Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Në gjashtë muaj infektohen 12 persona me HIV/AIDS

| E premte, 25.07.2008, 01:42 PM |


Ky eshte numri i rezultuar vetem nga testimet vullnetare

Brenda gjashtë muajve, duke nisur nga fundi i muajit dhjetor e deri në fillim të muajit qershor, evidentohen raste të reja të prekura me HIV/AIDS. Plot 12 persona nga i gjithë vendi, nga testimet që kanë kryer, kanë rezultuar seriopozitiv, çka do të thotë bartës të virusit HIV. Sipas stadeve të avancimit, nga HIV pacienti kalon në AIDS. Shifrat e të prekurve, rasteve të reja, arkivohen nga Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë, pavarësisht zonës në të cilën trajtohen pacientët. Numri i të prekurve nga HIV/AIDS shënohet në ISHP, por për vite me radhë ky sektor nuk disponon shifra të sakta të të prekurve edhe për shkak se një pjesë e mirë e tyre ende nuk e dinë se janë infektuar nga ky virus. Instituti është dera ku shumica e të prekurve marrin përgjigjen përfundimtare të analizave, nëse janë prekur apo jo. Sipas specialistëve, pacientët informohen për virusin rastësisht, pasi ata kanë kryer ekzaminime për probleme të tjera shëndetësore, por edhe nëpërmjet testimeve vullnetare.

Brenda një viti numërohen rreth 300 të interesuar për të kryer këto teste. Veç Institutit të Shëndetit Publik, një tjetër OJF mund të realizojë testime të shpejta, të përdorshme për marrjen e informacionit nëse je seriopozitiv apo jo. Ndërsa vitet e kaluara numrin më të madh të të infektuarve e zinin meshkujt, tani ka një barazi mes meshkujve dhe femrave që preken nga sëmundja e shekullit. Emigracioni nuk mbetet më rruga e marrjes së HIV-AIDS prej shqiptarëve. Numrin më të madh të të prekurve e mbajnë qytetet, megjithatë mes tyre ka pacientë edhe nga rrethinat. Të infektuarit e kanë marrë virusin kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve të pambrojtura seksuale. Deri në fund të vitit 2007, Ministria e Shëndetësisë raportoi se rastet e reja të prekura nga sëmundja e shekullit ishin 250. Rrjeti i testimeve është zgjeruar në 11 drejtori të shëndetit publik në rrethe, analiza që verifikohen në Institutin e Shëndetit Publik.

Në Shqipëri nuk ka të dhëna për fëmijët jetimë që kanë humbur prindërit nga AIDS. Po ashtu, në vendin tonë nuk ka mbështetje sociale për fëmijët e prekur nga HIV/AIDS. Vetëm 5 për qind e fëmijëve të infektuar marrim trajtim antiretroviral.

Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë sigurimin e medikamenteve për trajtimin e 59 të sëmurëve me HIV/SIDA, të cilët trajtohen pranë pavijonit të specializuar të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT). Sipas Ministrisë, pavarësisht prevalencës së ulët të sëmundjes së SIDA-s në vendin tonë, ruajtja e këtij niveli kërkon një kosto të lartë. Programet për parandalimin e kësaj epidemie kërkojnë mbështetje financiare, për të cilën është nënshkruar marrëveshja me Fondin Global, duke bërë të mundur marrjen e një granti prej 5 milionë dollarësh për pesë vjet, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Pak kohë më parë qeveria miratoi projektligjin për mosdiskriminimin e personave të prekur nga HIV/AIDS.

G. Shqip