| E shtune, 22.08.2015, 06:39 PM |
Rrugës për n’Pejë
Nga Arbana Xharra
“Peja s’ka dekë”... Sikur kërkohet të besohet se një fije shprese ka mbetur në këtë qytet. Pjesë e degradimit që ka përfshirë tërë Kosovën, sikur janë ngecja, varfëria e depresioni të cilat përplasen për fytyre sa herë shkon nëpër qytete të vogla. Është kjo motoja e një grupi të rinjsh, që sot po flasin për ëndrrën që po u bëhet realitet, në një qytet që ka kohë që nuk ka prodhuar lajm të mirë. “Vjet kishim ëndërr rivitalizimin e kinemasë së qytetit. Tani po ju shkruajmë nga zyra në kinema...”, shkruan me vullnet, Vullneti, ideatori i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”.
Mes rreshtash ndjen dëshirën, përcjellë me entuziazëm, se “Peja po rikthen kulturën, por me një shteg të ri”. Këta vajza e djem, me vetiniciativë, gjashtë vjet më parë, nisën diçka të panjohur për audiencën tonë, por me përkushtim arritën secilin vit të rikthejnë vëmendjen për festivalin e parë të këtij lloji në Kosovë. Ne shohim animacione, por pak prej nesh janë animatorë e profesionistë në këtë fushë. Këtë vit, shumë prej nesh jo vetëm që u mishëruam me animacionin, por u shndërruam në anibaristët e Pejës.
Nuk ndalen vetëm në promovimin e kësaj ngjarjeje, mënyra sesi përshkruajnë Pejën, historikun e saj, mundësitë për publikun e festivalit, të dëshmon se me sa dëshirë e mund e realizuan këtë projekt. Ata arritën që kinemanë “Jusuf Gërvalla”, e cila ishte pasive për rreth 20 vjet, ta ringjallin duke ringjallur ndjesinë që gjeneratat e prindërve të tyre kishin shumë kohë më parë për këtë vend. Kujtimet u rikthehen nga fëmijët e tyre, gjeneratë e rritur me aq shumë sfida në tranzicionin e pasluftës.
Në këtë ambient pa mbështetje, me denigrues përreth, ideatorët e “Anibar”-it, sot kanë mbledhur jo vetëm audiencë vendore, por edhe ndërkombëtare, me prezantimin e filmave të animuar që janë pjesë e garave ndërkombëtare. “Anibar”-i sivjet na sjell një anë të kulturës që ne si popull konsumerist e kemi të panjohur, diçka si “unknown land”, duke i dhënë kështu vulën e kredibilitetit, por edhe peshën e festivalit ndërkombëtar.
Këta të rinj besojnë në revolucionin që po ndodh në Pejë dhe kjo ngjarje shënon “revolucionin kulturor”, në një qytet që ka prodhuar vetëm kronikë të zezë. Në një qytet ku vrasjet ishin servim mëngjes për mëngjes, tash kemi filma të animuar, shpirtra të animuar që ecin plot ngjyra rrugëve të Pejës. Për gjashtë ditë në Pejë tubohen animatorë të njohur, e në këtë edicion të gjashtë Peja pret Mike Reiss, producentin dhe krijuesin e “The Simpsons” që shënon lajmin më të mirë të këtij edicioni.
Animacione bashkë me animatorë nga e tërë bota, zbarkojnë në Pejë këtë javë. Kjo ngjarje është një shans jo vetëm për Pejën, por për gjithë ne, të na njohin ndryshe. Kosova ka potencial, dhe me gjithë këto pengesa, këta të rinj kanë arritur me forcat e veta të dëshmojnë për potencialin e gjeneratës që shteti më i ri në Evropë nuk i ofroi asgjë për 16 vjet me radhë.
Secili prej nesh duhet të japim aq sa mundemi për të mbështetur këta të rinj. Ata duan ta ringjallin Pejën, këto ditë na shkëpusin nga realiteti. Duke na dhënë këtë mundësi, më shumë se kaq, na bëjnë krenarë. Kjo ngjarje jep sinjal se megjithatë ky vend mund të bëhet dhe shpresa është në këtë gjeneratë që nuk po e lë “me dekë” Kosovën. Ka ende shpresë që qytetet tjera të Kosovës ta përqafojnë një “trohë” kulturë që po u servohet.
Kurse më e pakta që ne mund të bëjmë për ta, është të nisemi për Pejë!