Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Somnambul

| E shtune, 04.07.2015, 02:26 PM |


Somnambul

 

Mehmetali Rexhepi

 

sytë

këta liqe të derdhur

valëzojnë të pandarë

kataraktet e gjumit

çeli tablonë dita

më la mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës

hapësirë pa sinor

dhe më zuri krahun

marrëzia e miqësisë epshore

i përhumbur hyra

dola princor

i njëjti tualet

i pallatit hamshor

ku ulej perandori dhe horri

zbritej i pudrosuri

ngjitej marroqi

*

në shikimet e tija

ëndrra dhe zhgjëndrra

tek njëra-tjetra

kishin humbur udhën

nuk gjendej pusulla

megjithatë e njëjta udhë

të njëjtat kontura

duhej paguar

*

rrezet dhe uraganet e teshtimave

të avujve të përzier

valoren e bredhjes

e kishin gjuajtur të dekompozuar

në majën e mllefit ekologjik

*

si ma kanë lyer maninë

me qeshje mjaltore

(m)iku sakaq e shlyer

mandej

më ftuaka në tjera labirinte

më nxjerrka spirale shkaku

në qindra-mijëra lakore

akuzë gjarpërore gjaku

*

njëtrajtshëm lehtësisht

saktësisht ngarendka

torzo e jetës e joshka

kokën e autorësisë së mohuar

udhëve të fshira

relievit djallëzor

duke e bartur nën sqetull

për ta pohuar

se ja ku është mbetja

vetëm në një sfond tjetër

që kishte jeta

somnambul

Gjilan, shkurt 2012