| E shtune, 30.05.2015, 01:16 PM |
PRANVERA VJEN…
QAZIM D. SHEHU
Pranvera vjen si fejesë
Fejesë që nuk u bë,
Mëngjeseve pak vesë
E çlodh gjethen nëpër të.
Harlisen drurët, vërshon
Një lëng në trup të tyre
Dhe mbrëmjet i shtojnë
Për kast të gjelbërimit disa yje.
Pranvera vjen ..dhe nuk e di
Si ta mbartësh këtë stinë
Me një gjelbërim që poshtë bimës rri
E shpërthen si me minë…
ARRATI
Planetët dolën nga orbita
Sfungjer thithës qielli u bë,
Duke i parë ato u rrita
Ata s`më panë asnjë.
Nga zemra ime pak blerim,
Blerimin vetëm tokës s`do i linin,
Blerimin dhe shkretinë.
Kur sojin tim nisa në Mars
Më tha: ka ujë,
Deshi këtë tokë në rrëmujë.
Të niset dikush , pas t`i shkoj,
Në këtë tokë ku shoqëritë mjerohen,
Ca ditë të rroj tjetërsoj…
BALADË
Me lot mata caqet
E një dëshire që nuk erdh,
E mbusha një enë me to,
Dhe enën tani s`kam ku ta derdh.
Do shkoj ta derdh në një baladë
Dikush më tha se është e tillë,
Me një varg që kërciste si kashtë
Pa asnjë trill.
S`besoj ta ngre tek Gëte
Tek Shileri apo Bërnsi,
Veç me një dhimbje më vete
Ia derdh lotin në zjarr terri.
S`besoj, se ende sot
Mbretin e Tulës buzët flasin,
Pa një lot, kujtesën ngasin….
BRILANTE
Hiret e tua bien si brilantë
Në kokrra,
Poshtë tyre vë një pëllëmbë
Asnjë s`më rri tek dora.
Sharmante je si një biskojë
Në trill të ngjyrave pa mbarim,
As era s`guxon të verë në lojë
Veç dërgon flladin për harbim…
LISI
Lisi nuk pat lëkurë,
Misteret e rrugës e veshën pa u ndier,
Pastaj një rrufe që erdh pa figurë
Në trup të tij është zjerë.
Lisi nuk pat degë,
Ca krahë të dashuruarish iu bashkuan
Dhe mbetën ashtu përpjetë
Bashkë me qiellin që për ta vuan.
Dhe gjethe u bënë sytë e të dashuruarve
Që çelën, sapo agoi shpresa,
Në muzgje ato vuajnë
Hijeve të fshehta.
Vetëm rrënjët i kishte në fillim
Si duart dhe krahët e të parëve
Që u ngulën nën të për flijim,
Për t`ua lënë të tjerat pasardhësve…
NË SE
Nëse do krijoja nga e para këtë botë,
Me mendimin e sotëm do e kisha zhbërë disa herë,
Ajo të ishte më e plotë,
Por më duhet të pres edhe ca miliona vjet të tjerë…