Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Delvina Kërluku: AShAM kërkon fars në gjuhën maqedone

| E merkure, 22.07.2015, 08:22 PM |


AShAM KËRKON FARS NË GJUHËN MAQEDONASE

Shkruan: Mr. Delvina KËRLUKU

Jo vetëm besimtarët dhe ata që praktikojnë kërkesat e fesë islame, por edhe populli, bile do shtoja, edhe një numër bukur i madh jomyslimanësh, e dinë se namazi dhe lutjet e tij, bëhen në gjuhën arabe. Kjo traditë shekullore tani më ka zënë rrënjë te praktikuesit e fesë, dhe nuk u shkakton vështirësi. E drejta, kohëve të fundit, janë përkthyer shumë lutje rasti edhe në gjuhën shqipe dhe imamët tanë po i lexojnë në këtë gjuhë. Por, ka edhe disa imamë, të cilëve u ka mbetur ora 1500 vjet prapa dhe nuk duan të kyçen në këtë trend të dobishëm për gjuhën dhe kulturën tonë. Këtu është e tepërt të thuhet se tani më në gjuhën shqipe kemi dhjetëra përkthime të Kur’anit famëlartë prej disa autorëve të të gjitha gjeneratave duke filluar nga Ilo Mitkë Qafëzezi e deri te studentët shqiptarë që studiojnë teologjinë islame apo gjuhën arabe. Siç thamë më lartë falja bëhet në gjuhën arabe dhe unë nuk jam e kualifikuar apo aq e informuar në këtë fushë sa të merrem me temën: Përse i gjithë procesi nuk zhvillohet në gjuhën shqipe. Fakti që vendosa të prek një segment të saj, ishte tryeza e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ku për temë shqyrtimi kishin marrë problematikat e popullatës myslimane në Maqedoni, e cila, sipas tyre, flet gjuhën maqedonase dhe duhet të jetë e kombësisë maqedonase. Kjo popullatë te ne shqiptarët njihet me termin Torbeshë, siç e quajnë veten edhe vetë ata. Por kjo popullatë kohëve të fundit po i trondit qarqet shoviniste maqedonase, meqë ka filluar të deklarohen shqiptarë dhe fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla shqipe. Gjithnjë e më shumë fëmijët e tyre i pagëzojnë me emra të pastër shqiptar: Agim, Bekim, Fitim, Ylber, Krenar etj. Mbase mendojnë se i kthehen origjinës. Çështja e këtij komuniteti ka qenë prezente, bile shumë e theksuar edhe në kohën e monizmit, kur këta u pagëzuan nga pushteti  si maqedonas myslimanë, emërtim të cilin shumica syresh nuk e pranoi as atëherë as sot. Trysnitë kanë qenë të ndryshme, duke arrirë deri tek qëndrimi absurd, të cilin e shpalosi në këtë tubim të AshAM - it, kryetarja e Komisionit të çështjeve të kultit në Maqedoni, Valentina Bozhinoska, kur kërkuoi që ata ritet e tyre fetare t’i zhvillojnë në gjuhën maqedonase. Këso imponimesh s’ishte parë e dëgjuar deri sot. Dhe ne nuk çuditemi me qëndrimin e kësaj zonje, pasi qëndrime të tilla ka shpalosur edhe më parë për çështje që u dedikoheshin edhe shqiptarëve.  Ne kemi pritur një reagim më të prerë e më të ashpër të BFIM dhe vetë komunitetit torbesh, por pse jo edhe nga partitë politike shqiptare, pasi është fakt se në gjirin e tyre ka shumë anëtarë të kësaj popullate.

Lexuesve u kërkoj falje që bëra një hyrje kaq të gjatë për të shtruar një pyetje të shkurtë: Po si nuk u bë e gjallë kjo Akademi dhe të organizoj një tubim shkencor për shqiptarët ortodoksë në Maqedoni?  Vallë, a nuk janë banorë të këtij shteti edhe ata? Në këtë fazë të rilindjes së tyre, atyre u duhet përkrahje. Mos vallë AShAM bëhet një me pushtetin, i cili jo vetëm që nuk ua shtrinë dorën të dalin nga gremina ku i ka hedhur ai vetë, duke ua mohuar përkatësinë etnike të vërtetë dhe në vend të saj t’u imponojë përkatësi etnike të rreme? Më në fund, përse nuk kërkojnë prej saj ta shtrojë njëherë në rend dite këtë problematikë. Kërkesën mund ta bëjë opinioni, anëtarët (shqiptarë) të saj, por edhe qeveria, e cila e financon punën e saj. Përse?

Po Bozhinovska (me shokë shqiptarë) në Komisionin Republikan të lartpërmendur çfarë ka bërë lidhur me kërkesën e shqiptarëve ortodoksë për të pasur kishë të tyren, apo filiale (nëse e lejojnë kanunet) të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Maqedoni? Ajo kërkon rite në gjuhën maqedonase për torbeshët, kurse shqiptarëve ua ndalon edhe hyrjen në kishën e tyre, që s’e kanë. O Zot, zgjoji shqiptarët nga gjumi letargjik, bashkë me partitë e tyre!

Autorja është kryetarja e parë e Shoqatës Josif Bageri