë varfërohet eptimi, topika bëhet më e shtrëngueshme, më obligatore, më e ngulët. Sa për ilustrim merr thënien latine: Civis diligit patriam “Qytetari do atdheun”. Dhe, sipas tij, këtu është e qartë që civis është një emërore dhe patriam një kallëzore. Prandaj edhe po të përmbyset kjo topikë e të thuhet: Patriam civis diligit, nuk ndërrohet kuptimi[8]. Këtu dallon gjuhët balto-sllave, që kanë një eptim shumë më të pasur, pastaj gjuha shqipe ejt. Por topikë pak a shumë të ngulitur kanë gjuhët romane dhe disa nga gjuhët gjermanike. Ai ka shfaqur një mendim se disa gjuhë më të mëdha që përfaqësojnë edhe një kulturë më të lartë, ndikojnë në gjuhët e vogla edhe në punët e topikës. Pra, konstatim shumë i drejtë.

Një konstatim i drejtë i prof. E. Çabejt është se në gjuhën e folur, për dallim nga gjuha e shkruar, topika mund të jetë më e lirë, ngase në të folur mund të theksojmë fjalën kryesore, t’i japim një ton më të fortë, pra e ka intonacionin e vet si element që nuk është i pranishëm në gjuhën e shkruar. Prandaj kjo e fundit ka tendencë më të madhe për fiksim të topikës.

Ky segment sintaksor vështrohet edhe nga ana e gjymtyrëzimit aktual. Sipas tij, në gjuhët e vjetra indoervropiane fjala që bart kuptimin kryesor zakonisht vihet në krye. Greqishtja e vjetër, bie fjala, ka tendencë që foljen ta vë në mjedis të fjalisë, ndërsa shqipja para kryefjalës pra shpesherë në krye të fjalisë. Këtë konstatim për shqipen e mbështet nga studiuesi grek F. Kieckero, i cili bën fjalë edhe për rendin e fjalëve të gjuhës shqipe, në bleun IV të Gramaikës historike të greqishtes, apo edhe nga studiuesi austriak Wolfgang Dressler, që kishte të njëjtin mendim[9]. Mirëpo, ky është vetëm një pozicion, dhe kjo çështje në ndonjë studim tjetër që i kushtohej, kryesisht kësaj çështjeje në gjuhën shqipe, si p.sh. punimi i prof. S Floqit, botuar në vitin 1969 me titull : “Mbi disa çështje të rendit të fjalëve në shqipen e sotme” në SF nr. 2/ f. 125 e ndonjë punim e artikull tjetër të botuar më herët.

Lidhur me mjetet e lidhjes të fjalive kallëzuesore, prof.E. Çabej shfaq mendimin se fjalitë kushtore në gjuhët primare indoevropiane janë shpeshherë asindetike. Lidhja asindetike haset qysh herët në frazën e famshme të Cezarit: Veni, vidi, vici “Erdha, pashë, fitova”. Kjo lidhje është mbizotëruese edhe më vonë në këtë familje të madhe të gjuhëve indoevropiane, për dallim nga gjuhët semite, të cilat i përdorin shpesh lidhëzat këpujore – dhe, - edhe, gjë që shihet mjaft mirë edhe nga Ungjilli[10].

Dhe, së fundi, lidhur me bashkërenditjen dhe nënrenditjen, ky studiues i

madh ka shfaqur një mendim mjaft të saktë, ku thotë se në periudhat e hershme mbizotëronte bashkërenditja, ku kemi të bëjmë me disa fjali. Pra, fjalitë e bashkërenditura kanë mbizotëruar mbi fjalitë e nënrenditura.[11] Kjo do të thotë se nënrenditja është shumë më e vonshme dhe, sipas tij, presupozon një zhvillim mendor mjaft të përparuar. Qe të lidhen fjalitë, domethënë, një kryesore, të tjerat të varura prej saj, kjo supozon një zhvillim mendor që ka shkuar përpara[12].

Përdoimin e ndëtimeve me bashkërenditje në gjuhët e vjetra indoevropiane, por edhe më vonë, e arsyeton mjaft bindshëm, kur thotë se mentaliteti primitiv do të bashkërendittet, sepse nuk është në gjendje të përgjithësojë, të nxjerrë të përgjithshmen në dukuritë e veçanta. Për këtë ai sjell një shembull për ilustrim nga përralla “Mara Përhitura”, të cilën e kishte mbledhur H. Pederseninë me anë të Çamërisë. Në atë përallë pyetet e Përhitura se si punohet liri, kurse ajo e shtjellon ecurinë e punës, duke e zbërthyer a sqaruar me shumë fjalë e folje, si: Ne e punojmë dhen, pa e kthejmë, pa e mbjellëm, pa e thanim, pa e shkulim pa e mbledhim, pa e lidhim, e e shtipim... e kështu më radhë shpjegohet edhe me 24/25 konstrukte të ngjashme. Pra, nuk arrin që ta thotë tërë këtë me pak fjalë a me një periudhë të shkurtër si p.sh. Porsa ta mbjellim, e tëharrim” me fjali kohore, paskohore a me fjali të tjera të ngjashme[13].

Këtu prof. E. Çabej e ka shtruar edhe çështjen në formë pyetjeje: a ka pasur në gjuhët primare indoevropiane nënrenditje? Lidhur me këtë ai ka nxjerrë përfundimin se ka fillime shumë modeste. Sipas tij, e vetmja fjali që mund të thuhet se del qëmoti, është te fjalia lidhore (relative). Kjo është mjaft e shpeshtë në fazën e vjetër të greqishtes, të indishtes së vjetër e të latinishtes. Fjali të tjera dalin me zhvillimet e veçanta të gjuhëve të veçanta. Kështu, p.sh. në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera, nga fjalia pyetëse e dejtpërdrejtë u zhvillua fjalia kushtore (konstatim edhe i P. Kretschnerit), si në disa proverba, si: Ngordhi dhia, u prish miqësia ose: Ngordhi kau u prish permenda, te të cilët proverba vërehet një ngritje e tonit te pjesa e parë që është baras me ngritjen e fjalisë pyetëse[14].

Këto janë pak të dhëna sintaksore, por mjaft të rëndësishme për gjuhët indoevropiane. Me këtë është hapur një hulli, një kapitull të cilin studiuesit e rinj të kësaj fushe a problematike duhet ta thellojnë, ta zgjerojnë e ta pasurojnë edhe me të dhëna të tjera të shumta nga këto gjuhë, sepse sot edhe studimet, në numrin më të madh të këtyre gjuhëve, janë avancuar, prandaj edhe në gjuhën shqipe, priten përpunime të ngjashme.

 



[1] Sipas Dejvid Kristalit dhe studiuesve të njohur perëndimoë, edhe fusha e fonetikës / e fonologjis/ është pjesë e gramatikës. Për këtë shih: Dejvid Kristal, Kembricka enciklopedija jezika, Beograd, 1995, f. 88.

[2] Shih Dr. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore III, Prishtinë, 1976, 105-146.

[3] Shih, Dr. Eqrem Çabej, studime gjuhësore VII, Prishtinë, 1986, f. 125-132 dhe 144-145.

[4] Vep. E cit., f. 125-126.

[5] Shih për këtë tekstin universitar të Sintaksës, Tiranë. 1996, f. 396-406.

[6] Po aty, f. 126.

[7] Po aty, f. 144.

[8] Po aty, f. 126.

[9] Po aty, f. 127.

[10] Po aty, f. 128.

[11] Po aty, f. 128.

[12] Po aty, f. 128/129.

[13] Po aty, f. 129.

[14] Po aty, f. 129/130.

Dërgoi për Zemra Shqiptare Prof. as. dr. Begzad Baliu