| E premte, 03.07.2015, 07:02 PM |
Gostivar, me 30 qershor – 2015. Me rastin e Ditës së Komunës së Gostivarit, kryetari z.Nevzat Bejta në ceremoninë solemne shpalli qytetar nderi veprimtarin dhe krijuesin Sadulla Zendeli – Daja duke i dhuruar dhuratën që simbolizon çelësin e qytetit.
Në nder dhe respekt të tij, kryetari z.Nevzat Bejta organizoi takim në kabinetin e tij, ku të pranishëm ishin edhe një delegacion nga Republika e Shqipërisë në përbërje Fatmir Toçi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Irena Toçi drejtoreshë e Institutit të Librit dhe promocionit në Shqipëri si dhe shkrimtari Viron Kona, Bujar Poçari, Demir Osmani dhe Mal Buçpapaj nga Tirana.
Simbolika e takimit mjaftë të ngrohtë dhe miqësor ishte dhurata që miku i tij nga Tirana Viron Kona ia bëri veprimtarit nga rrethina e Gostivarit, Sadulla Zendeli – Daja. Ishte libri dedikuar pikërisht jetës së veprës së tij me titull “Ju dua më shumë se veten”.
“Në nderim të kësaj dite të veçantë si dhe për nder të 80 vjetorit të lindjes, i kemi sjellë Dajës sonë librin monografi “Ju dua më shumë se veten”. Disa kopje të këtij libri ia dhurojmë Komunës së Gostivarit dhe veçmas kryetarit të Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta. I dhurojmë Dajës edhe një portret, kujtim të kësaj dite të shënuar”, tha mes të tjerash Kona.
Kryetari z.Nevzat Bejta shprehu kënaqësi që pikërisht një qytetari nga Gostivari i bëhen nderime të tilla, duke shtuar se Gostivari dhe qytetarët e vet mburren me jetën dhe veprën e tij.
Sadulla Zendeli – Daja, i lindur në fshatin Sërmnovë të Gostivarit dhe me qëndrim të përkohshëm në Suedi, në opinion njihet me krijimin e fjalorit suedisht – shqip ( një fjalor me gjithsej 35.000 fjalë ). Është autor i shumë librave letrare, dhe njihet si veprimtar i çështjes kombëtare në diasporën shqiptare.
Duhet theksuar se vitin e kaluar qytetar nderi në Komunën e Gostivarit u shpall Branko Manojlloski me motivacionin: “Krenaria e kombit, me veprën tënde korrigjove faqet e historisë”.
(Zgjodhi për Zemrën Shqiptare: Alban Voka)