| E marte, 04.08.2015, 06:32 PM |
Kënga e mirënjohjes
Tregim nga Bahri Myftari
Në qender
të qytetit, pranë shatërvanit të madh,mblidheshin dhjetëra të rinj dhe të
gjithë në pritje të ndonjë oferte për punë. Midis tyre, njëri veçohej; djalë
njëzet vjeçar, me trup mesatar, të lidhur shëndetshëm, me fytyrë të bukur,
shumë të bukur,por ai kurrë nuk e pranoi atë kompliment, madje, sa herë e
dëgjonte, skuqej deri në majë të veshëve, dhe, si për t’i vënë kornizën atyre
cilësive, shërbenin flokët bionde, të gjata, deri mbi supe. Për orë të tëra, e
shihje biondin të mbështetur mbi rrethimin prej betoni të shatërvanit,duke
vështruar ngultas ujin qelibar dhe ata peshqit e vegjël, si peshq
akuariumi..Zor të besohej se ai, humbte mendjen në ato dy pëllëmbë ujë dhe në
ata peshq të vegjël të shëmtuar, më zi se cironkat, kur djaloshi biond, kishte
lindur dhe ishte rritur buzë liqenit të Ohrit.Atëherë!?.. Ai kishte lënë atje,
në fshatin e tij të largët, në atë fshat të habitshëm, ndërtuar gjysmë mbi ujët
e liqenit dhe gjysmë mbi tokë, vajzën e tij, të dashurën, Elin. Kjo po, kjo e
justifikonte përhumbjen e biondit!. U bë mbi dy javë që po dergjej i lodhur dhe
i drobitur, në këtë vend, as mal, as fushë, këtu në mes të Ballkanit. Të ishte
për të, sikundër thoshte; halli, halli për ato pesë lekë të qelbura, se do të
ishte i lumtur atje buzë gjolit, qoftë edhe sikur të ushqehej një herë në ditë!
Megjithatë, nuk kishte mendje të tërhiqej. Këtë sakrificë e patën bërë më parë
edhe bashkëfshatarët e tij dhe s’kishin dalë keq. Vërtet, vjelja e qershive
ishte punë e rëndë, por cili po i trembej?. Biondi nuk ta mbushte syrin për
djalë pune, për fshatar dërdëng, i regjur dhe i tharë prej diellit dhe shiut.
Hijeshija dhe ëmbëlsia e tij, të jepnin përshtypjen e studentit, a të një djali
qyteti. Prapëseprapë, ai nuk tërhiqej. I qe betuar Elit se, edhe nën tokë do të
punone, mjafton të vinte lekë mënjanë. Përndryshe, dëshira për të shkuar në
Itali a më tej, do të qe e pamundur!. Ditë me radhë, nuk u pa në vendin e
zakonshëm. Të ishte thyer, t’ia kishte mbathur!? Të dielën e fundit të muajit,
biondi u pa përsëri në qytet, veç, këtë radhë, i shoqëruar me një fshatar
Puna për hapjen e pusit, nisi që të nesërmen. Si vend, u respektuan piketat e dy inxhinierëve. Toka ishte e butë. Punohej çdo ditë, deri në perëndim të diellit. Ndërkaq, biondi trajtohej si djalë shtëpie. E zonja e shtëpisë, për të lehtësuar veten, por dhe për t’u shërbyer më mirë burrave, kishte marrë me pagesë, një fqinjën e saj, një vajzë nja 17-18 vjeç. Kristina quhej, vinte e hollë nga shtati, por gjoksi i bëshëm dhe i kërcyer, e bënin mjaft ndjellëse. Ajo, që kur erdhi, u befasua nga bukuria dhe hijeshia e biondit, madje pak e turpëruar i tha se, ata flokë të gjatë e të verdhë, po t’i kishte ndonjë vajzë, patjetër që do të shpallej mis. Ky qe kulmi i guximit Në, vakte dreke, pas buke, biondi, pushonte. Kristina, i afrohej pa u ndjerë, i jeptë një të puthur në faqe apo në ballë dhe largohej. Fillimisht deri këtu, më pas, puthja shkoi për tek buzët, djali, gjithnjë, hiqej si në gjumë. Kur Kristina e urtë, ishte duke kryer ritin e përditshëm, pra, sapo vuri buzët e nxehta mbi ato të biondit, u dha e zonja e shtëpisë Nuk e qortoi vajzën po e mori mënjanë, duke i thënë se e pati kuptuar me kohë dashurinë e saj, i pati folur edhe biondit, që dhe ai, të lavdëroi po aq sa unë.. po, më dëgjo, ai e ka një vajzë, e ka një të dashur atje në vend të vet dhe i ka dhënë fjalën, ka dhënë besën, siç e quan, ai, njësoj, njësoj.. si edhe ne, bija ime..shumë raca të ndryshme na ka kjo botë, por ama edhe shumë gjëra të njëjta!. Kristina nuk ndërroi mendje, po edhe ai e la në qejf të saj.. Ndër ato ditë, një moshatar, një nga djemtë e shatrivanit, i solli një letër nga Eli. E dashura e kërkonte me urgjencë.. Duhet të shkosh, i tha pronari, pa tjetër që duhet të shkosh. Ne, shpresoj se jemi në fund, sipas parashikimit të inxhinierëve, s’duhet të gërmojmë më tepër se një metër.Unë do të pres,kam besim se do të kthehesh.! Biondi e siguroi..Në mëngjes, kur po përcillej me pronarin, ai, veç përqafimit, i dhuroi një orë te bukur e shumë të shrenjtë. E kisha taksur për nusen e tim biri, por ai, ai, qeshi, qeshi fort,…është martuar nja tri herë deri tani!. Dhuroja vajzës tënde, si e ka emrin?..Ëh, po, dhuroja Elit!
..Pas dy ditësh, në mesditë arriti në fshatin e tij, buzë liqenit. Nuk mundi ta takojë Elin deri fund të javës,. Vajza i tha se familja po i bënte presion, donin ta fejonin. Vetëm me peshqit në fund të gjolit, ua kishte prerë ajo. Kjo shprehje kobndjellëse, e frikshme, ishte marrë seriozisht prej tyre dhe e kishin mbyllur në shtëpi. Të më besosh, i tha ajo, të më besosh, po ikën vera, po unë s’e kam provuar ende freskinë e gjolit. Djali e shtrëngoi, e puthi, e puthi dhe i vuri në dorë orën e dhuruar për të, pastaj e mori atë dorë të vogël, elegante dhe e shtëngoi për minuta të tëra pranë zemrës. U vendos që djali të takonte vetë prindërit e Elit, por kjo nuk funksionoi.. Zgjati gati dy javë kjo përpjekje, por më kot. Ata nuk pranonin. Atëherë, biondi i kujtoi Elit, premtimin që i pati dhënë punëdhënësit,, premtim, që edhe kaq isht thyer goxha. Eli nuk e pengoi, madje me të qeshur i tha atë shprehjen që u pati futur tmerrin prindërve’… fundin e liqen…
…Mori rrugën e kthimit në mesnatë.Afër drekës, djali mbërriti në qytetin e madh të Selanikut. E pati vendosur, së bashku me Elin, që, edhe ata t’i bënin një dhuratë punëdhënësit. Djali shkoi në tregun e suvenirëve. Në një market, u befasua me çka gjeti. Gjeti një çakmak që këndonte! Po, po këndonte. Në të, ishte montuar mjeshtërisht e njëjta gjë si tek celularët. Djali po kënaqej. Sa e hapte çakmakun, dëgjohej refreni madhështor i këngës “O sole mio” kënduar nga Pavaroti. Nuk e zgjati. Ishte i bindur se do të bënte një dhuratë të paparë!. Udhëtoi përgjatë gjithë natës me trenin e linjës dhe, në orët e para të mëngjesit, arriti në fshat. Plot një muaj që ishte laguar, veç sepse ishte i bindur, se ata njerëz të mirë, s’do t’ia zinin për të madhe. I doli para Kristina. Ajo iu duk krejt e lodhur, e këputur..Diçka të keqe parandjeu dhe s’ishte gabur.. I zoti i shtëpisë nuk jetonte më!…Ai, ashtu, edhe i vetëm, nuk e kishte ndërprerë për as një ditë punën..pikërisht në një syresh, kishte ndodhur një shëmbje në thellësinë e hapur Nuk pati mundur të shpëtonte. Shembja qe fatale, qe vdekje.. Erdhi djali, i tha e zonja e shtëpisë, erdhi djali, ia bëmë të gjitha nderet dhe për të kryer merakun e të ndjerit, djali me dy shokë, e përfunduan punën tuaj…Ashtu, duke folur, i ishin afruar pusit..tani kanë nisur edhe të tjerë…Kristina nxori kovën prej pusi dhe i bëri shenjë djalit, nëse donte të freskohej…Djali pranoi Ndihej si më gjemba…Kisha besim se ti do të ktheheshe, dhe bëre mirë, foli prapë e zonja e shtëpisë. E mori djalin prej dore dhe u ngjitën tek Kodra e Plakut…shiko, tha, duke bërë me dorë drejt fshatit atje poshtë, kanë filluar të ankohen, kanë nisur të na mallkojnë si shtriga!…Kam shumë dëshirë, të vij verën tjetër, foli djali, dhe do të vij. Dua ta shoh atë gjelbërimin, atë jeshillëkun e tyre, të jetë ngjitur këtu lart…Kjo ishte edhe dëshira e atij qyqari, psherëtiu gruaja. Biondi ndihej i lodhur, i pagjumë. Pushoi dy-tri orë. Kur u ngrit, kërkoi dhe e mbushi vetë kovën në pus. U freskua mirë e mirë. Fillimisht, u përshëndet me të zonjën e shtëpisë, kur iu afrua Kristinës, i buzëqeshi dhe i qeshur i tha se, flokët e verdhë e të gjatë, ia kishte falur…Ajo s’e la të mbaronte fjalën, ashtu, krejt pa droje, e puthi në buzë….U nda me to. Kur doli në kthesë, iu kujtua çakmaku Jo, jo, ky nuk merret me vete.! Ky i takon të zotit të shtëpisë. I ra përqark asaj. Hapi çakmakun. Sakaq, u dëgjua refreni madhështor. E shrëngoi, e përkëdheli atë vegël të çuditshme dhe më pas, e fluturoi sipër, mbi çati. Kënga jehonte ende. Iu fiksua, apo thjesht, ishte forca e dëshirës se, atë këngë, do ta dëgjonte kudo e ngado, që të shkonte.