Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Lepaja: Rilindja dhe "armiku i armikut"

| E shtune, 25.07.2015, 01:45 PM |


RILINDJA SHQIPTARE DHE “ARMIKU I ARMIKUT”

NGA FADIL LEPAJA

“Po punojmë për rilindjen e kulturës turke në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, tha së voni kryeministri turk Davutoglu, duke harruar t’u sqarojë shqiptarëve se çfarë është duke bërë lidhur me rilindjen e kulturës shqiptare në Turqi, ku jetojnë si pasojë e shpërnguljeve disa miliona pasardhës tashmë të asimiluar të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, të cilët kishin përfunduar atje në bazë të marrëveshjeve serbo-turke. Ndërkohë ata pak turq që jetojnë në Kosovë e Maqedoni gëzojnë liri të plotë në manifestimin e identitetit të tyre nacional e kulturor, deri në shkollimin e plotë në gjuhën e tyre. Por Kryeministri nuk e ka fjalën për këtë kulturë. Ai flet për kulturën që e sollën këndejpari me majën e shpatës në kohën e perandorisë dhe njëkohësisht flet për përpjekjet që kjo të shpallet si një ushtri çlirimtare me sulltanët, të cilët krejt ato fushata lufte në Ballkan i kishin filluar për të na çliruar nga Serbia mesjetare.

“Kosova është Turqi” pat klithur para pak vitesh, edhe ish-kryeministri Erdogan, mu në qendër të Prizrenit, të po atij Prizreni ku Lidhja Shqiptare antiosmane e kishte selinë e vet. Dy kryeministrat turq, ups shqiptarë, Rama dhe Thaçi, patën duartrokitur si pa të keq. Nejse, kryeministri Rama e pranon me raste se është shqiptar, por europian ama, ndërkohë që ish-kryeministri i Kosovës ka dilemat e veta. Kosovar apo shqiptar është ajo dilema e shpifur për t’u bërë qejfin ish-kolonizatorëve, për të ndërruar identitet vetëm për të na pranuar sërish në “gjirin e ngrohtë perandorak”, se dikush mendon se të kesh identitet është luks.

Kështu, pas pakënaqësive të opinionit kosovar, se përse nuk reaguan as Kryeministri i Shqipërisë e as ai i Kosovës, madje ata po duartrokisnin kësaj deklarate, Turqia pat kërkuar falje… nga Serbia. Sepse Serbia kishte reaguar zyrtarisht. Kjo garë serbo-turke se e kujt është Kosova, e cila mbështetet në tezën se njëra palë na paska çliruar nga tjetra, mohohet nga qarqet zyrtare turke edhe nga ato serbe.

Ndërkohë, Kryeministri shqiptar duke ndjekur një politikë europiane, asnjëherë nuk e tha se Kosova është Shqipëri. E zyrtarët çlirimtarë të Kosovës u kujdesën madje të bëjnë gjithçka, sidomos në rrafshin simbolik që në Kosovë të mos duket asnjë element shqiptar në jetën publike, për të mos hidhëruar Serbinë dhe Turqinë. Kjo shkoi aq larg sa nën presionin serb apo turk të mohohej dhe të rishikohej çdo pjesë e identitetit shqiptar e sidomos historia dhe kultura.

Ashtu sikurse Shqipëria, e cila dikur nga pafuqia e varfëria kishte rënë nën ndikimin ekonomik dhe politik grek, ashtu tash Kosovën e izoluar nga Perëndimi në njëlloj getoje, e kanë kapur në kthetra bizneset turke dhe ato joformale serbe, dhe tash po përflitet haptazi edhe plani turk për rikolonizimin e viseve shqiptare si pjesë e një plani më të gjerë për rikthim në Ballkan. Për telashet që i shkakton qasja mesjetare serbe as të mos flasim, sepse kjo po e mban peng jo vetëm funksionimin normal të institucioneve në Kosovë, por edhe vetë marrëdhëniet shqiptaro-serbe si kurrizi i një Ballkani euroatlantik.

Deklaratat e zotit Davutoglu, shpeshherë kanë shkaktuar shqetësim tek opinioni publik i vendeve ballkanike, sidomos me idenë e ripërtëritjes së ambicies për t’u rikthyer në ato vende, të cilat i kishte sunduar perandoria osmane. Neo-osmanozmi lidhet shpesh me idetë e tij, duke e konsideruar atë ideologun kryesor të kësaj fryme, e cila pretendon me u përhapë në formë të re përmes ekonomisë dhe kulturës atje ku dikur ishte përhapur me shpatë. Arma e fuqishme turke gjithnjë qëndron prapa këtyre deklaratave. Por, publikimi i tyre kaq hapur, pa i mbuluar me kurrfarë argumentesh përpos pohimeve të disa përkrahësve lokalë për “rolin çlirimtar të ndonjë sulltani, tregon se kjo nuk është vetëm një politikë kërcënuese për ish-vendet e pushtuara nga perandoria por ka një rol të rëndësishëm edhe në vetë argumentimin e brendshëm në Turqi, ku politika autoritare dhe jo-laike e Presidentit Erdogan po humb terren përballë forcave demokratike. Turqia demokratike gjithsesi ka filluar t’i thotë jo një ekspansionit turk, në emër të fesë dhe në emër të korporatave të pangopura turke, të cilat duke shfrytëzuar pushtetin e korruptuar i blen me gjysmë çmimi kompanitë më fitimprurëse të Kosovës dhe bëjnë presion të fuqishëm që të blejnë edhe të tjerat, çka kanë mbetur pa u gllabëruar. Atakimi i institucioneve laike është evident përmes financimeve në arsimin privat dhe organizata kulturore, së fundmi edhe politike, ku fëmijët indoktrinohen kryesisht me koncepcione politike e fetare që mund të përmblidhen në një neo-osmanizëm të mbuluar.

Se krimet serbe, sidomos në Bosnjë, por edhe në Kosovë, po (keq)përdoren për të harruar krimet e dikurshme të perandorisë, kjo tashmë është bërë krejtësisht e dukshme. Rilindjes europiane të shqiptarëve i del në rrugë rilindja neo-osmaniste, e cila përpos se do të mbyllë për një kohë të gjatë dyert e Europës për Turqinë, do të bllokojë edhe “aleatët” e kësaj rilindjeje neo-perandorake, e cila përkundër fuqisë së padiskutueshme ekonomike dhe ushtarake, sërish po detektohet si rrezik për qytetërimin europian dhe si e tillë do të ndalet në dyert e Europës, derisa Turqia vet të europianizohet dhe të demokratizohet…

Logjika e çlirimtarëve, të cilët në vend të lirisë të ofrojnë rikolonizim dhe mohim të identitetit qytetërues të popujve është perandorake dhe gjithsesi antidemokratike dhe në këtë kontekst përpjekjet neo-osmaniste drejtpërdrejt e sabotojnë rrugën europiane të shqiptarëve, duke ofruar një koniunkturë krejtësisht të paperspektivë dhe turbulente dhe duke na rreshtuar sërish në anën humbëse të historisë, duke na futur në konflikte, të cilat nuk janë tonat.

Rilindja shqiptare, e cila synon pajtimin me fqinjët dhe integrimet euroatlantike pa dyshim se në rrugën e vet të suksesit dhe të faktorizimit të pashmangshëm në rajon, duhet të ballafaqohet me një formulë të vjetër se “Armiku i armikut tim është miku im”. Serbia dhe Turqia kanë shumë armiq dhe pak miq, por miqtë tanë mund të jenë vetëm Serbia dhe Turqia demokratike, dhe jo ato me ambicie pushtuese, apo kolonizuese, pavarësisht se me çfarë petku i veshin. Serbia dhe Turqia, me ide neo-perandorake, qoftë ruse apo osmaniste, por për rilindjen shqiptare janë njësoj në hartën gjeopolitike të Ballkanit, janë pengesë në rrugën tonë europiane. Vetëm Serbia dhe Turqia demokratike janë miqtë dhe aleatët tanë në rrugën e rindërtimit të kësaj pjese të Europës, e cila vazhdimisht synohej të kontrollohej nga kushdo që synonte ekspansion drejt kontinentit tonë.

Rilindja e kulturës turke në Ballkan, gjithsesi do të varet nga qasja e Turqisë zyrtare ndaj popujve të Ballkanit. Sot nuk mund të pushtosh pa u pushtuar dhe Davutoglu do të bënte mirë që rilindjen e kulturës turke ndër shqiptarët ta fillojë me shkollimin në gjuhën shqipe në Turqi, duke hapur një universitet, shkolla dhe shumë biblioteka e qendra kulturore shqiptare në Turqi, pa frikë nga pushtimi shqiptar. Vetëm kështu mund të bindë shqiptarët për një raport civilizues me interes reciprok.

Se shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se formula “armiku i armikut tim është miku im” nuk është modeli që duhet ndjekur. Janë me rëndësi edhe motivet dhe qëllimet!

gazeta-shqip.com