| E premte, 03.07.2015, 05:53 PM |
Sepetet plot me vargje të
DURO MUSTAFAIT
Libri me poezi "Me sytë e një gruaje"
(ese)
Nga Përparim Hysi
Nuk ka
lexues të pasionuar pas letërsisë që mos ketë dëgjuar për Duro Mustafanë. Është
jo vetëm gazetar veteran, por dhe shkrimtar dhe poet. Kur bisedon me të, i
thjeshtë siç është, të thotë:- Unë jam gazetar! Unë që prej kohësh e njoh penën
e tij, zë e polemizoj me të:-
* * *
Duke qenë redaktor i këtij vëllimi, nuk kam se si mos them dy fjalë për lexuesin. Së pari, dua t'i them lexuesit se Duro Mustafai është Poet i mirëfilltë dhe, nëse puna si gazetar në shtypin e asaj kohe i ka lënë pak kohë për poezinë, nuk ka mundur t'i heqë pasionin për të shkruar poezi. I ka shkruar dhe i ka lënë të "flenë" dhe ka ndodhur që poezitë mbetur qoftë me makinë e qoftë me shkrimdore, të dalin e të marrin jetë si një kumt i bukur për lexuesin.
Kur shoh poezitë e Duros, më vjen ndërmend ajo që thotë John Keats:" Nëse poezia nuk vjen natyrshëm,siç vijnë gjethet në një pemë, atëherë është më mirë që poezia mos vij fare". E sa për ata që e njohin mirëfilli Duron si poet, mund të thonë me plot gojën që poezia e Duros vjen fare-fare natyrshëm. Kurrë nuk shkruan i sforcuar, pa patur një motiv.
Tek marr të shkruaj për këtë vëllim me poezi të Duros (unë këmbëngul që në sepetet e tij ka dhe shumë poezi të tjera), nuk di pse më kujtohet Oskar Uajlldi që thoshte:" Dua të jem një libër i hapur". Duke e pranëvënë këtë thënie të Uajlldit, e them me plot gojën që para jush kini një libër të hapur të Poetit Duro Mustafai. Kur lexoni poezitë me tematikë të larmishme prej tij, ju sikur po bëni "skanerin" e shpirtit të tij të bardhë.
* * *
Tek shfleton librin, qysh në faqen e parë, nuk ke si mos të tërheqë vëmendjen amaneti poetik i Poetit:
"Kur të hidhni sytë tek ajo "Shtëpia"
Mos shikoni lulet kokëulur tek varri im
Më mirë hapni librin me vargjet e mia
Aty janë lulet e shpirtit tim."
Pra, edhe si Poet është i përkorë në vargje dhe di,që me pak fjalë, të pohojë shumë.
Mirëpo, tek vazhdon të lexosh, ndodh ajo që është thënë për poezinë e mirë:" Merr një libër poezie, lexoje dhe ajo të çon tek e bukura.". Kështu është porosia e studjuesëve të mirëfilltë të poezisë dhe, si një konicidencë e bukur, kështu ka ndodhur dhe me poezitë e Duros.
Duro Mustafai sa i ka kaluar plot 82-vjeç (unë dhe dashamirët e tij të shumtë dëshirojmë të rrojë një shekull), dhe, për çudi, sado që rrugën e poezisë e ka nisur qysh mesviteve '50-të të shekullit të kaluar, vazhdon ashtu qetë-qetë të shkruajë poezi. Pikërisht, më 8 mars 2015, në DITËN E GRUAS, ai ka shkruar një poezi unike në llojin e vetë, sa e ka bërë këtë poezi "arkitraun" ku mbahet tërë "shtëpia" e këtyre poezive. Poezinë e ka titulluar "Kur shoh me sytë e një gruaje". Në gjykimin tim, aq sa njoh unë poezinë, kjo poezi është emblematike dhe, nëse do ngrihej një monument për këtë ditë historike, atje duhej të gdhëndej me gërma kapitale kjo poezi e bukur e Duro Mustafait. Nuk ka përgjithësim më të bukur, nuk ka askund një përkushtim kaq madhor dhe kaq të dashur. Gratë që e lexojnë, nuk do të bëjnë gabim fare, sikur ta vënë,secila veçmas, në një kornizë të madhe, ta varin në mur si një "talisman" ku të vijnë e të gjunjëzohen krejt burrat: të ashprit dhe brutalët; diktatorët dhe shttetarët; altruistët dhe,pa dyshim,ata më të brishtët ku hyjnë poetët me staturën e një Duro Mustafai.
Kur i dal në fund ( e kam parë tej e tej dhe mbarë e prapë), nuk di pse bindem në atë thënien që poetët janë të lindur, kurse oratorët bëhen. Parë nën këtë sy, qoftë dhe me"Syrin e një gruaje", bindem që Duro Mustafai është një poet i ilindur.
* * *
Pa dyshim, ky poet disaplanesh e linjash poetike, ka lirika të përmallshme si:"Një letër pa përgjigje" që ,sa të çon tutje në rininë e poetit dhe të Katit të tij të shtrenjtë, të sjell dhe në këtë kohë pas gjashtëdhjetë e ca vjetësh, kjo "letër e zverdhur" nga koha, është një thesar dashurie. Është si ajo vera e vjetër, që, pse është shtazhionuar nga koha, ka shije të epërme. "... me ty dua të martohem,nëse do dhe ti" dhe, për fat të mirë, ndodhi ajo mrekullia.
Një
kapitull më vete, përbëjnë poezitë për vendlindjen.Ka një almanak më vete dhe,
tek i lexon një dhe ngas një, bëhesh o vlonjat, o nga Vranishti apo dhe tutje
deri nga Sazani. Tek këto poezi më vjen ndërmend Volteri që thotë:"
Vendlindja, është vendi ku robërohet shpirti". Unë nuk kam se si i bie këtu para jush një e nga një, por
nuk do rri pa sjell për lexuesin, një të veçantë: "Kam mall.Oh, sa
mall!".
" Kam mall për shtëpinë në kodër/Kam mall për detin që kisha karshi/ Kam mall për nënën e babanë/ kam mall për shokët që ikën/ kam mall për burrat e ditur/ kam mall për çdo gjë të bukur/ për Vlorën, shtrirë në shtatë mëhallë/Për Skelën e Ujin e Ftohtë/ dhe, si një ninull, si një nina-nana dashurie, vargu lapidar:" Kam mall.Oh, sa mall!".
* * *
Një kapitull më vete janë poezitë të shkruara"Udhëve të botës".Gjen aty motive nga Apeninet; motive helene; motive turke:kubane: egjiptiane, ku në simbiozë të shpirtit të tij poetik, si kredo e gjithë këtyre poezive, mbet ai vargu aq i bukur i Dritëro Agollit që dikur thotë për veten e vet: "... shkoi në Evropë, brodhi në Azi/ dhe nga thonjtë deri në kokë, mbeti devolli/. I vetmi "retushim" që duhet bërë në këtë citim timin, është se Doro Mustafai mbeti vlonjat dhe,ca më shumë, nga Vranishti.
Dhe ky libër me poezi kaq të bukura ka dhe një fund sijifikativ. Çdo libër, për cilindo autor, është gëzim apo si një dasëm ku dhëndërr është autori. Në fund të dasmës, bakllavaja hahet e fundit. Këtë "bakllava" e ka gatuar një mjeshtër poezie siç është Doktor Irfan Bregu. Ai ka bërë pasthënien. Porvojeni ta"hani" këtë "bakllava" dhe ka për t'u shijuar. Unë e shijova dhe ndaj po jua rekomandoj. Poezitë e Irfanit janë si "qershiza" mbi tortën e ëmbël të poetit Duro Mustafait! Duke përfituar nga rasti, që të dyve këtyre mjeshtrave të penës, u uroj jetë të gjatë e krijimtari të bardhë.