| E hene, 24.08.2015, 07:22 PM |
ROZAFA
NGA QAZIM D. SHEHU
Themelet murosën një Rozafë,
Rozafat mbollën sakridashuri…
Një gjerdan me hipokrizi
Jeta e mbajti në qafë.
Ia vlen themele të mos ngresh,
Sa të përsërisësh këtë gafë…
VERBËRI
Ecën verbëria,
Botën zhbën,
Thellë e më thellë,
Sa thellësia harron
Se është hellësi.
Atje merr një sy…
Hoje mjalti të hidhur,
Thurur kodesh tingujthinjur,
Biem në grackë të parasë,
Do thoja :dashurisë…, po më falni,
Dashuria po i afrohet Saharasë,
Me ëndrra lëndinash të largta…
Të shkulja gishtin ta bëja shigjetë,
Pse gishtin?
Qepallën për turpin,
Hundën për shijet,
Buzën për një puthje.
Në këtë çmenduri,
Vetëm zemrën s`do guxoja të dhuroja.
Kjo nuk shkonte.
SHËMTIA
Krahët nuk ia hoqën fluturës,
Për ta kthyer në krimb,
S`guxuan njerëzit më të ulët,
As perënditë në Olimp.
Atëhere ç`është kjo shëmti
Që rend e shfryn si e marrë?...
Flatrat fluturojnë në fantazi,
Hapim sytë dhe flatra s`ka…
GURI
Në qiej kujtimesh të fikura,
Kërkoj emrin e gurtë,
Kur nata bie ,ti vjen,
Hap dritaren, ikën përsëri,
Një gur mbi gjoks më vë,
Drithin e ëndrrave me të të bluaj,
Por unë nga vendi dot s`e luaj…
HARK
Krahët e erës shqyen
Gojën e gjethes.
Ngjyrat e vjedhura,
Erren.
Shkartisen zëra,
Dita nuk i pa.
Brilante të zhvlerësura
Në konto të mëdha.
Një hark triumfi u ngrit,
Nga dëshirat,
Të kalojnë lotët,
Gatuar nga zërat…
KËMBËKRYQ
Tani nuk ulesh më këmbëkryq,
Fjalës nëntavolinë e kurdis.
Lëviz këmba drejt këmbës tjetër,
Dora drejt dorës bëhet dhelpër.
Në duarshtërngim hileqar,
Marroset një diell tradhtar.
Tani nuk ulesh më këmbëkryq,
Fjala pushkatohet pa gjyq.
Qyqon e qesh qesharakërisht,
Mbi tovalinë buzëqeshje miqsh..
KITARA
Mbrëmja shtrihet në telat e një kitare,
Serenatë korçare.
Thërret trokth kujash prej flake,
Zërin e Lorkës prej Granade.
Përvidhen zjarret,
Nën hije idhnake.
Në largësi ndizet dashuria,
Kitara qan.
Fjalët bëhen gjethe,
Gjethet fjalë…
ZOGORI QENSH
Koha
futet në kohë,
Trëndafil kthyer në ferrë,
Ferrë në trëndafil
Kohën e shkuar s`e shikon.
Për të mos u prishur mendsh.
Për të shpëtuar prej saj,
Nxjerr të flasin për të,
Një zogori qensh…