Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bllokohet hyrja, besimtarët kërkojnë ndërrimin e imamit

| E hene, 03.08.2015, 06:47 PM |


Bllokohet hyrja e BIK-ut, xhemati kërkon ndërrimin e imamit

Nga Anita Kadriu

Imami i zgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në xhaminë e re në lagjen “Dardania” në Gjilan, po refuzohet nga një pjesë e xhematit. Ata nuk duan që imami Shaban Murati t’iu prijë gjatë faljes së namazit.

Rreth 25 burra nga Gjilani që nga ora 10:15 e mëngjesit kanë bllokuar hyrje-daljen e BIK-ut në Prishtinë, duke kërkuar që të zbatohet kërkesa e tyre për ndërrimin e imamit si dhe kreu i kësaj bashkësisë fetare Naim Tërnava të përmbush premtimin e dhënë atyre muaj më parë se do t’ua plotësoj këtë kërkesë.

Nexhmedin Salihu, në emër të xhematit thotë për “Zërin” se kanë kërkuar që në këtë xhami të vendoset një imam që ka kryer Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë dhe jo në fakultetet e lindjes.

“Ata që kanë kryer fakultetet në Lindje janë identifikuar dhe kanë dëshmuar se janë ideator të nxitjes së shkuarjes në Siri”, thotë Salihu.

Salihu bënë të ditur se myftiu Tërnava më 19 mars i ka premtuar xhematit se do ta ndërrojë apo zëvendëson imamin e xhamisë aktuale me një imam tjetër, me orientim tjetër.

“Pra, me dikë që është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Islame këtu, në Prishtinë. Ky premtim nuk po përmbushet dhe nuk e di kur do të përmbushet”.

Si pasojë e mos përmbushjes së premtimit nga ana e Tërnavës, dhe mos kthimit sipas Salihut të asnjë përgjigje me shkrim nga BIK-u, xhemati është revoltuar.

Salihu thotë se reagimi i xhematit herën tjetër do të jetë në formë radikale, në qoftëse Bashkësia Islame vazhdon të injorojë kërkesën e tyre.

Hajriz Aliu, kryetar i këshillit të xhamisë në lagjen “Dardania”, thotë se ka qenë personalisht pjesë e takimit me Tërnavën dhe premtimeve që ai iu ka dhënë se më 20 prill, pastaj më 20 maj do të zëvendësoj imamin aktual, me imam tjetër.

“Madje i thamë se nuk duam imam me mjekër, por pa mjekër dhe na premtoi se do të realizojë këtë kërkesën tonë dhe do të bëhemi rehat me imamin e ri”, thotë ai.

Musa Kadriu, ish punëtor i BIK për 43 vjet dhe tani në pension, që po ashtu iu ka bashkangjitur grupit të xhematit të pakënaqur me imamin thotë se e njeh mirë funksionimin e punës në xhami, dhe sipas tij nuk mbahet mend të ketë ndodhur më parë diçka e tillë.

“Na u premtua se do të ndërrohet imami, madje dhe datën na dhanë më 20 prill, por nuk e kanë kryer këtë punë”, thotë ai për “Zërin”.

ZERI.INFO