Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Kur u "thërmua" shteti...

| E diele, 05.07.2015, 03:11 PM |


Kur u "thërmua" shteti...

"Puthje e pamundur", roman i Kristaq Turtullit

(ese)

Nga Përparim Hysi

Sapo përfundova romanin e Kristaq Turtullit "Puthje e pamundur" dhe nuk mund të rri pa thënë qoftë dhe dy fjalë për të.

Kristaq Turtulli nuk është i ri në fushën e letërsisë. E ka filluar debutimin qysh nga vitet '80-të dhe, prej atëhere, vazhdon të shkruajë. Si shkrimtar e poet, ke se ç'thuaj për të. Së pari, është krijues disaplanesh: shkruan prozë, poezi, letërsi për fëmijë. ka qenë dhe gazetar, por dhe piktor. Jo vetëm kaq, Kristaq Turtulli, shkruan ese dhe artikuj kritikë me shumë bukë.

Ajo që të bie në sy në krijimtarinë e tij disaplanesh, është fakti shumë domethënës: ai duke shkruar në gjithë gjinitë letrare veçohet në trajtimin e romanit. Nga 16 vepra letrare të shkruara nga Kristaq Turtulli, 10 syresh janë romane, katër janë novela dhe dy me tregime për fëmijë. Parë nga ky trajtim romanesh, unë ia kam ndërruar mbiemrin nga Turtulli në Romani. Po të shprehesha me gjuhë" militare", do të thosha që Turtulli ka si "armë letrare" artilerinë e rëndë. Por, tek shkruaj kështu, nuk kam se si mos vë theksin tek predispozita që ka ai për të shkruar për fëmijtë. Të shkruash për fëmijtë nuk është fare lehtë. Se fëmijët janë më "qibarë" se sa lexuesit e mëdhenj dhe, sado që objekt i shkrimit tim është "Puthje e pamundur", s'kam si  i mohoj këtë plus me yll në biografinë letrare. Tek mendoj "Aventurat e Arushit Topik" apo "Zogjtë", shkruar enkas për fëmijë, dua të bëjë  një analogji të përafërt. Engelsi thotë diku për veterinerët: "... janë më të zotë se mjekët humanë. Se, ndërsa mjekët humanë e pyesin pacientin se përse shqetësohet, veterinerët do operojnë me dijet e tyre.". Kështu është dhe puna e shkrimtarëve që shkruajnë  për fëmijë. Kristaq Turtulli duke shkruar për fëmijë, siç gjykoj unë, ka  patur një mjeshtër si busull orientuese. Ky (nuk besoj se gabohem), është Petraq Zoto që për mendimin tim është një nga prozatorët me emër që ka letërsia jonë. Jo vetëm një autor i dashur për fëmijtë, por nga ata që rrinë në Tribunën qëndrore, nëse flitet për hierarki vlerash letrare.

*     *     *

Nuk  është herë e parë që shkruaj për Kristaq Romanin. E kam bërë me rencencat e mia dhe për romanet "Dëgjo, Floriri im","Në trenin e linjs 16", për "Syrin e  Ritës" dhe, në mos gaboj, për "Tulipani i Koresë". Që të gjithë, ç'citoj më lart, pa u njohur fare me  Kristaqin. Më kanë pëlqyer, pasi  i kam lexuar, dhe kam dhënë mendimet e mia.

Para dy javësh, për së pari, u takuam veç për një kafe "njohje" dhe më dha disa nga librat e tij. Lexova "Puthje e pamundur" dhe, në trysninë e këtij leximi, po mundohem që të them dy fjalë për të.

Tanimë, pasi lexoj një libër që më lë mbresa, e kam bërë si zakon që të them mendimet e mia  për të. Tek shkruaj, nuk kam se si mos bëj apel për të gjithë krijuesit që, pasi shkëmbejnë një libër me cilindo koleg apo kolege, nuk thonë qoftë dhe një fjalë me shkrim. Atmosfera në botë është bërë polare dhe ca, më polare, bëhet atëherë kur ty një  koleg  a kolege të jepë një libër dhe ti, në vend të shprehesh për të, i jep një falnderim "kortezie" dhe më tej: as i zi dhe as i bardhë. Krijuesit në Shqipëri, sidomos në vitet e demokarcisë, kanë katandisur si ai hoxha i Gosës në tegimin tim "Kthehu, ha fiq, se më rreh baba!!!". Botojnë me xhepin e tyre. Dhurojnë me altruizmin e tyre dhe, me gjithë këtë sakrifcë (heroike, do të thosha), as nga kolegët nuk marrin qoftë dhe një tunjatjeta! Si punë e asaj thënies: më rrove, të rrova dhe brisku i berberit. Ky qëndrim ( që ndodhë vetëm brenda hartës së Shqipërisë) është sa trishtues dhe aq vajtues. Askush nuk të jepë as pesë lekë të vjetra jo më për një vjershë apo tregim. Për këtë jo se jo, por qoftë dhe një korpus vëllimesh. Kur shkruaj kështu, s'kam se si mohoj faktin që më shkuli me telefon një mik krijues nga Vlora që më thoshte:- Shiko tek ajo kioska përballë sahatit seç del një periodik ku është dhe vjersha ime. Ma bli atë. E nderova mikun dhe vajta e bleva. Miku kish një vjershë atje dhe, në vend botuesi t'ia jepte pa lekë, kërkonte 500 lekë të reja.Pra, miku im,autor shumë i mirë, bëri as më shumë dhe as më pak,por si një personazh tjetër imi,që bleu gomarin e tij. Dhe kjo ndodh vetëm tani, se në kohën e diktaturës kushdo që shkruante paguhej me lekë të thata në dorë. Por botuesit në Shqipëri, kanë gjetur shtëpinë e priftit. Ata rrojnë e bëjnë pallë dhe, ndërsa krijuesit, janë veç raja. Më keq se kaq nuk ka se ku shkon. Po a do marri fund ky"allishverish" kaq i shëmtuar?!!!

*    *    *

Në qendër të romanit "Puthje e pamundur" janë vënë ndodhitë e atij viti të mbrapshtë 1997. Ky vit, ndryshe nga gjithë vitet kalendarikë, ka qenë për Shqipërinë pa pranverë. Unë nuk e quaj dot "pranverë e hidhur", po nuk e teproj, po të them: ka qenë  S H Ë N D R E! Ka qenë  një shëndre i hidhur. Turtulli nuk është se i kalon përciptas ngjarjet, por duhet thënë me plot gojë: viti 1997 ka qenë viti i një lufte civile në vendin tonë. Një luftë, me të gjitha llojet armëve, dhe,ç'është për të vënë kujen (autori e thekosn në roman), është fakti shumë domethënës: ne, si komb, kemi një kujtesë prej peshku. Harrojmë shpejt.

Nuk ka më  keq se amullia dhe anarshia. Kjo amulli që shpuri në demilitarizimin e ushtrisë dhe në armamtosjen e turmave. Filloi përplasja e madhe: një palë kundër palës tjetër dhe ca më keq: një krahinë kundrë tjetrës. Lufta civile,- thotë Hygoi,- është ulçera që bren një komb.  Në vitin 1997 Shqipëria e pësoi më keq. Turmat si turmat e kthyen vendin në një kaos të vërtetë. Shkaktarët as që pësuan gjë.Nuk u hyri qoftë dhe një gjëmb në këmbë.  Unë kur flas për turmat kam thënë: " Pse fjala turma, bën rimë me zhurma dhe asonancë me rruga?!!. Faslli Haliti është dhe më i drejtpërdrejtë:

"Turmat i ngrenë/populli ngrihet vet/." Të gjitha këto asociacione në rrafsh horizontal i gjen dhe tek romani "Puthje e pamundur". Tek e lexoj romanin dhe kur shoh se si lëvizin njerëz të tramaksur, të armatosur, me maska e pa maska; të gjatë apo të shkurtër, të dehur dhe esull; njerëz të  moshave  të ndryshme; të porfesioneve të ndryshme që rendin si një anije pa busull, tak dhe mendja më shkon tek shtetarët dhe pushtetartë; partiakëve të të gjithë ngjyrave që ngritën turmat dhe i ndërsyen një palë kundër palës tjetër. Nëpër faqet e romanit fare mirë mund të dallosh ata që e çuan vendin në "theqafe" , kur thoshte Migjeni. E kam përjetuar këtë "Shënndre të zi" të vitit 1997. Dhe kurrë nuk ua fal atyre që kthyen mesjetën në Shqipëri. Ata që sollën "të huajtë" për të na gjykuar dhe për të vendosur paqen "mesvedi". Nuk ka gjë më të turpshme, kur pse grindesh me tëndët, merr dikë që të pajtojë. Më kujtohen vargjet e Mjedës:"... vjen njeri i huej dhe ju rri në votër... dhe, për mos vazhduar më tek me  gjithë kontanicionin pak jashtëkohe.Mund të thonë: jo janë të tjerë këta që vijnë tani!

Një shtëpi e mirë dhe e shëndoshë, i zgjidh brendapërbrenda hallet që ka. Në ndodhtë, siç ka ndodhur, duam nuk duam, nuk mund të flitet as për vend normal dhe, ca më shumë shtet normal.

Duke qenë vëzhgues skruppuloz i këtyre ngjarjeve,autori është aq i revolutuar dhe  i stresuar, sa bënë një hap "pindarik". Gjithçka në Shqipëri është trishtuese sa dhe  dashuria kthehet në një "trëndafil që nuk çel më për ne". Me "Puthje e pamundur" ai ka dhënë mesazhin e madh: çod gjë e bukur është vrarë.Edhe puthjet, edhe dashuria.

Seç më kujton një roman,që, në mos gaboj, titullohej "Do të dashurohemi nesër!". Pra, e nesërmja do të jetë për puthje,edhe  për dashuri. Skenat me plakun që u var, me plakën që nuk ka ku të plqeërojë; me vejushën si linjë e hollë, me zgjidhjen që u  jep autori, janë shumë domethënëse. Ai e shikon se në vitin e mbrapshtë 1997 tek shqiptarët "ulçera u ka shkuar në tru". Ulçera në tru,- thotë  Xhojsi,- shkon atëherë kur individi e ka humbur arsyen. Akuza e Turtullit shkon aty ku duhet. Po vallë, pse e kemi harruar këtë katrahurë kaq tragjike? Po shkaktarët pse i përkëdhelim sikur të  jenë "mite të paprekshme?!". Tek "Puthje e pamundur", "vrasësit" janë midis nesh. Ca më tutje: në hierarki të politikës e të pushtetit. Dhe tek e mbaroj, nuk kam se si mos sjell si të gjallë, Malombrën,atë personazhin tani mitik të të ndjerit, Petro Marko që tek "Qyteti i fiundit", lëshon batutën:- Povera noi!. Mjerë në për kujtesën prej peshku. Rrofsh, Kristaq ROMANI që heq "skoriet" nga kujtesa.