| E merkure, 03.06.2015, 07:33 PM |
QAZIM D.
SHEHU
FJALA
Ti mos folë,
Le të flasë fjala,
Folenë strehuese
E morën retë e marra.
Kërkojmë shtëpi,strehë,
Qoftë një ngashënjim,
Për tu ndjerë të mbrojtur,
Se fjalën s`mund ta lëmë në përcëllim.
Kur gjetëm fletët e librit,
A faqet internetike,
Thamë e strehuam fjalën,
Fole e shpirtit ende gdhinte
Në mëritë e marra,
Atëher gjithnjë u nisëm nga e para.
Eh, sa e lodhshme fjala...
PEMË E EGËR
Pema e egër
Shfryu kurorën
Në një qiell të murrmë,
Hijet e kohrave
Ndrisnin përfund.
Ç`hije e fisme
Që dritën nuk e lë,
Ti ngjitet kurorës,
Ta shkrijë në një re,
Tek dielli i lodhur,
Që përmes kurorës
Na afrohet ne...
NË SHPINË E NJË ZOGU
Në shpinën e një zogu, era
Gjithnjë ledhaton ëndrra,
Në stuhi të madhe,
Dalin përbindshat
Dhe ulin kurrizin
Mbi ne; përmes erës të kalojë
Dhimbje e ëndrrës
Për zogun që nuk vjen...
PIGMENT
Ku është mëkati i njeriut
Në një kokërr mollë,
Sa shije ëmbël molla dhe fruti biblik
Hidhet për ne
Në një sferë ëndrre
Perceptuar si një planet ndriçues
Që nuk e krijon ditënatën,
Prandaj dashuria
S`vjen e kulluar,
Dhe që ta duam të turbullt
Si pigment ia lëshojmë mëkatin...
AI SHPEND
Ai shpend krenar, thua është një skifter,
Totem apo shpikje e vonuar,
Dhe fëlliqet duke rruar...
YLBERI
Kemi etje dhe nga etja
Gjithnjë na dynden ëndrrat drejt freskisë,
Në shtatë ngjyra ylberi te fishkur,
Ndizen ngjyrat e marrëzisë.
Dhe kurrë ai nuk e thith aq ujë në lumë
Sa të na paralajmërojë një stuhi të nevojshme
Etjen ta shplajë.
MISËR
Misri i pjekur në kalli
I nxori mustaqet e përzhitura
Nga padurimi për të dalë prej kashtës,
Si im gjysh në kufijtë e legjendes
Ku emblema më trimërore,
Në është e vërtetë,
Ishin mustakët.
Ëndërron mullirin,
Ky kalli me mustakë idilikë,
Si vajza që i kaloi pritjet dhe kërkon blurjen
E zemrës
Në një rreth me dritë...
STUHIA
Askush nuk e di se ç`mendon stuhia për ne,
Shohim me indiferencë si gjethet vë në lojë,
Shohim shtjellat si rrathë të pakapërcyeshëm
Të imagjinatës së plogët,
Se kurrë nuk e dimë
As lodhemi të kuptojmë mendjen e stuhisë,
Që në univers i ik të drejtës dhe shkatërron,
Atje ku ndërtimin jeta duhet të nisë....
KY SHI..
Ky shi që bie ngadalë
Na troket dhe shushurin në ndjesitë më të imta,
Duke na sjellë një ëndërr të premtuar,
Një ëndërr pa fjalë,
Mitike
Dhe reale pa brenga.
Dhe është aq i përmallshëm sa duhet ta mallkosh
Pafuqinë e vetes duke ndjerë,
Se si forcën e tij duhet të përballosh
Sikur të ishte një ujë i zjerë.
U PAMË NGA LARG...
U pamë nga larg,
Ti ishe diku në një ep të botës
Në tjetrin isha unë.
Dhe u larguam si ti largoheshim mokrës
që na bluan pa dhunë...
ANGULLIMË
Angullitja e mëngjeseve
Deri tek veshi i kujtesë mbërrin,
Veç nje farë dënese,
Jetën e pamposhtur drithërin...
SHTOJZOVALLET
Shtojzovollat dolën nga folklori dhe po bredhin
rrugëve të Tiranës të gjejnë ndonjë punë,
Nja shtatë të tilla
I njoh vetëm unë,
Dhe sa të tjerë njohin nga dy a tri,
Të flasësh për numrin e tyre oh, ç`lumturi,
Dhe për ç`punë bëjnë,
E mbyll
gojën dhe i
NUSJA
Nusja që mbiu mbi kalin e bardhë,
Pas xhamit të një taksie tret fytyrën,
Dhe është aq e ëndërruar nën vello,
Aq e ngjyer.
Me siguri hëna e ka lodhur aq shumë
Tek priste princin e kaltër,
Tani princi i kaltër
U zhduk e la gjurmë,
Në pritjen e djalit që është duke ardhur...
NË UDHËN...
Në udhën që kam qenë një herë
Nuk dua më të shkoj,
Sa gjithnjë në to udhëtoj.
Dhe pamjet e dikurshme
Si në një film të fshirë
Harroj...
MJEGULLAT
Si shtëllungat e një legjende të vjetër
Që ende pret të lnuret
Nga krëhëri i fantazisë delirante
Mjegullat u shtrinë.
Nën to objektet ngrinë.
Një athtirë legjende rrëfente
Për vjelljen e munguar,
Shkrydhërima e mjegullave
Sillte ftohtësinë e moskuptuar...
NË MUZE
Dhunë.
Terror,
Terror, dhunë,
Kuajt e trokëllimave.
Trokëllimat e shpatave,
Tani heshtin në muze.
Dhe lavdia turpin qetëson
Sikur,ajo, dhuna, e domosdoshme qe.....
BALLKANAS...
Si një pancir çeliku veshim këmishën e nacionalizmit,
Të prapsim shpatat e fyerjeve
Deliret e armikut.
Kaq gjatë e mbajtëm këtë këmishë
Sa harruan të mbjellim tokën
Dhe të dalim para të vërtetave lakuriq....