Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Namik Selmani: Feniksi i Gostivarit

| E shtune, 04.07.2015, 03:00 PM |


Namik Selmani

 

Poezi kushtuar Sadulla Zendeli-Dajës në mërgim

 

FENIKSI I GOSTIVARIT

(Kushtuar Dajës me origjinë nga Sërmnova e Gostivarit,

që prej 50 vitesh kontribuon në Suedi për kullturën kombëtare)

 

Kur dimrat suedeze hedhin stinëve shall dëbore

Blerimi i syve të ty më sjell kudo katër pranvera

Qofsh dritë e re, profesor, mes dritash madhështore!

Që të rizgjojmë së bashku mençurinë në breza.

 

Ta duam kalërimin në lëndinat arbërore të Vatrsë

Aty ku kujtesa për ty është pragu që kurrë s’kallet.

Të jemi farkatarë për gazin e truallit të lashtë të Bacës

Të jemi maratonomakë që s’kanë stacion ku të ndalen.

 

Të vjen aty Gostivari ku dhe druri i Sharrit kthehet në penë

E dielli i Pollogut të vjen si të ishte zjarr Prometeu

Fisnik të duan, ku fjalëshqipja kthehet në legjendë

Ku djepi arbëror na kujton një qiell të dashur atdheu.

 

Aty qofsh një lule Gostivari në një vazo shqiptarie

Librat rradhiti si uratat e ngrohta dhe ëmbëltore të nënës

Hej, o fisnik i ushqyer në një vatër dhimbjesh e kopësht lirie

Të duam si pjesa më e bukur filizore e ëndrrës.

 

Kur dimrat suedezë nxjerrin nga mot dhëmbët e bardhë

Zgjohet një pranverë shkronjash shqiptarie si ortek me lule

Aty, lumturia jonë ndalet, skuqet e hedh bukurisht spirancë

Ylberet e mençurisë të së ardhmes na bien të gjithë ndër supe.

 

 

RRUGËTIMI I SHKRONJËS SHQIPE NË TROJET NORDIKE

 

Në botën nordike

Ke marrë me vete një gur çajupian me aromë malli

Shkronjëshqipen

E ke marrë si mike në rrugëtimet me tis mjegulle.

Gjuhët  e shumta

Mund t’i përkthesh në fjalorë e në ekrane celulari.

Po Gostivarin

Nuk e gjen në asnjë vend, qoftë dhe në palët e reve.

 

Ballë botës

Dukesh si gjethe  e vogël e pemishtes së stërmadhe

Në pasaportë

ke dhjetra vulla, firma të marra në doganat me drita

Kur nisesh nga Pollogu

Të mjafton një bekim pragu e një frymë flladi.

Të ngroh

 

Pikëlotin e kurbetqarit që kërkon të ta thajë ngrica.

Je shtruar

Në sa e sa bankete me dritë verbuese në llampadarë

Pjatat

E gjellës janë ndërruar si stacionet me zhurmë.

Po fjalëshqipja

Të ka ardhur si shami e ylberuar me margaritarë.

 

Nuk e ndërron

As me thesarët që një ditë mund të të vënë nën gjunjë.

Mijëra këngë të vijnë e të ikin në buzë si zogjtë

Në çerdhen më të re. Të bëjnë të dehesh

Nga tingujt që hapen si pëlhurë merimange

Veç kurrë s’e harron këngëninullën në djep

Nuk e ndërron

As me orkestrat më të çuditshme që ka Bota e Madhe!

 

 

LUM E LUM PËR DAJË MENTARIN!

(Urim poetik me rastin e 80-vjetorit të lindjes së rilindasit

të përjetshëm Sandulla Zendeli  Daja me banim në Suedi)

 

Lum po bëjnë krojet e Sharrit

Që dëgjojnë zërin e djalit

Jetë e tij gjerdan gëzimi.

 

Sot rizgjojet tek urimi,

E rizgjoka Gostivari,

Ia kthen ison dhe Korabi.

E përcjell kudo Sërmnova.

Lum Kërçova, lum Tetova.

Lum Tirana, Kumanova,

Po gëzojnë trojet tona.

Lum po thoka Çamëria

 

Shumë gaz ka Ilirida,

Nëpër rrugët që ka bota.

Fjalë e tij fort po rrezoka

Si piskamë që vjen nga mali

Fjalë e tij gjëmim tupani

 

Mos harroni Arbërinë

Mos harroni shqiptarinë!

Fjalë e tij si mjaltë i bjeshkës

I jep dritën së vërtetës.

 

Lum kjo Tokë që ka lindur burra

Vepra e Dajës sa shtatë gurra.

Rrezaton në breza, vite

Na jep dallgë krenarie

 

Lum me lum që pranë e kemi

Na jep dritë e gaz kuvendi.

Zgjojmë kujtimet vit pas viti

Dhe në shkëmb e zgjohet filizin.

 

Për këtë Dajë me sy si dritë

Lum e lum kjo shqiptari!

Vepra  e tij si hark ylberi

Lum si ne që pranë  e kemi

 

Fjalë  e tij për sot e mot

Shtigje udhe na ndriçon

Fjalë e tij si shufër ari

E përcillka Gostivari.

 

 

NOSTALGJI PËR ARDHMËRI

(Dajës, duke lexuar librin “Rizgjimi i Arbërisë”)

 

E dimë miku ynë,

Një nostalgji  e madhe të ka zënë si një çark i ëmbël.

Në të

Të vjen Vardari e Sërmnova me trëndafilë e livadhe bjeshke

E thinjat e tua

I merr si kolopuçë  jeta që sot të duket si një ëndërr

E fjala e vargut

Bëhet Portë ku hyjnë e dalin kujtimet e freskëta.

 

E Balltiku

Le të heshtë me simfoninë e valëve dritërrëzëllitëse

Atje,

Mes librash ti nuk je si Fausti i Gëtes  në përrallë,

Ti je mes nesh,

Me duart e lavërtarit mbjell filizë shqiptarie.

Ti je Monumenti ynë

I punës i ndershmërisë dhe djersës së pambaruar në ballë.

 

Ohhh,

Hiqe kapistallin  e kujtimit në atë ishull, si margaritarë kurore.

Ndalu

Në këtë ditë pranvere në Shar e te varret e të parëve

Ti je mes tyre,

I bukur, punëshumë,  Kalorës i viteve madhështore,

Sfidant

I një jete ku nuk të mundën kreshtat shkumore të dallgëve.

 

Mos!!!

Mooos më thuaj për ditë e vite të largët kalendari!

Po thuama

Ëndrrën më të fundit për betejën më të re të Shkonjës

E sërish

Të jesh një gur e një lule mençurore Gostivari

E sërish

Të luash e të shkruash në lëndinat e Sërmnovës.

 

 

ANËS LUMIT TË VARDARIT

(Kushtuar Sadula Zenelit ( Daja)

me rastin e  80-vjetorit të ditëlindjes)

 

Nëpër shtigje Gostivari

Do të bëhem kalë pa fre.

Plis i vetëm i ugarit

Grurë e misër do të jem .

Ç’do të ish Luginë e Blertë

Pa një hap e pa një varr?

Pa një lule mbirë në bjeshkë

Pa një këngë e lahutar?

 

Ç’do të ish rrjedhë e Vardarit

Pa  flamurin me shqiponjë?

Kur të thahet palcë e barit

Do të thahet ëndrra jonë.

Nëpër lule në Smërnovë

Do të bëj më mijëra pena

Që të gdhend me zjarr çdo shkronjë

Shqipen tonë fjalëbuqeta.

 

E do shkruaj gjithë këngët

Mos i kalbë kurrë harresa

E do zgjoj lavdinë e rëndë

Për një lumë me zëra brezash.

Nëpër shpate rrezedielli

Do ta zgjoj Ahun e Lisin

Që më shpejt ta gdhendim djepin

Për fëmijët që do lindin.

 

Do të ec me rrëke djerse

Dorë më dorë me ty, o Dajë

Që të zgjojmë amanete

Odë më odë e prag më prag.

Do të ecim në gjurmë trimash

ku shkronjëshqipja buzëqesh

Fjala jote vetëtima

Fjala jote si bedenë.

 

Anës Lumit të Vardarit

Do të zgjoj këngë e legjenda.

Nëpër duar flamurtari

Të blerojë nga mot kujtesa.

Në na ngectë në grykë fjala,

Në se hapi na ndalon.

Nga Vardari merrni valët

E na bëni një kurorë

 

 

GËZIMI I NJË DEKORIMI

(Kushtuar Sadulla Zendeli ( Daja) intelektualit me përmasa kombëtare

që u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Gostivarit”)

1

Kurorat e luleve mrekullore  edhe mund të vyshken, Profesor

Fjalët e bukura  një ditë mund t;i marrë fllad i erës në ikje

Kjo kurorë nderimi  është thurur me tinguj hyjnorë

Gdhendin një kujtesë vitesh me ngjyra dritërrëzëllitëse

2

Të ndalen një çast  hapat e ditëve te kalendari!

Të dalin nënat me duart e zbardhura nga mielli në magje!

Të ndizen gjithë driat e zemrave, atje, te Gostivari!

Për djalin e thinjur e të fortë në Botën e Madhe.

3

Të vijnë këngët e Sërmnovs  dore si vogëlushe nga bjeshka!

Të vijnë vajzat që të hedhin valle Ladorishti

Daja ynë i mençur, kurrë nuk u pajtove me heshtjen

Mbete me sy, veshë e zemër nga Gostivari

4

Ia dhe pikëlotin e kurbetit e djersën e ndershme

Ia dhe ëndrrën e Upsalës që ia kalonte për lartësi dhe Sharrit

Ia dhe urimin bukuror të baca Sulës  me buzët plot etje

Për jastëkët e nënës përherë pate zjarr malli.

5

Të mbeten pas sirenat e udhëve, semaforët, biletat

O, sa udhë të reja presin në shtegudhët e Arbërit!

Në këtë stacion të ndritshëm të gjithë kemi vënë zemrat

Të gjithë jemi bërë bahçevanë mitikë të çdo shkronje.

6

Librat e  botës i mbushin për ty të gjitha fletët

Përulen para Malit tënd të Moshës si në një altar

Gëzofsh, Dajë, rrofsh sa fjala e mençur

Bëji vitet e paprekur blerim të ri, hapa në  piedestal.

7

Të prekin duart e tua të palodhura fëmijët e Shqipes.

Një grusht dheu të duket sot si orizi dhe sheqeri i dasmës

Në bibliotekë a zilet suedeze bien ëmbël në agime\

Të sjellin si fishekzjarr dritën e kandilit të vatrës.

(Zgjodhi për Zemrën Shqiptare: Alban Voka)