| E enjte, 02.07.2015, 06:56 PM |
Dejan
GJORGJEVIÇ, autor serb i lindur Vellika Sjenica pranë Lleskovcit, më 1970. Me
Dejanin jemi njohur në manifestimet poetike ballkanike. Ai ka një bonsens të
dukshëm ndaj nesh, poetëve shqiptarë. Ai vetë është poet, kritik letrar dhe
eseist. Ka botuar dy libra me poezi: Jam dhe nuk jam (2007) dhe Mos/Pranim
(2008). Si dhe një libër të tretë me titull Zgjohem që ty të të dashuroj – një
poezi e përkthyer në pesëmbëdhjetë gjuhë. Në shqip e kam përkthyer unë me
konsulencën e znj. Merima Krijezi në
shqip dhe Darinka Kristiç në variantin
rusisht. Libri është botuar më 2014.
Këtë cikël që po publikojmë sot, e ka përkthyer Meriamja dhe e kam redaktuar unë. Poezia e Dejan GJORGJEVIÇIT në dukje është e thjeshtë, nuk ka figura marramendese apo artfcialitet, si poezitë e sotme, shpesh libreske dhe të kërkuara. Në vend të sqimës ajo ka jetë, filozofi dhe detaje artistike që I japin freski dhe orgjinalitet. Dejani ka kryer studimet për filologji dhe aktualisht është kryeredaktor i shtëpisë botuese “Filleks” dhe i revistës “Uspenja” (Ngritjet). Jeton dhe punon në Grdellicë.
DEJAN GJORGJEVIÇ
Nga cikli “EDHE UNË E DUA MARINË”
Netët janë të ftohta këtu, Maria,
Duhet të ikim sa më shpejt
Në bregun tjetër të jetës,
Ku na presin njerëzit tanë,
Koha jonë,
jetët tona.
Në qytetin tonë po vjen cirku,
Mund të argëtohemi,
Të luajmë mbi tel,
të nxjerrim flakë nga goja,
Ose, të zbutim luanin.
Ne i bëjmë të gjitha, Maria,
Ata vetëm një:
Të na pengojnë.
***
Kam vendosur, Maria,
Do ta shes celularin tim,
Do ta shuaj profilin tim
Dhe kompjuterin do t’ia dhuroj
një shkolle të afërt fshati.
Do të të shkruaj një letër
Se sa të dua,
Se sa më merr malli për ty.
Në fund të faqes
Do të vizatojë një zemër
Të goditur me shigjetën e Amorit.
Nga një anë do shkruaj emrin tim,
Në anën tjetër, emrin tënd.
Prit, do ta marrësh,
Për disa ditë
Do ta sjellë postieri
Si zakonisht.
Lexo, Maria,
Lexo dhe qaj,
Puthe letrën
Dhe mos harro të më përgjigjesh.
“Ja, kam gjetur pak kohë
Të të lajmëroj.”
***
Njerëzit nëpër rrugë bisedojnë për motin,
Nëpër kafenetë për zgjedhjet që vijnë,
Në gjyqet bëhen miqësi të reja,
Hidraulikët shtiren sikur janë dentistë
Veglat i kanë, ashtu edhe mundësitë.
Elektriçistët filozofojnë për universin,
Shitësit e luleve, për dashurinë,
Marangozët bëjnë libra prej druri
Oshëtin marrëzia nga të gjitha anët.
Hajde ta ngjyrosim botën, Maria,
Ti merre ngjyrën e bardhë,
Unë do ta marr të zezën,
E hirta do t’i shkonte më mirë.
***
Dashuria e mori emrin e saj
E kaltra në të pafundit ,
S’kemi nevojë më për fjalë,
Tani po mendojmë qetësinë,
Në qiell shkëlqejnë yjet,
Mbi tokë po bien premtimet.
Nëse një ditë takohemi përsëri
Të lutem të gabojmë edhe një herë
Të na zerë gjumi.
Sa i duhet pilivesës
Prej këtu deri në fund,
Në mos një çast?
***
Po të kisha mundësi, Maria,
të kapja këtë natë pranverore
E ta sjell,
Që ta ndajmë.
Të hap dritaren,
Të thith natyrën
Dhe të bie në gjumë përsëri,
Andej nga erdha.
Sa bukur është, Maria
Të lulëzosh e të dashurosh.
***
Jemi të padukshëm, Maria,
Hajde të bëjmë dashuri
Pranë kutisë postare.
Nëse letrat nuk vijnë
Më shpejtë se pëllumbi,
As shiu nuk bie
Më shpejtë se errësira,
Qetësinë e përsosur
Mund ta arrijmë.
Përktheu Merima Krijezi
Përgatiti Bardhyl Maliqi