| E diele, 05.07.2015, 05:53 PM |
A KA LUFTË TURISTIKE?
NGA REXHEP SHAHU
Tmerri i maskave ndikoi në pakësimin e turistëve që vinin nga Kosova dhe përtej saj për në Shqipëri.
Një çetë kriminelësh, që nuk e fshehin dot asnjëherë krimin e bërë, ranë në duart e policisë. Dhe atë kohë gjykata e Kukësit, që habiti shumë njerëz dhe gëzoi më shumë të tjerë, i dënoi 5 individë kriminelë me 100 vjet burg.
Pse dilnin maskat në udhë dhe bënin terror?
Nga hetimi dhe gjykimi doli se maskat ishin të paguara nga shoqëri turistike të vendeve fqinje që të shkaktonin panik e pasiguri për turistët në Shqipëri...
Mu kujtua kjo histori kur po shoh kaq shumë gishta akuze drejtuar Dukagjinit me ia nxjerrë sytë e ballit, kur po shoh kaq shumë qytetërë gjyqtarë, prokurorë, kaq shumë shpata e shigjeta helmi, kaq shumë gojë të mbushura me gëlbazë me ia hedhë në fytyrë Dukagjinit.
Dukagjin jemi të gjithë shqiptarët, turistë çeke jemi të gjithë shqiptarët.
Kor i madh vajtuesish të acaruar që heqin shaminë e mallkojnë Dukagjinin, pretenca kaq të flakta e të zjarrta popullore, pse nuk shfaqen nëpër televizione e në rrjete sociale kaq të nxehta e përvëluese kur shqiptarët vrasin shqiptarë siç ndodhi në Lazarat apo në Mallakastër këto ditë, por arrijnë pikë vlimi kur shqiptarët vrasin turistë të huaj? A vetëm në Dukagjin? A vetëm vrasja e të huajve është vrasje e krim dhe vrasja e vëllait është trimëri… Një shtirje kolektive, një alarm jo i ndershëm kolektiv, një guxim me u bë prokurorë e gjykatës nga i pari tek i fundit… Profanë përfektë.
Nuk mund t'ia heqë dot askush kurrë bukurinë natyrore e shpirtërore Dukagjinit e as Shqipërisë, sado qeveri të keqe radhe të ketë Shqipëria, sado që qeveriset nga pionerë dhe anonimë teksa të diturit, profesorët, doktorët e njerzit me emër e reputacion, qeveria i mban në karantinë sepse nuk përballet dot me ta dhe ndjehet inferior para tyre kryeministri i radhës apo lideri i radhës.