| E shtune, 15.08.2015, 05:42 PM |
TESTAMENTI I SAMI REPISHTIT
(“Idetë fisnike nuk shuhen asnjiherë”)
NGA NDUE DEDAJ
Testamenti
i Sami Repishtit nuk është ndonjë akt noterial për lënie pasurie trashëgim, as
bankë me dollarë për dembelët e fajdexhinjtë. Është Shqipëria siç ka qenë e siç
është. Shqipëria si dashuri dhe si ëndërr. A nuk thotë ai “Jam krenar që kam
lindë shqiptar”! Vetëm pak ditë më parë në një të përditshme u botua një shkrim
i gjatë i tij, i titulluar thjeshtë: “Refleksionet e një 90-vjeçari”, që në të
vërtetë ishin gjykime të mprehta e kurajoze për njëqind vitet e shekullit XX
dhe çerekshekullin e fundit në shoqërinë e hapur. Një sintezë nga më të
veçantat e bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bashkëkohës që e sheh
dheun e tij me sytë e Perëndimit. Është një zë që dëgjohet prej kohësh, qysh se
kumtet e tij amtare nuk do të ishin më të ndaluara ta kalonin Atlantikun. Ka
disa shtysa një njeri për të shkruar, por zoti Repishti ndjen dhe një detyrim
më shumë, siç thotë ai, me fol si dëshmitar për të gjithë ato viktima të qelive
të errëta të burgjeve komuniste që nuk patën mundësi me fol. Në Nju Jork, ku ai
rron për më shumë se një gjysmë shekulli, kohët e fundit u mbajt një konferencë
nga bashkatdhetarët kushtuar figurës së tij, kurse në Tiranë nuk dimë të jetë
bërë asgjë në nderim të këtij personaliteti të dorës së parë të botës
shqiptare, bashkëkohës me Martin Camajn dhe i të njëjtës ravë disidente me të,
ikjes nga Shqipëria e izoluar komuniste drejt tokës së lirë. Ashtu siç ishin
arratisur drejt lirisë dhe Arshi Pipa, Zef Nekaj, Bilal Xhaferri etj., që ne
ende ngurrojmë t’i quajmë disidentë, duke u përdjerrur në anën teorike se
ç’thonë përkufizimet për disidencën. Sami Repishti nuk e kishte ëndërruar kurrë
fatin që e (për)ndoqi, ai kishte qenë student në Firence për Histori, por ishte
kthyer në kohën e Luftës si mjaft studentë të tjerë antifashistë. Por
“revolucioni proletar” bolshevik nuk kishte nevojë për shëmbëlltyra idealiste
si ai, rritur në klimën kulturore qytetare shkodrane, me rrënjë në traditën
vendase dhe atë klasike europiane, ku binte pianoja njëlloj si në Vjenë e
Ishte e
mjaftueshme kjo situatë e shkatërrimit të dinjitetit njerëzor që Sami Repishti
të përcaktohej si një misionar i të Drejtave të Njeriut, duke organizuar në
Amerikë konferenca për Kosovën që nga viti 1965 e mbrapa. Jetëshkrimi i tij
është një roman ngjethës antidiktaturë, si i gjithë të arratisurve politikë nga
Lindja në vendet e demokracisë reale, por ajo që duam t’i përcjellim lexuesit
është se ky lloj misionari kombëtar është duke folur e shkruar pareshtur për
Shqipërinë, ngaqë ka besim se mund të gjenden njerëzit për ta bërë atë. “Unë
besoj se në Shqipëri ekziston elementi i fortë, i aftë me dëshirën të ndihmojë
vendin me ec përpara.” Një optimizëm të tillë ai e bazon te shembulli botëror i
mëshirës së nobelistes shenjte Nanë Tereza, shembulli i shkëlqyeshëm i
arritjeve shkencore të nobelistit Ferid Muradi, shembulli i përsosmërisë
artistike dhe krijuese në fushën e letërsisë botërore të nobelistit të ardhshëm
Ismail Kadare, si dhe arritjet e shumta të shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë
në fushat e tyre të veprimit. “Legjone për t’u admirue. Në një Shqipëri të
lirë, demokratike dhe përparimtare këta shembuj shkëlqimi nuk do të mbeteshin
të kufizuem. Dhe ky asht nji përparim i vërtetë”, konkuludon në refleksionet e
tij veprimtari, historiani dhe publicisti mendjehapur, duke të kujtuar Luigj
Gurakuqin prijetar të mendimit e veprimit kombëtar etj. Por, i dashur profesor
Repishti, nëse na lejohet, këtyre që thoni ju mund t’iu shtohen dhe plot të
rinj që në dekadat e fundit kanë kryer arsimin e lartë e specializime brenda
dhe jashtë Shqipërisë dhe punojnë këtu si profesionistë të ekonomisë,
projekteve të zhvillimit, jurisprudencës, politikës së jashtme, mjeksisë,
arsimit, psikologjisë e të tjerë - problemi është se kjo elitë e re individësh
të formuar nuk ka terrenin politik të përshtatshëm për ushtrimin e aftësive të
tyre në nivel europian. Ngaqë në Shqipëri nuk ka një politikë sipas parimeve të
demokracisë dhe, siç vëreni ju, “elita politike” e vendit nuk ka qenë në
gjendje me e tejkalue dogmatizmin ideologjik për hir të bashkimit kombëtar.
Refleksionet analitike të Repishtit 90-vjeçar përsa i përket shtetit dhe
historisë janë po dorashka ideologjike, siç ndodh rëndom këtej ku mbahet krah.
Ai argumenton shkaqet se pse nuk është nji “rastësi” që Shqipëria nuk pati
mundësi me vendos themelet e një shteti të lirë, të pavarur, demokratik dhe
ekonomikisht të zhvilluar, shtet ligjor me institucione, duke mbetur te një
shtet i kapriçove individuale, siç vazhdon të jetë edhe sot. Sipas tij një varg
zhvillimesh kritike kundrarrjedhë e kanë kushtëzuar këtë, si tronditja e
shtetit shqiptar të 1912-s nga rrymat aventurore që shkelën premtimin e
“asnjanësisë”, një Komision Ndërkombëtar dhe një mbret i huaj i imponuar nga
bindja e Europës se ne shqiptarët jemi të paaftë për vetëqeverisje; okupimet
austriake, italiane, franceze, greke, serbe e malaleze të Luftës I Botërore,
moslejimi nga ana e Fuqive të Mëdha i bashkimit të trojeve shqiptare, ndërkohë
që pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (dhjetor 1920) vuri themelet e
para si shtet i lirë dhe i pavarur, duke bërë që Shqipëria të hynte në
“Histori”. Pati në vijim përpjekje shumëvjeçare për të ngritur shtetin,
vendosur rendin, krijuar legjislacionin dhe parlamentarizmin, por që gjithsesi
gjatë mbretërisë u “institucionalizue vorfnia”, çka solli “varësinë tonë
politike”. Analisti vëren se agresioni fshist i 7 prillit 1939 e nxori
Shqipërinë jashtë “Historisë” dhe zbuloi dobësitë tona që ishin: largimi i
palavdishëm i Mbretit, mungesa e atdhetarizmit në radhët e oficerëve,
korrupsioni i zyrtarëve që pranuan pushtimin (sidomos deputetët), varfëria e
madhe e viteve të Pavarësisë, çka dobësuan fibrën e rezistencës dhe i mohuan
Shqipërisë një rast të shkëlqyer për me tregue guximin tradicional kundrejt një
force ushtarake që më vonë i vlerësua si e paaftë. “Rezistenca e lavdishme dhe
kolaboracioni i turpshëm ishte binomi i viteve të Luftës”, shkruan profesori
paanësisht. Pritej të ndodhte ndryshimi, por sipas tij me ardhjen e regjimit
komunist në Shqipëri, nandor 1944, boshti i traditës shqiptare u thye në mënyrë
të pariparueshme, duke e quajtur fitoren e PKSH-së “një vetëvrasje kombëtare”,
që “historia do ta gjykojë randë”. Shqipëria, duke rënë nga njëra diktaturë në
tjetrën, humbi shansin e madh për t’u rikthyer në “Histori” me 1991-1992.
Dëshpëruese por e vërtetë, gjë që shihet dita-ditës në zhvillimet kaotike të
shoqërisë së sotme. Disa herë gjatë testamentit të tij shpirtëror, moral dhe
politik autori i mëshon idesë së “forcimit të një identiteti shqiptar
kolektiv”, duke e pasuruar vetëdijen e njerëzve me humusin e traditës dhe
vlerat e qytetërimit euro-atlantik, larg ndasive politike, fetare, krahinore e
shoqërore që nuk u “zhdukën” me kalimin e kohës.
Testamenti
i Repishtit, sa i thjeshtë për nga fjalët, aq i vlertë për kumtin që përmban.
“Vllazën e motra, mjaft me luftën kundër njëni-tjetrit dhe me deskreditimin e
shoqi-shoqit.