| E hene, 15.06.2015, 07:33 PM |
Kristaq Turtulli
KORÇA IME*
Fragment nga Poema kushtuar Korçës
Të thuash që kam mall
Është pak, shumë pak,
O i bukuri im, trëndafil me erë
Në gji të maleve të lartë.
Të thuash që më mundon në ëndërr,
Më regëtin në zemër,
Përsëri është pak, shumë pak.
O qyteti
im fisnik, me
Djepi i kulturës,
Në Ballkanin e flakëritur dhe të zymtë.
Për ty i vogli, i madhërishmi,
Qyteti im,
Çdo mëngjes e argjenda vesë,
Spërkat rrugicat e kalldrëmta, shtëpitë,
Përshkëndritën ballët e larta të djelmoshave,
Zhduk rrudhat e burrave dhe pleqve.
Çel një dritare, buzëqesh një shpresë.
Një puthje është çelur në gjethe të saksisë.
E mençura Mëmë, Korçë,
Krihesh dhe krehrin e maleve.
Lan djersën ujin e pastër të krojeve
Dhe mbledh e shkund në mësallë xhevahiret e yjeve,
I bën vëthë dhe varëse në veshët e bukura, qafat e bardha të vajzave e nuseve...
Hëna të ndjek pas si manare,
E fut nën përparëse të flejë dhe gdhend inicialet e dashurive,
Pastaj kyç në kreshtat e maleve varësen e fshehtësive.
Zemra ime fluturon atje,
Mëmë,
Më puthe në ballë,
Mbështet kryet në atë mësallë të lashtë
Dëgjoj pëshpërimat e thella të parëve....
Të gjithë përrenjtë e maleve,
Rrëketë e dëshirave,
Shtëllungat e bardha të ëndrrave,
Puthjet e mushta,
Rrjedhin e mblidhen tek ty, krijojnë detin e madh të shpresës,
Për një ditë më të mirë,
O e papërsëritshmja dhe e magjishmja Korçë,
E rënda zonjë.
Qyteti im i ëndrrave,
I dashurive dhe tradhtive,
I gjenive dhe grafomanëve,
I ngritjes dhe uljes së idhujve,
I patriotëve dhe hafijeve,
Politikanëve dhe qaramanëve,
Pijetarëve dhe kryeneçëve,
Tregtarëve dhe zjarrmëtarëve,
I idealistëve dhe sharlatanëve,
I të mençurve dhe të marrëve,
I thashethemnajave,
Premtimeve, shpresave, xhelozive.
Flakadan në memorien time,
KORÇA IME...
*Poezia e vlerësuar si më e bukur për Korçën në netët e poezisë Korçare 2015