Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefqet Dibrani: Deklaratë e LDK-së në Zvicër

| E hene, 08.06.2015, 07:02 PM |


DEKLARATË E DEGËS SË LDK-së NË ZVICËR

(Solothurn, 06.06.2015)

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë shkatërruese e Lidhjes së Komuniste të Jugosllavisë, kurse akad. Isa Mustafa me klanin e tij po i hakmerret LDK-së pse ia ka shkatërruar atij LKJ-në”.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, në pjesëmarrje  të shumicës absolute të anëtarëve të kryesisë, mbajtur në  Solothurn më 06.06.2015, i shqyrtoi rrjedhat politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës, veçmas ato gjatë dhe pas Kuvendit të VIII-të zgjedhor, me theks të veçantë raportet e Kryesisë Qendrore në Prishtinë me Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, e cila si sjellje është jodemokratike, (autokrate) dhe e papranueshme.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër e konsideron të papranueshëm vendimin e Kryesisë Qendrore në Prishtinë për anulimin e Kuvendit të VIII-të zgjedhor të Degës së LDK-së në Zvicër, i cili u mbajt konform statutit dhe rregullores mbi zgjedhjet si dhe në përputhshmëri me të gjitha normat demokratike, duke u zgjedhur të gjitha organet legjitime me votën e fsheht dhe me kundërkandidatë - ashtu siç i parasheh rregullorja për zgjedhje dhe statuti i LDK-së.

Për kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër është e papranueshme mënyra e komunikimit përmes mjeteve të informimit publik që ka përdorur Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë, e cila, jo vetëm që nuk përkon me kulturën demokratike, por bie ndesh me të gjitha parimet dhe procedurat statutare që i ka vet LDK-ja.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër e sheh si të papranueshme edhe mënyrën e komunikimit të Kryesisë Qendrore me individët që i kanë humbur zgjedhjet në Zvicër, si dhe injorimin në komunikim që ia ka bërë kryesisë legjitime të dalur nga kuvendi i VIII-të zgjedhor. Po ashtu, Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër ndjehet shumë e indinjuar pse Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë nuk ka qenë e gatshme të pres e takoj Kryetarin e Degës së LDK-së në Zvicër  i cili ishte për vizitë zyrtare në Kosovë.  Edhe pse zyrtarisht iu ka bërë kërkesa për një takim zyrtar, qoftë krytarit të LDK-së z. Isa Mustafa dhe sekretarit të LDK-së z. Ismet Beqiri, ata nuk e kanë pranuar fare në takim. Në këto përpjekje, kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, zotëri Shefqet Dibrani, me datën 26 maj 2015, e ka protokoluar në mënyrë zyrtare kërkesën edhe në sekretariatin e LDK-së, përkatësisht tek personi i autorizuar në sekretariat - z. Selver Doda, i cili, përkundër premtimve, nuk ka qenë në gjendje ta informojë kryetarin e Degës së LDK-së për arsyet pse Kryetari apo dikush nga Kryesia e LDK-së në Prishtinë nuk kanë shprehur gatishmeri për t’u takuar dhe për të komunikuar. (Këtë sjellje Kryesia e LDK-së e kanë treguar edhe ndaj Donika Gërvallës dhe delegatëve nga Dega e LDK-së në Gjermani).

Kryesia e Degës së LDK-së është indinjuar nga vendimi i Kryesisë Qendrore në Prishtinë i datës 26 maj 2015, i cili u publikua në mjetet e informimit publik, duke mos ia dërguar zyrtarisht këtë vendim kryesisë së Degës, e cila, për këtë vendim, u informua vetëm nga mjetet e informimit. Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër këtë vendim arbitrar e konsideron të papranueshëm, jodemokratik dhe antistatutar, sepse vendimet e tilla për ripërsëritjen e zgjedhjeve duheshin të mirreshin në një kohë ku asnjë Degë e LDK-së nuk do të duhej të përjashtohej nga e drejta demokratike për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur.

Kryesia e LDK-së në Prishtinë ka qenë hollësisht e informuar për procesin dhe fushatën zgjedhore e cila ka shkuar në përputhje të plotë me rregulloret për zgjedhje. Procesin e zgjedhjeve e kanë përcjellur dhe udhëhequr vet tashmë ish kryetari z. Haki Latifi dhe ish nënkrytari i Degës së LDK-së në Zvicër z. Arif Baftiu, të cilët vazhdimisht kanë raportuar vetëm për rregullësi të këtij procesi zgjedhor.

Po ashtu Kuvendi i VIII-të zgjedhor i Degës së LDK-së në Zvicër është udhëhequr nga ish kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër z. Haki Latifi, i cili ishte kandidat për kryetar dhe ish nënkryetari z. Arif Baftiu, të cilët, në një garë demokratike dhe me votën e fsheht, e kanë humbur garën karshi kundërkandidatit Shefqet Dibranit, i cili fitoi në mënyrë të rregullt, sepse votimi ishte i fshehtë dhe ka qenë transparent, madje çdo gjë është bërë përpara syve të delegatëve, kurse punimet e kuvendit janë përcjellur edhe me kamerë.

Zgjedhjen e kryetarit e kanë uruar edhe Haki Latifi dhe Arif Baftiu të cilët fillimisht e kanë pranuar procesin të rregullt dhe transparent. Madje Haki Latifi ka pranuar dhe është zgjedhur edhe nënkryetar i Degës së LDK-së, si dhe, njëherit, ka qenë i zgjedhur edhe si delegat për kuvendin e VIII-të zgjedhor në Prishtinë.

Duke i pasur parasysh tërë procesin dhe këto zhvillime të drejta e demokratike në Degën e LDK-së në Zvicër, duke e pasur parasysh deklaratat e Haki Latifit në dy mbledhjet e para të kryesisë, (në të parën kur pranon postin e nënkryetarit dhe në të dytën edhe kryetar i komisionit për bashkëpunim me CVP), shkuarja e tij në Prishtinë është parë me sy kritik, e sidomos qëndrimi i tij jodemokratik, jokolegial dhe minues për të mbajtur Kuvend të ri. Këto sjellje të zotëriut Latifi, jo që janë të papranueshme, por  konsiderohen thellësisht manipuluese e të dëmshëm dhe me qëllime të porositura.

Andaj, kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër apelon tek veprimtarët e saj dhe tek antarësia e gjerë që të mos bien pre e manipulimeve të individëve të cilët në proces dhe në mënyrë demokratike i kanë humbur zgjedhjet, kurse tani janë në shërbim të koncepteve  antidemokratike dhe diktatoriale.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, jo vetëm që është e indinjuar me sjelljen e kryesisë Qendrore në Prishtinë, por edhe është thellësisht e zhgënjyer me faktin që Kryesia e LDK-së në Prishtinë nuk i ka pranuar as si mysafir delegatët nga Zvicra dhe Gjermania, por ka shkuar aq larg sa ka futur kuisling në kuvend.

Po ashtu për Kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër janë të papranueshme të gjitha rezultatet e zgjedhjeve që janë mbajtur me deklarim të hapur nëpër Degët e LDK-së si dhe ato në Kuvendin e VIII-të zgjedhor ku është rizgjedhur (rikatapultuar)  zotëri Isa Mustafa në postin e kryetarit të LDK-së.

Për Degën e LDK-së në Zvicër është e papranueshme përjashtimi që Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë ua ka bërë Degëve të LDK-së në Zvicër dhe Gjermani si dhe asaj në Skënderaj të Drenicës. Pastaj për përjashtimin e mediave dhe mjeteve të informimit publik si dhe proteston ashpër për injorimin dhe mosftesën që ua ka bërë trupi diplomatik në Kosovë, veçmas ambasadave Amerikane, Gjermane, Angleze dhe asaj Zvicerane.

Kryesia proteston ashpër sidomos për përjashtimin nga punimet e Kuvendit të VIII-të që ia kanë bërë delegatëve, zonjës Donika Gërvalla, e bia e Heroit të Kosovës Jusuf Gërvalla, z. Behxhet Krasniqi, vëllai i ministrit të mbrojtjes kol. Ahmet Krasniqi, z. Blerim Hajdaraj, i biri i komandantit të Dukagjinit Smajl Hajdaraj, z. Emrush Çekaj familjar i Heroit të Kosovës Salih Çekaj si dhe z. Shefqet Dibrani, babai i të cilit është vrarë në Luftën e Kosovës.

Shikuar në përgjithësi Isa Mustafa dhe klani i tj kanë pasur një luftë të ashpër jo vetëm me dy Degët ma të fuqishme të LDK-së në Europën Perëndimore, por e goditën dhe plagosën rëndë   Drenicën, duke u hamerrur ligsisht  kundër familjarëve të dëshmorëve dhe heronjëve të Kosovës. Andaj kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër shtron pyetjen për zyrtarët e LDK-së dhe delegatët e Kuvendit të VIII-të zgjedhor: kur votuat kundër pjesmarrjes së Diasporës dhe Drenicës në Kuvendin e VIII-të, a keni votuar edhe kundër baballarëve dhe familjarëve të tyre, apo Heronjtë e përmendur juve ju duhen vetëm për fushata zgjedhore sa për t’u fotografuar para varreve të tyre?! Ju që votuat kundër Diasporës dhe Drenicës a keni votuar edhe kundër luftës,  qëndresës dhe sakrificës që ka bërë Drenica dhe kundër ardhmërisë demokratike të Kosovës?

Prandaj, Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, mbështetur në parimet dhe të drejtën e reciprocitetit, ka  vendosur që të mos e njoh Isa Mustafën Kryetar të LDK-së dhe as vendimet me aklamacion të marra në Kuvendin e VIII-të, pasi ai Kuvend nuk ka qenë demokratik, kurse Isa Mustafa nuk është zgjedhur me votën e fsheht dhe me kundërkandidat - ashtu siç e përcakton rregullorja dhe statuti i LDK-së.

Dega e LDK-së në Zvicër do të jetë kurdoherë mbështetëse aktive e reformave demokratike që do të ndodhin në LDK dhe në Kosovë, por jo mbështetëse e klaneve të interesit dhe diktaturave komuniste. Dega e LDK-së në Zvicër apelon edhe tek faktori ndërkombëtar që të ushtroj trysni tek kryesia qendrore e LDK-së në Prishtinë, për të mos lejuar instalimin e formave të diktaturës dhe diktatit në LDK dhe në Kosovë.

Dega e LDK-së në Zvicër me të gjitha strukturat e saj organizative dhe udhëheqëse do ta vazhdojë punën e saj si kërkesë e antarësisë dhe bashkatdhetarëve duke u bazuar në rezultatet dhe vendimet e Kuvendit të VIII-të Degës, mbajtur më 10.05.2015, dhe do të jetë kurdoherë mbështetëse e reformave demokratike që do të ndodhin në LDK dhe përgjithësisht në Kosovë!

Zvicër, 07.06.2015.

Për kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër

Shefqet Dibrani - kryetar