NËNTË VJET NGA PAVARËSIA E MALIT TË ZI
Nga Adil FETAHU
Pas
luftërave të përgjakshme dhe pavarësimit të Sllovenisë, Kroacisë,
Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë, Mali Zi
mbeti për një kohë në bashkësi me Serbinë, në të ashtuquajturën “Republika
Federale e Jugosllavisë”. Udhëheqësia e Malit të Zi ishin të vetëdijshëm se në
një federatë aq asimetrike, në të cilën gjithnjë do të dominonte Serbia, nuk
kishte bashkëjetesë të harmonishme as perspektivë zhvillimi. Prandaj, me
mençuri përgatitën disponimin e faktorit ndërkombëtar për t’u ndarë nga Serbia, e cila
e kundërshtonte dhe kërcënonte, se nuk do ta lejonte ndarjen. Politika,
propaganda dhe kërcënimi i Serbisë, dhe
ndikimi i Kishës ortodokse serbe, e sidomos përbërja etnike e popullsisë së
Malit të Zi, ishin faktorë që rrezikonin pavarësinë, respektivisht rezultatet e
referendumit për pavarësim. Megjithatë, udhëheqja politike veproi me mençuri, u
morën vesh me faktorët relevantë ndërkombëtar, ashtu që me ndërmjetësimin e
Bashkimit Evropian, midis pushtetit dhe opozitës së Malit Zi u arrit pajtimi që
referendumi të konsiderohet i suksesshëm: nëse votojnë mbi 50% e votuesve të
regjistruar, dhe nëse për pavarësi
deklarohen mbi 55% e qytetarëve që dalin në votim.
Në
vazhdën e bisedimeve për statusin e Kosovës (që u zhvilluan prej 20 shkurt,
deri më 8 shtator 2006), Mali Zi më 21 maj 2006, mbajti referendumin e
pavarësisë. Pyetja në fletëvotimet e referendumit ishte: “A dëshironi që Mali Zi të
jetë shtet i pavarur me sovranitet të plotë
ndërkombëtar-juridik”?. Në referendumin e mbajtur, për pavarësi u deklaruan
230.661 (55,5%) e votuesve, ndërsa
kundër pavarësisë 185.002 (44,5%). Kuvendi i Malit Zi, në ditën e sotme para
nëntë vjetëve, dmth. më 3 qershor 2006, në bazë të rezultateve të referendumit,
shpalli pavarësinë e Malit Zi, i cili prej vitit 1918 (88 vjet)
ishte në bashkësinë “jugosllave”. Siç shihet, pavarësia “varej” në një
pe të hollë, dhe për pavarësinë e vet Mali Zi duhet t’iu falënderohet pakicave kombëtare: shqiptare dhe boshnjake.
Sepse, këta të gjithë kanë votuar për pavarësi, dhe kështu i mundësuan e dhanë
legjitimitetin pavarësisë së Malit Zi. Kjo u bë e mundur ngase sipas
regjistrimit të popullsisë (2003), në Mal të Zi ishin 31.163, apo 5,03%
Shqiptarë, tamam aq sa u nevojitej për të fituar në referendum, mbi 55% të
votave për pavarësi. Shqiptarët e gjorë, tradicionalisht kanë kontribuar për
çlirimin dhe pavarësimin e armiqve të vet (e kujtojmë çlirimin dhe pavarësimin
e Greqisë e të Egjyptit, ja tash dhanë kontributin vendimtar për pavarësimin e
Malit Zi!).
Kur
jemi te numri i shqiptarëve në Mal të Zi, për lexuesit e interesuar po japim
shënimet nga statistikat zyrtare të
regjistrimit të popullsisë, sipas viteve dhe numrit të shqiptarëve: në
regjistrimin e vitit 1931 ishin 18.098 (5,03%) shqiptarë; në vitin 1948 ishin
19.425 (5,15%); në vitin 1953 ishin 23.460 (5,58%); në vitin 1961 ishin 25.803
(5,47%); në vitin 1971 ishin 35.671 (6,74%); në vitin 1981 ishin 37.735
(6,46%); në vitin 1991 ishin 40.415 6,5%); në vitin 2003 ishin 31.163 (5,03%),
dhe në vitin 2011 ishin 30.439 (4,91%) shqiptarë.
Por,
Mali Zi asnjëherë nuk ua diti për nderë lojalitetin e shqiptarëve të
atjeshëm, veçse në mënyra të ndryshme i ka diskriminuar dhe po i diskriminon në
zhvillimin ekonomik, në punësim, në arsim, në administratë. Sot, ma shumë
shqiptarë të Malit të Zi janë në Amerikë, se në Republikën e Malit Zi, edhe si
popullsi edhe si të punësuar!
Pavarësia
e Malit Zi pati efekt pozitiv edhe në propozimin e Marti Ahtisarit, për
statusin e Kosovës, duke e konsideruar edhe pavarësimin e Kosovës si fundin e
procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe formimit të shteteve të pavarura të
dala prej saj.
Reagimet
e Serbisë pas pavarësimit të Malit të Zi ishin nga më të ndryshmet: “Të ngritim
murin kinez me Malin e Zi”; “Vetëm sa të kalojë sezona e turizmit, qysh në
shtator do të bien në gjunjë e të na luten për t’i pranuar në federatë”; “Deti
i Greqisë është më i ngrohtë se ai i Malit Zi”, e përralla të tilla.