Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Novi Rosaj: Rrethrrotullimi - tmerri i të gjithëve

| E enjte, 21.05.2015, 08:02 PM |


Rrethrrotullimi:  tmerri i të gjithëve...

Nga Novi Rosaj

A ka njeri që i afrohet rrethrrotullimit te “Zogu i Zi” me automjet a më kembë e  që nuk i rrënqethet lëkura deri sa ta kalojë këtë “përbindësh” me pjesëmarrës monstruozë dhe arbitër  policë shpesh të ngrirë,  m’u në mes te kryeqytetit të Shqipërisë?

Si ka mundësi që pjesës më të madhe të shqiptarëve jua mbyll Zoti sytë e përpara rrethrrotullimit nuk e shohin trekëndëshin e kuq që paralajmëron se jo vetëm që përparësi nuk ke, por edhe duhet të qëndrosh, të sigurohesh që nuk pengon të tjerët?

Si ka mundësi që në vend të kësaj,  marrin vrull nga të gjitha drejtimet,  me këmbën fort  “te gazi” për të hyrë pikjatë brenda rrethit?

Mundësisht të gjithë me celular në duar, si shoferi ashtu edhe pasagjerët dhe seicili nga një ose dy fëmijë në prehër,  pa rrip sigurimi, se për t’ u lidhur dihet që “nuk lidhet burri as për dy mijë lekë, as për pesë mijë lekë”...

A nuk e kuptojmë akoma se më këtë "specialitet shqiptar" jemi ndoshta të vetmit?

Logjika është shumë e thjeshtë, jo vetëm për shumicën e atyre që e kanë "blerë" patentën,  por edhe të atyre që e kanë marrë me "mik" se  po të kishin përparësi automjetet që hyjnë në rreth ashtu siç është  praktikë  në të gjitha rreth-rrotullimet e Shqipërisë,  dikur do të "pëlcasin”.

Rrethrrotullimit të daljes ju muar përparsia nga hyrja, pra kur vetëm hyrja ka perparësi (e kunderta e gjithë botës) siç e "dinë" shumica e njerzve, në Shqiperi jo vetem teorikisht por edhe praktikisht.

E kështu  e jetojmë me djersë të ftohta,  secili nga ne,  qoftë me automjet apo në këmbë...

Është vërtetë tmerr i çdokujt të dalë  nga rreth-rrotullimet tona sepse për të hyrë "dihet"… kemi të gjithë përparësi.

Policët jo vetëm që nuk orientojnë për këtë "përparësi, " por veprojne si gjithë të tjerët:  pa ndriçim blu ose me  ndriçim blu,  si të qëllojë…se  edhe ata o burra në rrethrrotullim… ndërsa për të dalë?...  Kush të ketë fat i pari...

E kam pyetur veten:

Si mund ta kemi "shpikur" në fillim?

Si ka mundësi që e "dimë" të gjithë gabim?

Si na ka mësuar autoshkolla?

Si ja lejojmë vetes secili?

Si ja u lejojmë të tjerëve?

Si e lejon qarkullimi rrugor?

E deri kur kështu?

Përgjigjja është edhe më e habitshme,  sepse në të vërtetë " funksionon" edhe pse së mbrapshti,  si dhe  shumica e gjërave në këtë vend.

Sekreti sipas meje  është të sigurimi sipërfaqësor ose më saktë i rremë, që ka orientuar politika shqiptare ku shkurt, secili paguan nga xhepi për dëmin që shkakton,  pa ja ndier kujt per rregulloren.  Për  këtë,  si shpërblim,  gjysma e këmbës është në pedalen e gazit e gjysma tjetër ne pedalen e frenave dhe i pari kalon “trimi” e jo kush e ka radhën...

Madje "art modern" i të ngarit të makinave në Shqipëri nënkupton atë që parakalon dhe u merr përparësinë të tjerëve,  nëse është e mundur komplet kolonën, majtas a djathtas nuk ka rëndësi por "shoferi i fortë" rrjeshtohet tutje semaforit të kuq (po qe se ndalon) ne përgjithëi për dy apo per tre edhe në një korsi dhe pret të sinjalizohet me bori nga i pari qe na ishte, se semafori ju ka larguar tashme mbrapa rrezes per ta shikuar kur jeshilon.

Kur automjetit përpara i merret përparësia qoftë vjedhurazi,  apo "me forcë" duke u  matur me të  me gaz e frena njëherazi,  sepse  jo të gjithë janë "trima" e thonë “lëre  të hyjë”, ç'po më duhet mua të bëj sherr?” e pikërisht, nga këta të "butë" përfitojnë"trimat" që per mendimin tim nuk janë të tillë.

Përkundrazi,  janë të ulët,  pa pikë karakteri a krenarie sepse  “për disa metra apo minuta”  e ulin veten aq poshtë duke parakaluar secilin që munden, që është po njësoj si t’i vjedhësh paratë  nga xhepi secilit që parakalon… pasi po  i vjedh kohën,  që është më e shtrenjtë se paratë.

Kur automjetet paguajnë taksën e shtetit,  çfare ka njëra më shumë se tjetra që të parakalojë? Pa marrë parasysh se kush e nget qoftë edhe deputet apo qoftë një “X6”  përveç dritave blu dhe kjo nëse nuk ndodh  nga makinat e vogla të "shefave" të policisë të cilët të shumtën e rasteve i ndezin vend e pa vend duke humbur edhe  respektin për  sinjalin  blu e më tej as nuk besohen  nëse  kanë urgjencë apo i kanë harruar ndezur,  siç ndodh në  të shumtën e kohës.

E kundërta ndodh në Perëndim, ku "shoferi i fortë" është ai që respekton rregulloren dhe që të paktën nuk ju merr përparësinë të tjerëve e që është  largpamës,  që nuk shikon vetem deri te hunda e tij,  duke bllokuar dhe  kryqëzimet.

Për një metër më përpara apo për disa minuta më shpejt… duhet të  vëmë duart në kokë ......