| E premte, 14.08.2015, 07:51 PM |
DITARI I NJË TË PANJOHURI
Nga Ryzhdi Baloku
II.
Pasi që ushtria, policia dhe paramilitarët serbë na bombarduan tërë natën, posa zbardhi dita u detyruam ta braktisim shtëpinë e të largohemi nga katundi.
Këdo që e zinin, e vrisnin pa asnjë paralajmërim, pa marrë parasysh shëndetin a moshën. Kishte raste kur fëmijë, gra e pleq, i tubonin në oborret e tyre, pastaj i ekzekutonin pa asnjë pikë mëshire. Nuk i linin pa vrarë as qentë në kolibe që ishin të lidhur me zinxhirë. Në shumë raste, të rinjtë i thernin në fyt si qengjat, kurse vajzat dhe gratë e reja njëherë i çnjerëzonin, pastaj i vrisnin. Pas këtyre veprimeve barbare, plaçkitej bagëtia dhe gjërat me vlerë nga shtëpitë e katundit, mandej i futej flaka tërë pasurisë së mbetur.
Kur prej
së largu diktoheshin kolonat e njerëzve që ishin duke ikur, i gjuanin me predha
mortajash. Të zhvendosurit që ziheshin nëpër logje, i fusnin në ndonjë lug
Për krimet serbe kisha dëgjuar nga të mbijetuarit e masakrave të atyre zonave, që më herët ishin prekur nga lufta. Pos kësaj, ofensivat nëpër vendbanimet shqiptare, të xhiruara nga agjencitë e huaja i kisha parë edhe në TV, përmes antenës satelitore, mirëpo kësaj here i pashë me sy sesi gjakpirësit vrisnin, pa iu dridhur qerpiku.
At ditë, sapo pushuan granatimet, një pjesë e banorëve arriti t’i shmangej rrethimit e të dalë nga katundi gjatë kohës kur nata ndahej nga dita. Në mesin e tyre isha edhe unë me familjen time të ngushtë.
Përmes shtigjeve dredhore u nisem ndaras në dy drejtime drejt malit që shtrihej përmbi katund. Ata që shkuan shtegut tjetër, si duket ranë në pusi, sepse pas një kohe rrugëtimi dëgjuam rafalë automatikësh dhe zëra këlthitës që vinin prej asaj ane. Të gjithë përnjëherë i drejtuam sytë andej. Por, nuk patëm mundësi të shihnim se ç’po ndodhë tutje. Pas pak edhe krismat e klithjet pushuan.
Duke imagjinuar se çfarë iu kishte ngjarë, një shqetësim shpirtëror ma kaploi trupin, gjunjët mu këputën, saqë këmbët s’më mbanin. Ktheva shikimin kah të tjerët, të gjithëve iu ishte prishur çehrja, nga pikëllimi.
Pas atij vrojtimi, vazhduam në drejtim të shkurreve edhe për një kohë, që më dukej një rrugëtim i gjatë e i mundimshëm. Më të arritur te vendi për ku edhe ia kishim mësyrë, të gjithë u trazuam, hetuam gjurmët e freskëta të këmbësorisë së forcave serbe.
Të befasuar nga pamjet që i hasëm, u bëmë si të çmendur nga droja mos po ndeshim në serbë. Vështronim çdo kaçubë përreth nesh. Kur u siguruam se rreth e përqark nuk kishte njeri, zumë vend në atë hapësirë malore.
Nga pozicioni që ishim, katundi shihej si në pëllëmbë të dorës. I vështronim me sy kolonat e gjata të forcave serbe që e rrethonin katundin. Krahas këmbësorisë, në të njëjtin drejtim lëviznin edhe automjetet e blinduara me mitralozë sipëri, ndërsa tanket që u shkonin mbrapa, në një çast u ndalen, si duket, për ta mbajtur rrethimin nga larg.
Në anën
tjetër brenda katundit shiheshin meshkujt e shtëpive, të shqetësuar vëzhgonin
përreth oborreve të veta.
Pas pak katundi u rrethua nga të katër anët. Ende pa iu afruar shtëpive, paramilitarët dhe policët serbë filluan me të shtëna armësh pa kontroll. Kur hynë në rrugët e katundit, me britma e piskama, u futen nëpër shtëpitë e banorëve. Brenda disa shtëpive dëgjuam rafalë automatikësh dhe krisma eksplozivësh, të cilave më vonë u doli flaka.
Sipas të gjitha gjasave, familjet që rezistuan, apo nuk iu dhanë para e stoli ari, i vranë brenda shtëpive.
Në disa familje, meshkujt, plakat e fëmijët, i nxorën jashtë, derisa klithmat e grave dhe vajzave dëgjoheshin brenda shtëpive.
Policët dhe paramilitarët serbë shanin e bërtisnin se të gjithë shqiptarët duhet vrarë. I kërcënonin banorët me nxjerrje gurmazi e prerje koke, edhe pse asnjeri nga ta nuk iu kundërvihej urdhrave të tyre. Nga frika, se pas kërcënimeve do të pasonte masakrimi, shpërtheu vaji i fëmijëve, madje kishte edhe nga të vjetrit që qanin me zë.
Një kryefamiljar kërkoi mëshirë. E përgjëroi komandantin e tyre që të mos iu merrej jeta fëmijëve, gruas dhe nënës së tij. Megjithatë, të gjithë u pushkatuan. Të ekzekutuarit mbeten të vdekur në oborrin e shtëpisë së tyre.
Si i
përfunduan bastisjet dhe ua kontrolluan trupin çdo personi, iu dhanë urdhër
meshkujve të shtëpive që gjësendet me vlerë t’i ngarkonin nëpër kamionë që
ishin të parkuar jashtë.
Pas këtij aksioni, e mblodhën popullatën e mbetur dhe e çuan në shkollë. Meshkujt i futen në godinë, ndërsa grat e fëmijët i lanë jashtë në oborr, brenda rrethojës.
Si i ngujuan meshkujt, i morën disa vajza e gra të reja për t’i dërguar diku. Ajo që u rezistonte për të hipur në kamion, i cili ishte ngjyrë ulliri në të hirtë e me mbulesë cerade i parkuar jashtë shkollës, ia drejtonin revolen në kokë dhe me një plumb e ekzekutonin në vend. Me atë rast i ekzekutuan dy veta, e pastaj i gjuajtën mbrapa në kamion ku i kishin futur femrat tjera të këtij grupi.
Të gjitha këto skena i shihnim me dhembshuri, por asnjë mundësi nuk kishim për t’i ndihmuar ata, sepse asnjëri prej nesh që ishim në mal s’kishte as brisk me veti.
Mendoja: Çfarë krijesash janë ata, a kanë zemër e shpirt njeriu, a kanë ndjenja njerëzore?! Hej more, po a vriten fëmijët, gratë shtatzëna, pleqtë e plakat, a vriten njerëzit duarthatë pa kurrfarë faji?! Vaj medet! Ishin çështje që s’mi rrokte truri për ta gjetur përgjigjen!
Në mëngjesin e të nesërmes, filluan të na godasin me predha artilerie, sikur ta kishin ditur se ku ishim strehuar.
Nga shpërthimet e mortajave, njerëzit copëtoheshin duke e mbuluar tokën me gjak. U tmerruam, ulërima e fëmijëve dëgjohej në të gjitha anët. Filluam të vraponim, pa e ditur se as kah t’ia mbajnë. Klithmat e të plagosurve dëgjoheshin kudo. I morëm me vete pa pasur mundësi as t’jua japim ndihmën e parë, shumë nga ta na vdiqën rrugës. Ishte gjendje e rëndë, që të bënte të çmendesh.
Ata që
arritën t’i shpëtojnë vdekjes, u larguan shumë shpejt. Pjesa më e madhe e
popullatës u fut në thellësinë e maleve. Pati familje që morën rrugën drejt
katundeve të afërme, që konsiderohej se ende s’i kishte përfshirë lufta. Ne të
tjerët, që ishim më pak, u nisëm në drejtim të Pejës, edhe pse kishim dëgjuar
se ishte mbushur me forca të shumta policësh, ushtarësh dhe paramilitarësh
serbë.
U zhdirgjem ngadalë përbri shpatit të malit, me një frikë që na përcillte tërë kohën. Askush nga kolona s’pipëtinte, vetëm ecnim e përgjonim rreth e përqark, mos po binim në ndonjë pusi.
Vrasjet në mal bëheshin më me kollaj, krahasuar me qendrat e banimit. Këtu, krimi bëhej larg syve të botës. Nuk kishte vëzhgues të Bashkësisë Evropiane për ta monitoruar situatën, madje s’kishte as gazetarë apo reporterë që do ta njoftonin opinionin se çfarë po ndodhë.
Në
situatën që ndodheshim, frika na shtohej edhe më shumë. Kishim dëgjuar për
dhjetëra vrasje në Pejë. Disa organizata sekrete të stimuluara nga shteti në
koordinim me policinë e maskuar serbe u kishin hyrë qytetarëve nëpër shtëpi dhe
kishin kryer atentate ndaj personaliteteve të caktuara, në mesin e tyre ishin
disa mjekë në zë. Megjithëkëtë, s’na kishte mbetur rrugë tjetër, kudo që do të
shkonim ishte rrezik për jetë. Popullata shqiptare e Kosovës kishte mbetur në
mëshirën e Zotit, e në disa momente më dukej se edhe ky na kishte kthyer
shpinën. Mirëpo, duke konsideruar se rreziku më i vogël ishte aty ku ka
gazetarë të huaj dhe monitorues të Bashkësisë Evropiane, u drejtuam në qytet,
meqë e kishim më afër se vendet tjera urbane.
Kapitulli II. i romanit
në dorëshkrim
Ditari i një të panjohuri