| E premte, 22.05.2015, 07:56 PM |
Zhgënjimi i madh i shqiptarëve në
shtetin e pavarur të Malit të Zi !
Nga Xheladin Zeneli
Sot, Me 21 Maj u mbushën 9 vite nga referendumi për pavarësinë e Malit të Zi.Përveç " satisfaksionit" se shqiptarët masovikisht votuan pro pavarësisë së Malit të Zi, pavarësia e këtij shteti nuk iu solli atyre asgjë pozitive në aspektin e të drejtave të tyre kombëtare.Përkundrazi, shqiptarët gjatë kësaj periudhe ( pra, periudhës së Malit të Zi ,shtet i pavarur) pësuan degradim dhe përkëqësim të dukshëm të pozitës së tyre .
Sa për ilustrim, po përmendim vetëm disa ligje të fundit që janë aprovuar nga qeveria apo kuvendi i Malit të Zi e që dëshmojnë për injorimin dhe mohimin e vazhdueshëm të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi si p.sh:
– Miratimi i Ligjit zgjedhor, i cili nuk siguron më pesë vende të garantuara për zonat e veçanta ku shqiptarët janë shumicë dhe dëmton rëndë të drejtën e përfaqësimit autokton dhe proporcional të shqiptarëve;
– Miratimi i Planit Hapësinor të Malit të Zi, i cili në rastin e Bjeshkëve të Nemura ,një pjesë e komunës së Plavës, shpallet “Park Nacional”,pra shpallet pronë shtetërore . Pjesa dërmuese e këtyre zonave janë pronë e banorëve shqiptarë,kështu që ,permes këtij ligji, de-fakto bëhet uzurpimi institucional i këtyre pronave nga ana e qeverisë malazeze. Si rrezulltat i kësaj, banorëve shqiptarë të këtyre trevave, iu hiqet burimi kryesor i jetesës së tyre;
– Me vendim të Kuvendit Komunal të Plavës, fshati Martinaj u kthy në një deponi për grumbullimin e mbeturinave , dhe si i tillë me pasoja tepër dëmtuese për ambientin dhe shëndetin e banorëve të këtij fshati me popullsi shqiptare;
– Aprovimi i projekt-ligjit mbi Rendin dhe Qetësin,përmes të cilit,në mes tjerash kufizohet përdorimi publik i simboleve tona kombëtare,respektivisht i flamurit tonë kombëtar;
– Në regjistrimet e fundit të popullsisë në Mal të Zi të vitit 2011, pjesëtarëve të diasporës shqiptare iu mohua deklarimi kombëtar i tyre çka do të thotë,faktikisht ata u përjashtuan nga ky regjistrim dhe s’ka dyshim se kjo u bë me prapavijë të caktuar politike nga ana e qeverisë së Malit të Zi, me qëllim që shqiptarët të dalin më pak në numër;
- Ligji për organizimin territorial si dhe Ligji për vetëqeverisjen lokale me ç’rast trevës shqiptare të Malësisë vazhdon t’i mohohet realizimi i komunës së plotë kurse komunës së vetme me popullsi shumicë shqiptare,pra Ulqinit , administrohet me kompetenca të kufizuara sepse resurset kryesore të këtij qyteti janë të centralizuar, përmes së të ashtuquajturit NP " Të Mirat Detare" ;
Shumica nga Ligjet diskriminuese të larpërmendura, nuk u miratuan gjatë monizmit ,apo gjatë viteve ’90-ta të shekullit të kaluar,por u miratuan gjatë kohës që Malit të Zi është shtet i pavarur, pavarësi kjo që u arrit falë votave të shqiptarëve ?! Shteti malazez , jo vetëm që diskriminon shqiptarët në baza ligjore, por ky po i njëjti shtet, kohë pas kohe, aplikon dhunë e terror ndaj tyre. Disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, në Shtator të vitit 2006, pushteti malazez tregoi fytyrën e tij të vërtetë duke arrestuar , burgosur dhe torturuar në mënyrë brutale 18 shqiptarë nga Malësia !?
Në Maj të vitit 2013, forcat policore malazeze arrestuan 23 banorë shqiptarë të fshatit Martinajt të cilët protestuan në mënyrë paqësore dhe ushtruan të drejtën e tyre legjitime për mbrojtjen e pronave të veta.Në mesin e të arrestuarve kishte edhe pleq mbi moshën 70-vjeçare.Këto akte dhune e terrori,do t’ju kishte lakmi edhe regjimi i dikurshëm i Krajl Nikollës.Dhuna dhe presioni ndaj shqiptarëve janë metoda të njohura të qarqeve sllavo-malazeze që ata kanë përdorur dhe vazhdimisht përdorin me qëlllim të zbrazjes, ç’popullimit dhe ndryshimit të strukturës kombëtare të vendbanimeve shqiptare në Mal të Zi.
Atëherë shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të festojnë përvjetorin e një shteti i cili edhe pas 9 viteve të pavarësisë së vet,gjithnjë vazhdon t'ju mohojë të drejtat e tyre kombëtare, t'i asimilojë dhe t'i çkombëtarizojë.