Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dukagjin Hata: Intervistë me kandidatin Safet Gjici

| E hene, 25.05.2015, 02:39 PM |


Intervistë me kandidatin e PS për kryetar bashkie i Kamzës, z. Safet Gjici

Me 21 qershor, do të nisim një epokë të re për Kamzën dhe për të gjithë Shqipërinë

Intervistoi Dukagjin Hata

Safet Gjici, kandidati i PS për kryetar bashkie i Kamzës, pretendon të thyejë mitin e Kamzës si një bastion i së djathtës, duke dhënë modelet e një qeverisje tjetër, sa më afër qytetarit e nevojave të tij dhe sa më larg politikës dhe rreshtimeve të saj. I ardhur nga bota e biznesit dhe e përvojave të suksesshme menaxheriale, ish prefekti i Kukësit, që ia ka dalë të thithë investime të fuqishme për bashkinë dhe komunat e Kukësit, kërkon që këtë përvojë ta thellojë e ta çojë më tej në Kamzë, në një nga zonat më problematike në Shqipëri, për sa i përket disniveleve ekonomike e sociale midis qendrës e periferive, me një mungesë totale infastrukture, ndriçimi, pastrimi, gjelbërimi etj. Mbi të gjitha, ai kërkon që ta çbunkerizojë bashkinë dhe administratën e saj, duke e bërë një derë të hapur për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga bindjet politike dhe përkatësitë partiake. Ai shprehet se e ka të sigurtë fitoren, pasi ka hyrë në këtë garë për të dhënë e jo për të marrë, se kërkon që arritjet e tij si njeri, si biznesmen, si administrator e menaxher t’i ndajë me të tjerët, t’i bëjë pjesë e një grupi të gjërë shoqëror, të një bashkësie të gjërë njerëzish, që kanë nevojë për një mënyrë tjetër drejtimi e menaxhimi.

-Zoti Gjici, cfarë përbën për ju gara ku jeni përfshirë si kandidat i PS-së për kryetar bashkie i Kamzës, në zgjedhjet vendore të 21 qershorit?

-Kjo përbën një tjetër sfidë me të cilën duhet të përballem denjësisht për ta fituar, siç i kam fituar të gjitha garat dhe sfidat deri më tani. Kjo garë përfaqëson për mua një mundësi që të mund t’i shërbej një komuniteti të nderuar, vendas apo të ardhur nga e gjithë Shqipëria, të cilët kanë shumë probleme që meritojnë një vëmendje tjetër dhe mundësi të tjera koordinimi e zgjidhje.

-Cila janë disa nga problemet më kryesore me të cilat ndeshen qytetarët e njësisë vendore të bashkisë së Kamzës?

-Kamza gjatë këtyre njëzet e pesë viteve, sidomos gjatë këtyre tetë vjetëve të fundit, është kthyer në një vend me probleme të thella ekonomike, sociale, shendëtesore, arsimore etj.  Pra Kamza ka shumë probleme, të cilat janë mbartur tash njzëet e pesë vjet, por janë kthyer në një gangrenë ekonomike, sociale dhe menaxhuese gjatë dy mandateve të kryetarit në ikje të bashkisë së Kamzës.

Në Kamzë, në Bathore, në Babrru, në Paskuqan  nuk gjen një metër katror sipërfaqe të gjelbër, nuk gjen një pemë të mbjellë, nuk gjen një rrugë të asfaltuar në parametra normalë bashkëkohorë, nuk gjen një kazan plehërash në vendin e tij. Nuk po flas për shkollat pa ngrohje, me një numër rekord nxënësish për klasë, për mungesën e një spitali normal dhe shërbimesh normale spitalore etj. Nuk po flas për klimën nën presion të bizneseve, që duhet të paguajnë për “shqupin” dhe përfaqësuesit e saj në Kamzë e gjetkë.

Gjatë pushtetit të së djathtës janë dhënë shumë fonde për Kamzën, por ato kanë avulluar, pasi nuk kishin si destinacion zbutjen e problemeve sociale të qytetarit, afrimin e shërbimeve më të mira ndaj tij etj. Ndaj dhe kryetari në ikje është dënuar nga gjykata e Tiranës me burg për shpërdorim detyre e fondesh publike dhe kërkon të marrë një mandat të ri si kryetar bashkie për aferat për të cilat akuzohet dhe që kanë rënduar e rëndojnë në kurriz të qytetarëve, pavarësisht nga ngjyrat politike.

E vetmja gjë moderne dhe bashkohore që ka bërë kryetari në ikje i bashkisë është vila e tij katërkatëshe në me të Kamzës, e cila është e vetmja në këtë zonë që ka ujë të pijshëm 24 orë, me tre lidhje njëherësh, ndërkohë që familjet kamziote digjen për një pikë ujë dhe furnizohen me bote, radha e të cilave nuk mbaron ditë e natë.

Mungesa e kanaleve të ujërave të zeza është një problem alarmant, që  kërkon zgjidhje të menjëhershme, sa kohë që nuk ka shpërthyer ndonjë epidemi me pasoja të rënda për jetën e banorëve.

Kamza mban rekord në Shqipëri për emra rrugësh e shesheh me simbolika perëndimore, por që duke qenë rrugë e sheshe të dërmuara, të lodhura e të paasfaltuara ose të keqasfaltuara, në njësi me një gjendje mizerabël ekonomike të popullatës, tingëllojnë si ironi ndaj këtyre emrave që mbajnë.

Por e keqja më e madhe është bunkerizimi i bashkisë, kthimi i saj në një repart ushtarak të PD-së. Puna ka vajtur deri atje sa dhe asistenca sociale, një e drejtë themelore e njeriut, të ndahej duke kontrolluar teserat e partisë, nëse ishin  blu apo rozë, çfarë ka bërë që imazhi i selisë blu dhe i dishepujve të saj të bjerë përtokë.

E gjithë kjo është vetëm një panoramë e përgjithshme, pasi ka me dhjetëra e qindra probleme në Kamzë e në të gjithë komunat që do të shkrihen në përbërje të saj, që presin zgjidhje të ngutshme, të menjëhershme dhe lypin një vullnet të fortë, projekte të shpejta dhe efikase, por dhe një mbështetje të fortë financiare nga qeveria.

-Cilat mendoni se janë epërsitë tuaja në garën për kreun e bashkisë së Kamzës?

-Unë nuk vij në këtë garë me xhepa të grisur, për të bërë para nga pushteti, siç ka ndohhur me rivalin tim. Unë vij nga bota e biznesit ku kam qenë i suksesshëm dhe hyj në këtë garë për të dhënë e jo për të marrë, kërkoj dhe kam besim që arritjet e mia si njeri, si biznesmen, si administrator e menaxher t’i ndajë me të tjerët, t’i bëjë pjesë e një grupi të gjërë shoqëror, të një bashkësie të gjërë njerëzish, që kanë nevojë për një mënyrë tjetër drejtimi e menaxhimi. Vetëm për ekipin e futbollit të Kukësit që po luan për ligën Europiane unë kam investuar disa milion euro. Gjatë punës si prefekt në Kukës asnjëherë nuk e kam futur rrogën time në xhepin tim, por ajo ka shkuar për të varfërit, për të pamundurit, për ata që për një rrethanë apo për një tjetër përballen me vështirësitë e këtij tranzicioni të gjatë.

Thelbi i përparësisë sime, e përsëris, është se unë hyj në këtë garë, të cilën kam besim se do ta fitoj me dinjitet, pra hyj për të dhënë e jo për të marrë dhe ky është avantazhi që do të më japë fitoren, pasi njerëzit janë kthjelluar dhe duan një motiv real e bindës, para se të hedhin votën më 21 qershor.

-Cila është puna e parë që do të bëni ju zoti Gjici, nëse uleni në karigen e kryetarit të bashkisë së Kamzës?

-Puna e parë është që të heq e të flakë tej atë gardh pengesash të kota që është ngritur tash sa kohë, në mënyrë të vazhdueshme, midis karriges e funksionit të kryetarit të bashkisë dhe qytetarëve. Pra, do ta heq këtë pengesë që është e pranishme tash sa kohë, duke bërë që midis meje si kryetar bashkie dhe qytetarëve të mos ketë asnjë gardh e postbllok. Duke e hequr këtë barrierë, unë do të pres gjithkënd që ka një hall, një nevojë, një shërbim, do të bëj çfarë është e mundur, do të synoj drejt të pamundurës, që të zgjidhi çdo hallë, problem e nevojë të banorëve, pa njohur si pengesë apo si privilegj asnjë lloj tesereje partiake apo bindje politike.

Pasi të bëjë këtë, pra çbunkerizmin e bashkisë dhe vënien e çdo zyre duke filluar nga ajo e kryetarit të bashkisë e të tjerat me radhë në shërbim të plotë të qytetarëve, do të nisi punën e detajuar për shumë çështje që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, ne pastrimin urgjent të qyteteve e ish komunave, me kanalizmin e ujërave të zeza, me pastrimin, gjelbërimin, me sigurimin e ujit të  pijshëm, që është një detyrë emergjente për mua dhe stafin tim, me kopshtet, çerdhet, shkollat, spitalet, shërbimet publike etj.

Përparësi do të ketë thithja e investimeve, financimi i projkteve serioze nga qeveria apo donatorët, për ta shndërruar Kamzën, nga qendra deri në periferitë më të thella, në një  zonë të zhvilluar urbane e rurale, ku kualiteti i jetës së njerëzve të përmirësohet, standardi ekonomik të jetë më i lartë dhe shanset e punësimit, biznesit, shkollimit etj të jenë të barabarta për të gjithë qytetarët.

-Cila është thirrja që juve iu bëni banorëve të Kamzës?

-Thirrja ime është: votoni në drejtimin e duhur. Me mua do të rritet shkalla e besimit dhe e reflektimit të qeverisjes lokale në dobi të familjeve tuaja. Do të marrim investime serioze, pasi ne jemi partnerë dinjtozë, që do ta çojmë çdo qindarkë në dobi të realizimit të projketeve, për një Kamzë të re dhe një bashki në shërbim të çdo qytetari.

Unë kam besimin e duhur të qeverisë, jo për shkak të përkatësisë politike, por për shkak se e kam prvuar me punë se di të menaxhojë, se di të drejtojë, se nuk shpërdorpj asnjë qindarkë, prandaj duhet kjo besueshmëri për të nisur një epokë të re për Kamzën dhe për të gjithë Shqipërinë.