Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Katandisja e vlerave demokratike në LDK!

| E enjte, 09.07.2015, 07:26 PM |


Katandisja e vlerave demokratike në LDK!

Shkruan Florim Zeqa

Thonë fjala e nxjerrë fjalën, llafi e nxjerrë llafin, shkrimi i paraprinë shkrimit,...kështu nganjëherë edhe pa dashjen tonë, krejt spontanisht detyrohemi të reagojmë ndaj zhvillimeve në skenën politike kosovare.

Elektorati i LDK-së dhe qytetarët e Kosovës mbrenda 40 ditëve patën rastin të shofin apo ndëgjojnë për dy premiera të pakëndshme në subjektin simbol të demokracisë në vendin tonë.

Pas Kuvendit të VIII-të zgjedhor të LDK-së, ishte mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm e këtij subjekti (me 6 Qershor) që nxori në sipërfaqe katandisjen demokratike dhe largimin nga vlerat sublime (rugoviane) të këtij subjekti politik.

Pas zgjedhjes antidemokratike (me aklamacion) të liderit të partisë me 31 Maj, e njëjta gjë u përserit edhe me 6 Qershor të të njëtit vit, me zgjedhjen poashtu me aklamacion të Kryesisë qendrore të këtij subjekti,...në fakt u rizgjodhën të njëjtit me propozimin e liderit, me pak ndryshime kozmetike, do të thoja  të papërfillshme sa i përket përmbajtjes substanciale në kreun e këtij subjekti politik.

Ashtu sikurse në Kuvendin e VIII-të zgjedhor, edhe në KP u pamundësua debati, u anashkalua mënyra demokratike (votimi i fshehtë) e zgjedhjes së organeve drejtuese, duke e ngulfatur për të dytën herë vullnetin e lirë nga baza elektorale.

Kështu nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, madje as në vitet e '90-ta, në rrethanat e okupimit klasik, kur kryesia e partisë gjithmonë zgjidhej përmes votimit të fshehtë e jo me aklamacion sipas diktatit të liderit.

Në rrethanat e krijuara në këtë subjek, befasi nuk është zgjedhja e liderit, as zgjedhja e kryesisë,...për mua befasi paraqet nënshtrimi para diktatit të liderit i disa prej figurave markante të këtij subjekti, që deri para zgjedhjeve të fundit partiake llogariteshin kandidat potencial për ndryshimeve pozitive në këtë subjekt,...të cilët në vazhdimësi përmes prononcimeve publike dhe para elektoratit promovonin idenë e ndryshimeve substanciale dhe idenë e trashëgimisë së vlerave rugoviane në këtë subjekt.

Ngritja e dorës dy herë radhazi mbrenda 40 ditëve për mosndryshime, për vazhdimësinë e mënyrës diktatoriale të udhëheqjes së partisë është mesazhi më keq rrethë të ardhmës politike të këtij subjekti politik.

Delegatët me ngritjen e duarëve dhe pozicionin nënshtrues para liderit, me (pa) dashjen e tyre i kanë shkaktuar goditjen me të rëndë subjektit të tyre se sa vet zgjedhja e Isa Mustafës në kreun e partisë.

Ska si të jetë ndryshe, kur delegatët zgjodhën indiferencën në vend të reagimit me rastin e rizgjedhjes antidemokratike të liderit me 31 Maj, heshtën injorimin e delegatëve të ardhur nga Diaspora që mbetën prapa dyerëve të kuvendit,...ngjajshëm heshtën me mosmbështetjen e kandidaturës së Vjosa Osmanit, femrës më të votuar në Kosovë në zgjedhjete e fundit nacionale, qendruan indiferent edhe me rastin e largimit të saj nga kuvendi,...përderisa në KP të LDK-së pranuan injorimin e skajshëm të saj me moszgjedhjen në kryesinë e partisë !

Nëse ndokush kësaj mund t'i thotë demokraci, atëherë le të më tregoj çfarë është dhe çka tjetër i mungon dikturës komuniste të instaluar në subjektin simbol të demokracisë në vend.

Jam tepër kurioz ta dij, se në ç'mënyrë mendojnë ta reformojnë partinë e tyre pas katër viteve, ata që dy herë radhazi ngritën duart lartë për vazhdimin e STATUS QUOS politike në këtë subjekt !

Kështu përfundimisht mund të themi se elektorati i LDK-së i ka humbur shpresat për ndryshime në këtë subjekt. Më lehtë e kanë të besojnë në fundin e botës se sa në ndryshimet në subjektin e uzurpuar dhe ngulfatur pamëshirshëm nga mbeturinat komuniste, grupet e interesit dhe vartësit e tyre morbid.

Thënë ndryshe, rezultati i "reformave" të Isa Mustafës është ky; instalimi i kërcënimit si mjet i dhunës dhe shantazhit politik ndaj aktivistëve dhe gazetarëve, presionet ndaj delegatëve përmes këmbimit të votës me vende pune dhe forma tjera të presionit psikologjik !

LDK-ja rugoviane, nga një parti të besës dhe shpresës së qytetarëve të Kosovës është  shëndrruar në Lidhje Diktatoriale të Kosovës dhe vartëse e partisë rivale në pushtet (bashkqeverisje).

Ky përkufizim, nuk është i ashpër as ofendues për LDK-në, është shprehje reale e gjendjes pas zgjedhjeve partiake në këtë subjekt.

Megjithatë ky nuk është fundi i botës, por katandisje e vlerave demokratike në LDK !