Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Një dashuri e vrarë

| E enjte, 02.07.2015, 06:57 PM |


Një dashuri e vrarë

Roman nga PIERRE -Pandeli  Simsia

(përshtypjet e një lexuesi)

Nga Përparim Hysi

Para 10-ditësh më telefonoi Pierre-Pandeli Simsia që kish ardhur nga Amerika. Më telefonoi dhe ndodh që je i mëdyshur se ku mund ta takosh një që vjen nga larg. Se nuk kam se si mos nxehem ( nuk është vetëm  mllefi im), me faktin shumë të turpshëm , që jemi i vetmi vend demokratik që nuk kemi një Lidhje Shkrimtarësh. Kur shkruaj për "Lidhjen...", më vinë ndërmend vargjet shpotitëse të një kënge popullore që,  mes tjerash, thotë: " Derëzeza ime bijë/ burrë s'ka dhe  ding fëmijë!!!. Duke i retushuar paksa këto vargje, këngën mund ta këndoja kështu: " Moj e bukura SHqipëri/ Shkrimtarë plot, po  pa shtëpi/. Tek shkruaj kështu nuk është për të qeshur, po për të qarë. Lidhjen e Shkirmtarëve e prishi për të mos qenë më, një obskurantist që, për fat të keq, na ka dhe gradë shkencore. Në opinionin e përgjithshëm ai ministër çkulture bëri një akt të turpshëm dhe të pafalshëm. Unë atë, sado  me gradë shkencore , e fut në atë listën që aq bukur  e talli Fan Noli:" Ti Halim që s'di këndim/ je ministër për arsim/. E prishi, pasi i vuri drynin portës, dhe, kur erdhi kryetari i Lidhjes,Hysen Sinani, të hynte në "shtëpinë e vetë", i thanë "harro mushkë palarenë/se Ali Pashanë e prenë/. "Shtëpinë" e morën, por Hysen Sinani nuk dorëzohet: mban vulën në xhep dhe kaq. Po unë inatin nuk e kam vetëm me Halimin e parë , por u nxeha dhe me pasardhësit. Askush prej tyre nuk e vuri ujtë në zjarr që ajo "Shtëpi" qe e shkrimtarëve dhe  artistëve. As sot dhe kësaj dite. Sikur të gjithë, në unison, të çdo krahu që qenë,as u kujtuan fare në jemi gjallë. Çudia qe se dhe kur në krye të kulturës erdhi ai Poeti aq i mirë që quhet Visar ZHiti, nuk tha dot asnjë fjalë.

Por inatin mu mbi hundë ma bie një deputet i të majtës që hiqet dhe grefoset:" Unë shkruaj libra. Jam i vetmi në gjithë deputetët! Unë që e dëgjoj, them:-Je i vetmi që bën vezë të kuqe!!!".

*     *     *

Epo t'i lëmë qeveritarët në "hallet" e tyre të "mëdha". Më duket dhe ndërtesa  ish ministrisë së kulturës ka ikur andej nga Kinostudioja dhe, kjo e"vjetra" ka mbetur si karakoll.Ndoshta nuk i kap  ajo"sindroma" e prishjes që të zhbëjnë dhe Kinostudion.Po zor të ndodhë kjo,se ngrihet ai, i vetmi që shkruan libra, dhe bën kiametin. Se i ha hunda për sherr atij.

E, në u zgjata paksa, lexuesi të më falë. Se më ka ndodhur si me atë që tregojnë, që i doli një trim në pazar dhe, ndërsa ballas nuk u ndje, në shtëpi bërtiti:- Maskara je vet!

Epo në shtëpinë time jam dhe ndaj bërtas.

 

*   *   *

E prita Simsinë tek kafe "Ulqini" dhe, së bashku me mikun e përbashkët tonin, të kudondodhurin, Murat Gecaj, drekuam tek klubi që ka zbuluar Fuat Memeli. Për Pierre-Pandeli Simsinë ka shumë arsye për të shkruar: është i Vetmi SHQIPTAR në BOTË që di, përmendësh mbi njëmijë tekste këngësh. Nuk di a është shkruar emri i tij në librin geenes, por, me të vërtetë, është si një kompjuter. Kur erdhi, tregoi se, sapo qe ndarë nga RadioTirana, ku ishte intervistuar pikërisht për këtë. Dhe çudia shtohej, kur atje kish takuar Saksifonistin mjeshtër dhe kompozitorin Osman Mula. Në një bashkëbisedim, mjeshtri, mend qe hedhur përpjetë, kur  Simsia i kish kënduar vargjet e një kënge që vet mjeshtri e kish  harruar. Me Simsinë ndodh si me atë përralllën që,sa më thellë ta hedhësh "trupin" në lumë, aq më tepër rrurrëza dalin.

*      *    *

Objekti i shkrimit tim është tek romani i tij. Po para se të flas për romanin, dua të them dhe diçka  nga vetja. Simsia vjen nga Amerika. Unë kam qenë atje për 12-vjet dhe e di mirë mallin e të larguarëve nga vendi për aryse nga më të ndryshmet. Kur qeshë andej, shkrova një poezi ku veten e krahasoja me atë ujkun,që, sado që ta zbutësh,mendjen e ka nga pylli. Ky pyll që nuk është hiç  metaforik, është Shqipëria.

Pse e ka mendjen nga ky"pyll", PIERRE-Pandeli Simsia në gjithë librat që ka shkruar, është afër halleve të Shqipërisë. Për t'i vënë  pikat mbi i: nuk gaboj fare, kur shkruaj: me trup atje,  me shpirt në  Shqipëri. Pse është me shpirt në Shqipëri, ai, sado larg e larg mërguar, trajton në romanin e tij, aktualitetin. Kur them kështu, më vjen ndërmend ajo sentenca e Dantes që për"idiferentët"  Ferri i tij, kish pjesën më të errët. Simsia jo vetëm jeton me hallet e Shqipërisë, por duket sikur i prëjeton ato. Nuk hyn në atë grup, që ç'ka s'më dëmton mua, as që më duhet. Pra, nuk ruan "kopshtin e tij vetiak".

Ai shkruan një roman ku trajton një plagë sociale siç është prostitucioni dhe, tek e lexon, bindesh se romani i tij është një impresion.

Në një vështrimm pak më preçiz, mund të thuash me plotë gojën, që SImsia, e konsideron Shqipërinë si një "trup anatomik human". Ngaqë jeton e përejton me këtë"trup", do që  ta shohë klinikisht të shëndoshë. Për fat të keq, syrit të tij prej vëzhguesi skrupuloz, nuk i shpëton se ky" trup" ka disa plagë malinje. Ky konstatim i dhëmbshëm e vë atë në rolin e atij kirurgut që merr në dorë bisturinë, për  ta prerë këtë plagë, që "trupi..." të jetë i shëndetshëm.

*    *     *

Pak nga pak, sikur ia hoqa petët lakrorit dhe ja tek dalin "lakrat". Romani "Një dashuri e vrarë" trajton plagën e prostitucionit. Një plagë kanceroze që me metastazat e saj vrasëse vret jo vetëm dashuritë, por shkakton drama të mëdha familjare. Duke sjell një Dorinë fatkeqe në roman, ai, sikur ka qarë për dhjetra e dhjetra Dorina Shqiptare që në këtë tranzicion maratonë kanë rënë vikitimë e narko-trafikut apo mafiozëve të Saimirëve e Co...

Simsia e njeh mirë realitetin dhe nuk shkruan me  apriori: gjuetia mbi "Dorinat", kryesisht, ndodh në ato familje që nuk kanë përkrahje. Goditja është e tillë: mbi adoleshente dhe mbi varfanjake. Strategjia është kthyer si kuotë morale, tanimë: vjen e kërkon në familje (ndonjëherë bëhen dasma sa çahen orkestrat) dhe, mandej, si shuajnë epshet prej mëzati, i nxjerrin në rrugë të madhe: për të  prostituar! Kur lexon,s'ke si nuk thërret me ato vargjet:"... po ku ishe ti, o Zot".Them kështu, se autori di mirë ku e drejton tehun e kritikës. Ato vargjet: "... ku ishe ti, o Zot?" që solla unë, autori i thotë në romanin e tij, me"... shtet! Ku je, o shtet?". Një shtet që nuk u del zot shtetasve të vetë, nuk ka seç më duhet as mua, por askujt.

Për kërshërinë e lexuesëve (unë ua rekomandojnë ta lexojnë librin), në vija të trasha, them: në roman ka një linjë dashurie midis Saimirit dhe Dorinës. Dorina, një gjimnaziste dhe Saimiri, një nga ata të"bredhurit". Saimiri përfaqëson atë grup të rinjësh shqiptarë që, për fat të keq, kërkojnë të rrojnë jo përmjet punës, po përmjet prostitucionit. Hiqet si i dashur i saj dhe, tek kalon kufirin, rrugë pa rrugë,e dorëzon atë tek klani mafioz i një Vini e Co... Ky grup të përdalësh, pasi shuajnë epshet e tyre,e nxjerrin për të prostituar Dorinën e pafajshme. Duke e ndjekur jetën e saj në vazhdimësii, autori tregon  se Dorina vritet nga mafiozët. Tek kjo"vrasje" e Dorinës, shteti duhet të shohë fytyrën. Letra që iu gjend në trup është një akuzë e drejtpërdrejtë për të gjithë ata që kanë sy në ballë dhe veshë për të dëgjuar.  Në mbyllje, mund të them: vlera e romanit "Një dashuri e vrarë" është e tillë që bëhet kambanë që tundet për t'i prerë rrugën këtij "trafikimi" të turpshëm". Dhe akoma  më shumë rritet vlera e tij, se, ende, plagë të tilla malinje po e sëmurin trupin e Shqipërisë. Dhe, nëse qëndron ajo thënia që shkrimtarit nuk i ka hije heshtja, unë them që PIERRE-Pandeli Simsia jo vetëm nuk ka heshtur, por është më vital dhe, duke shkruar, është i qartë si qartësia dhe më aktual se kurrë.

Tiranë, 1 korrik 2015