Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Tirana - një shtëpi e të gjithëve

| E enjte, 11.06.2015, 07:25 PM |


Tirana: një shtëpi e të gjithëve

Ky është fjalimi që mbajta në datën 9 qershor në Teatrin “Kujtim Spahivogli” në takimin me të rinjtë.

Nga Entela Binjaku

Të dashur miq e të rinj,

Jam plotësisht e bindur se edhe mua po të më thonin: “hajde të dëgjosh një fjalim politik”, do t’u thoja “stop” sepse realisht jemi kaq të mërzitur nga fjalët boshe dhe “pa bukë” të politikës, saqë kjo lexohet që së largu!

Me këtë ide asnjëherë nuk do të kisha marrë përsipër t’ju ftoja dhe  t’ju bëja propagandë politike, por kam dy arsye:  Së pari sepse jam kandidate për këshilltare në  Bashkinë së Tiranës si përfaqësuese e FRD-së  parti në të  cilën aderoj që prej 7 shtatorit 2012 dhe së dyti,  si sociologe mund t’ju them dy fjalë për rëndësinë që kanë zgjedhjet, zgjedhësit dhe pjesëmarrja në  votim  në rritjen e demokracisë së një vendi.

Duhen më pak se  dy javë që qytetarët shqiptarë të shkojnë drejt kutive të votimit.  Kur duket se jehona e zgjedhjeve të fundit është ende e gjallë, erdhi koha që qytetarët të thirren përsëri për të votuar.

Kësaj radhe  ata kanë mundësinë të  zgjedhin drejtuesit lokalë sipas një konfigurimi të ri administrativ, për të cilin kanë pak ose aspak informacion.  Ajo që dihet në përgjithësi në opinion është se  ka pasur një reformë territoriale dhe falë saj kësaj radhe qytetarët  do të votëbesojnë  drejtuesit e 61 Bashkive  dhe këshillat e tyre  bashkiakë.

Me nisjen e fushatës  dita-ditës kanë mësuar kryesisht në rrugë informale, se do të kenë dy fletë votimi ku në një do të votojnë kryetarin i Bashkisë dhe në tjetrën  Këshillin Bashkiak.

Deri në nisje të fushatës pakkush kishte informacion për kandidatët, për procesin e votimit dhe pamjen e re të  vendit, duke dëshmuar  edhe njëherë një nga tiparet e “demokracisë në Shqipëri”  ku edukimi dhe ndërgjegjësimi vjen i fundit… Në mes të kësaj fushate,  informacioni është ende i pakët,   I pamjaftueshëm dhe kryesisht i qarkullimit verbal, edhe pse televizioni publik ka nisur të informojë rreth mënyrës së votimit.

Ndërkohë  për  25 vjet  qytetarët  shqiptarë  kanë votuar  drejtuesit e  373 njësive vendore, nga të cilat   64 ishin  bashki dhe 309 komuna, shifra të cilat sot duken absurde kur mendon që këto njësi “kafshonin” nga buxheti I shtetit dhe nga xhepat e qytetarëve,  të ardhura që  nuk ju  ndërronin asnjëherë pozitivisht as pamjen dhe as cilësinë e jetës  qyteteve dhe fshatrave, …përkundrazi…

Ky 21 qershor i vitit 2015 më gjeti të përfshirë në garën për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Subjekti politik ku bëj pjesë vlerësoi propozimin e  strukturave  të partisë në njësinë ku banoj  “si një nga figurat me kontribute në komunitet”. Më tej propozimi u vlerësua në kryesinë e degës së Tiranës dhe miratimi i gjetur e renditi emrin tim në  tre emrat e parë të listës së FRD-së për kryeqytetin.

Lajmin për kandidimin e kam shpërndarë me  të gjitha kanalet e komunikimit që kam pasur mundësi duke marrë në këmbim vlerësim, inkurajim, besim të cilat sëbashku më  dhanë  energjinë e nevojshme për t’u përfshirë në ritmin e fushatës, dhe një emocion që rrallëherë e kisha provuar…. Tirana u bë pjesë e jetës sime  pas përfundimit të studimeve, zgjedhje nga e cila buruan shumë  sakrifica të lidhura ngushtësisht  me dëshirën dhe nevojën për të ushtruar profesionin tim, i cili sot më ka bërë dhe të njohur.

Fushata në Shqipëri është  në përgjithësi  e lodhshme, sidomos për gratë. Ti  bëhesh pjesë e një angazhimi të  madh  duke respektuar dhe marrë me vete edhe  angazhimet e tjera si pjestare e një kulture ku disa detyra “ të takojnë vetëm ty si grua” .

Duke i  shtuar kësaj mendësie  edhe punën në  terrenin e vështirë ku në këto 25 vjet politika “i ka nxjerrë fundin” çdo premtimi dhe ku edhe simbolet partiake, për shkak  edhe të ekspansionit  viziv, janë shndërruar    simbole të dhunshme,  ku indiferenca dhe zhgënjimi  i qytetarëve është i lartë, energjia që të nevojitet  për fushatën është edhe më e madhe.

E kam përjetuar këtë  angazhim në dy mënyra, si individ dhe si studiuese e dukurive të shoqërisë. Edhe pse është  e vështirë t’i ndaj njëra nga tjetra,  të dyja  këto mënyra po më ndihmojnë të plotësoj më mirë tablonë ku jetoj.  Nga të gjitha mesazhet e marra deri më tani  kam kuptuar se njerëzit kanë nevojë për zërin e së mirës, se  ndjehen të braktisur dhe të tradhtuar  në përfaqësimin e tyre, se edhe kur duan të votojnë nuk dinë ku ta çojnë atë votë.

Burimin e energjisë për të cilin kam nevojë,  e kam gjetur  pikërisht në vlerësimin e tyre ndaj shërbimit që i kam dhënë komunitetit me punën dhe ndërgjegjen qytetare.

Për t’i dhënë angazhimit politik dimensionin e  njeriut që hyn i përgatitur në fushatë,  ndoqa një ëorkshop dy ditor gjatë të cilit u njoha  me disa elementë  të nevojshëm të komunikimit politik.  Mbi vlerësimet, mbi formimin dhe informimin,  mbi programin, me mesazhin për një politikë për ne qytetarët,  me sloganin “Për qytetin tonë” , i kam ftuar qytetarët të  votojnë  numrin 32 në fletën e votimit.

Mendoj se qytetarët duhet të na votojnë në mënyrë që raporti midis Keshillit Bashkiak dhe Kryetarit te ri të Bashkise të jetë raport bashkëpunimi dhe jo raport kundërshtarësh;   Që të kemi mundësinë të shohim nje marredhenieje funksionale dhe jo vasaliteti midis tyre.

Pun,  sjellja profesionale e ndërgjegja komunitare e që kam treguar më ka dhënë mundësinë    dëshmoj  rëndësinë e meritokracisë, nevojën e  rritjes së  transparencës dhe përfshirjen aktive të  përfaqësive komunitare në vendim-marrje.

Për këto arsye i kam ftuar bashkëqytetarët që duke u bërë pjesë e procesit të votimit dhe duke votuar  siglën e FRD-së do t’i jepnin  mundësinë një zëri nga radhët e komunitetit  të bëhet vërtetë  zëri i tyre.

Në fund duke ju falënderuar për vëmendjen po citoj Platonin:

“Se punët ecin keq nuk është për fajin e njerëzve të  këqinj, por prej heshtjes së njerëzve të mirë”.