| E enjte, 13.08.2015, 07:49 PM |
Rreth librit
“Zbatuesit e elaboratit të Çubrilloviqit” të Sabri Maxhunit Novosella
Shpërngulja biblike e shqiptarëve të Kosovës nën presionin e “konspiracionit”!...
Nga Dukagjin HATA
Kur një autor boton librin e tij të gjashtëmbëdhjetë (disa prej tyre të ribotuara për shkak të interesit të shfaqur nga lexuesit dhe qarqet e mendimit shqiptar), siç ndodh me Sabri Maxhunin Novosella, është e qartë si drita e diellit se ajo që e shtyn, motivon dhe obligon atë në rrugën e shkrimtarisë është diçka e shenjtë, më shumë se një vizion, më shumë se një ide, një mision.
Autorin e njohur Sabri Maxhuni Novosella, siç duket e shtyn në rrugën e vështirë të letrave vetëdija që ai ka për historinë, për një nevojë të ngutshme jo për rishkrimin e saj, siç thuhet rëndom, por për shkrimin e saj, pasi siç thotë ai diku në një intervistë, “historia jonë kombëtare nuk është shkruar ende, ajo ka nevojë të shkruhet” dhe ai vetë është një nga kontributorët më aktivë në shkrimin e saj.
“Zbatuesit e elaboratit të Çubrilloviqit” është titulli i veprës më të re të Sabri Maxhunit Novosella, një vështrim historik, psikoanalitik e politologjik i autorit për një nga plagët më të rënda e më traumatike të Kosovës e të gjithë botës shqiptare, shpërnguljet historike dhe aktuale, ikjet biblike të shqiptarëve të Kosovës e më gjërë nga trojet e tyre etnike.
Libri hapet me një thënie të Popit të Kishës së Deçanit, në vitin 1890: “Ne nuk na rrezikon shqiptari që merr pushkën e lufton kundër nesh. Ne nuk na rrezikon shqiptari që e kryen një fakultet. Ne na rrezikon shqiptari që ndërton një kullë dhe siguron qëndrimin në vendlindje dhe mbijetesën. Shqiptari duhet me qenë si lepuri në therrë, gjithnjë i gatshëm për me ikë”. Të ndërtojmë kulla, mos të jemi si lepuri në therrë, të gatshëm për të ikë nga atdheu, të mos biem viktimë e lojës së vjetër e të re të “konspiracionit’, këshillon Sabri Maxhuni e kjo është thirrja - kredo e tij, kryemesazhi i librit.
Autori pohon me fakte e detaje të holla se “elaborati për shpërnguljen e shqiptarëve të Vasa Çubrilloviçit” është në vazhdën e Naçertania-s së Gadishullit dhe të një vargu programesh shovene serbo-sllave, thelbi i të cilave ishte dhe mbetet si tentativë diabolike, shfarosja masive e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore.
Maxhuni pohon me dhimbje të thellë, se ky mekanizëm djallëzor antishqiptar është vënë në veprim me ndihmën e vetë shqiptarëve, atyre plangprishësve e kullërrënuesve të etërve, që u thirrën nën “armë” nga klikat më të ndyra të pushtetit të Beogradit.
Me një stil të zhdërvjellët dhe agresiv, Sabri Maxhuni Novosella përshkruan me fakte e argumente të thella e të gjëra tre shpërngulet masive, më dramatike të shqiptarëve të Kosovës, peshën e atij kalvari të shumëfishtë që i shtynte dhe ende vazhdon t’i shtyjë ata drejt fatit të panjohur, duke lënë pas vendin e tyre, trojet dhe varret e të parëve.
Këto shpërngulje janë shpërngulja e viteve 1954-1955, shpërngulja e viteve 1981-1982 dhe e treta, shpërngulja që po ndodh tani, me një nxitim të frikshëm, në vitet 1914-1915.
Autori analizon rrethanat politike e më gjërë të këtyre shpërnguljeve, mekanizmat e vënë në veprim nga makina propoganidistike serbo-sllave për të nxitur këto shpëngulje, rënien e një pjese të politikanëve shqiptarë në kurthet e “konspiracionit” serbo-sllav, disa nga mosdija e ca të tjerë nga ofertat e këtij konspiracioni!
Gjithashtu, autori nënvizon dhe këmbënguljen perverse të qarqeve ultrashoviniste serbe për të parapërgatitur psikologjinë e shqiptarëve të Kosovës e më gjërë për këtë ikje pa fund, ikje zezonë, siç mund të thoshte shkrimtari i shquar Ismail Kadare, në të gjitha territoret e veta nën Serbo-Sllavi apo dhe në Kosovën e çliruar, të pas vitit 1999.
Është një ankth sindromik, një përbindsh në mendjet e tyre të deformuara nga presioni i “konspiracionit”, që iu thërret me një zë kukuvajke: “Ikni! Nga sytë këmbët ikni! Ikni dhe lini pas shkretim, as gurë, as themele, as kujtime, as varre”…
Ndodh që disa ngjarje në historinë e kombeve të kthehen në kode të zbërthimit të çdo enigme e misteri, që ende mbështjellin me një guckë të rreme kujtesën dhe gjurmët kolektive të etnisë e si të tilla ato shndërrohen në pika referimi, qoftë si shenjim lavdie e krenarie legjitime, qoftë si shenjime turpi e refuzimi. Por, përtej këtij konstatimi, ekziston një realitet paditës, i cili përsëritet në kohë, duke bërë që brezat të ecin në të njëjtat gjurmë, që na kanë çuar në prag të zgripit ekzistencial kombëtar. Enigmat ngrejnë kokë në penën maxhuniane, në rrekjen e tij diturore e kurajoze për të na dhënë një model të refuzimit të heshtjes, të refuzimit të përshtatjes me kauzat false dhe projektet mashtruese.
Pyetjet
ngrihen vrullshëm dhe marrin përgjigje në penën e mprehtë maxhuniane: Pse ne
shqiptarëve na ndodh të ecim dy e më shumë herë në të njëjtën rrugë të gabuar e
shpesh rrugë qorre, që s’të çon askund? Pse ky eksod masiv, gati biblik, që në
kohë të tjera ndodhte për shkak të genocidit sistematik mbi shqiptarët po ndodh
rishtas, tani kur Kosova është në liri dhe nën përkujdesjen euroatlantike?
Këto e pyetje të tjera, të drejtpërdrejta apo të nënkuptuara, sillen e përsillen në faqet e këtij libri, ku tentohet të preket “thembra e Akilit” të Kosovës së sotme. E kjo “thembër” ka të bëjë me faktin se shqiptarët e Kosovës janë ende nën presionin e fshehtë të “konspiracionit”, këtij përbindëshi me shumë kokë që ushqen me lëndë të parë pemën e hidhur të zhgënjimit dhe të mosmenaxhimit siç duhet të hapësirave të lirisë.
Siç dihet, pushtuesit serbo-sllav dëbimin e shqiptarëve e çrrënjosjen e tyre nga trojet e veta të lashta e shoqëronin me shpronësimin e tyre, që ata të mos mundnin të linin askund gjurmë mbi dhe, as nam e as nishan, siç thotë autori, në Kosovën arbnore. Fiksimi ogurzi i falangave të krimit e gjenocidit shtetëror ishte të sillnin kolonët nga trevat e ndryshme të Sebrisë, me qëllim që gradualisht por me këmbëngulje demoniake raca shqiptare të zhbëhej!
Sot shkruhet shumë për nevojën e bashkimit të shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar, por kjo nuk mund të bëhet me këtë dyndje masive të shqiptarëve nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia drejt Perëndimit, duke lënë tokat shkretë dhe arat pa punuar, duke lënë kullat e vjetra të stërgjyshërve t’i mbulojë bari dhe harrimi. Kjo nuk bëhet assesi me tambure ideologjike, siç bëri kryeministri i Shqipërisë londineze në Beograd, por me kurajën intelektuale të Sabri Maxhunit Novosella dhe të idealistëve e progresistëve ai ai, që dinë të depërtojnë në ato skuta ku derivati historik shqiptar ka pësuar lëkundje e, për pasojë, fati i shqiptarëve ka rrjedhë në “drejtimin e gabuar” dhe të japin prognoza për kurimin e plagëve.
Maxhuni, ky mendimtar i pjekur në përvojën e gjatë jetësore në shërbim të një kauze të shenjtë, ka guximin të prekë në thellësi të memories kolektive shqiptare dhe të nxjerrë që andej traumat e “konspiracionit”, atë valë dhune, genocidi dhe pashpirtësie të ngritur në sistem, që ka vënë në lëvizje makinën e kobit shqiptar, me anë të nxitjes, stimulimit, kushtëzimit dhe detyrimit për shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës e më gjërë.
Politika
shqiptare në truallin amë dhe tash së fundi në Kosovë nuk ka ditur kurrë dhe
nuk po di ende që ta lexojë drejt historinë dhe të mësojë prej saj rrugët ku
nuk duhet rishkelur, për të mos përsëritur të njëjtat gabime të paraardhësve.
Në këtë libër, Sabri Maxhuni Novosella, ky politolog shijehollë e mendjehapur ka qenë kaq i drejtpërdrejtë në përcjelljen e të vërtetave që burojnë nga një lexim aktiv i të ndodhurave të botës shqiptare, që shqiptarët të mësojnë nga humbjet e zhgënjimet e së kaluarës, nga shpërnguljet mitike të kohëve më të këqija për to, me qëllim që defektet të mos përsëriten dhe historia të mos vazhdojë në të njëjtën linjë traumash e pasojash kolektive.
E ndodhura për shqiptarët në gjithë shtrirjen e tyre hapësinore ka qenë dramatike dhe jo rrallë tragjike, po e mundura e ka sjellë gjithnjë kurajon për të mos iu nënshtruar asaj që shkruhej si fatale, për të mos iu dorëzuar represionit të humbjes së besimit, edhe pse rrthanat vepronin me forcë kundërshtuese. Nëse armiqtë serbo-grekë kanë sajuar për ne, ne nuk kemi nevojë të sajojmë, as të mistifikojmë, sepse ne jemi më të vjetër në trojet e Ballkanit, e kjo aspak nuk do thotë që të mos e zbulojmë historinë tonë, ta ballafqojmë atë në ndërveprimin ballkanik dhe përqasjet globale. Një nga devizat e Maxhunit, që përcillet dhe në këtë libër është se sa më shumë të njohim historinë tonë, aq më tepër do jemi në gjendje t’u kundërvihemi shpifjeve dhe intrigave konspirative, aq më shumë do të mundemi t’ia mbyllim “portat” “konspiracionit”!...
Libri “Zbatuesit e elaboratit të Çubrilloviqit”, ashtu si dhe librat e tjerë të Sabri Maxhunit Novosella, dallohet për një sintaksë të zhdërvjelltë dhe ton polemist shkrimor, për fjali konçize dhe ku kondensohet me pak fjalë një realitet i ngjeshur historik, politik dhe njerëezor, për informacion të freskët burimor dhe arkivor, me një aparat reflektiv e analitik të fortë, si një cilësi e spikatur e vepës së autorit, që po kontribuon fuqishëm në shkrimin e historisë së re të shqiptarëve në Gadishullin e vjetër…