| E marte, 19.05.2015, 07:57 PM |
“LIDHJA E PRIZRENIT” DHE FESTA E ABETARES...!
Nga Sejdi BERISHA
Në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës, dje ishte festa e shkronjave e nxënësve të Shkollës së Mesme të Ultë “Lidhja e Prizrenit”. Gjatë tërë ditës, salla e këtij tempulli të kulturës gumëzhinte nga filizat-nxënësit e klasës së parë, që i shikoja me madhështinë e shpirtit dhe të zemrës si ardhmëria e vetvetes së tyre, si ardhmëria e familjes së tyre, si ardhmëria e kombit dhe e atdheut. Dhe, nga këtu pastaj dalin kujtime e mendime për historinë e kombit... Salla “vlonte” edhe nga shumë prindër, gjyshër, motra dhe vëllezër të këtyre engjëjve, por edhe nga mësuese e mësues, të cilët kishin rrumbullakuar punën e tyre për t’i mësuar shkronjat, me të cilat gjatë tërë jetës pastaj gjeneratat e reja udhëtojnë në mënyra të ndryshme, thurin ngjarje, shkrime, romane, këngë e romane, bëjnë shkencë por edhe histori. E tërë kjo kapërthehet edhe me emrin e shkollës “Lidhja e Prizrenit”, që ma detyron mendjen për të ecur para e pas rrugëtimit tonë historikë! Po pra, kjo Lidhja e Prizrenit, ngushtë lidhet edhe me të kaluarën që ka ngelur e etur dhe e pakompletuar deri në fund me amanetin e kombit, të gjakut të derdhur, e pakompletuar që dielli dhe hëna të rrezojnë plotësisht lirshëm mbi të gjitha viset... cep më cep të tokës së shqiponjave. Por kjo, për këtë reportazh do të dukej si “përrallë” e gjatë nëse shkruajmë më tepër tash...!
___________
Por dua të flas për festën e abetares! Në skenë nxënësit e klasës së parë përgatiten t’i shpalosin ëndrrat e tyre jo vetëm për shkronjat e mësuara, dhe prej sot ata hapin një horizont të ri të jetës së tyre, për ta kapur jetën me madhështinë e shpirtit të tyre. Ata sot, pa frikë këndojnë e flasin për atdheun, për figurat historike, për Skënderbeun, për Ismail Qemalin, Isa Boletinin, për lirinë, për dëshmorët, për trimërinë e tyre që na sollën lirinë. Ata, edhe vallen e hedhin pa frikë as stres, sepse, frymojnë lirshëm, me lirinë, me dashurinë dhe me ëndrrat e tyre plot shend e plot shëndet. Këtu edhe qëndron pesha e kuptimit të kësaj feste sot, të cilën me programin e tyre na shpalosin, pra nxënësit e klasës së parë, e më angazhimin e përkushtimin e mësueseve të tyre, të cilat, sot, edhe ato kanë gëzim e festë mu si nxënësit e tyre. Skenari i programit ka peshë njerëzore, edukative, por të mbrumur edhe me rrugëtimin e popullit, me madhështinë dhe nderin që e ruajtën dhe e kultivuan në të gjitha kohërat dhe fazat.
Ne jemi gjenerata që tani po vijmë me shëndetin dhe dëlirësinë e mendjes-shkronjat tani na hapin rrugët dhe na i qelin horizontet
Prej sot, këtyre vogëlushëve u hapen dyer e rrugë për të ndërtuar dhe krijuar e zhvilluar talentin e tyre. Ata, ngadalë por sigurt begatojnë jetën, kurse mësueset e tyre përgjithmonë mbesin në zemrat e tyre, mbesin kujtim i pashlyer, që për ta përherë me mburrje e kërshëri do të rrëfejnë në të gjitha mjediset, rastet dhe bisedat.
Kur u hap perdja e skenës së teatrit të Pejës, në dërrasat e të cilit janë realizuar qindra e qindra pjesë teatrore me tema historie, dashurie, tragjedie dhe lumturie, bartësit e shkronjave tani fillojnë programin e tyre me dëshirën më të madhe që prindërve, gjyshërve, vëllezërve dhe motrave që ndodheshin në sallë t’u tregojnë se edhe ata kanë nisur një etapë të re të jetës së tyre dhe se din të realizojnë e përformojnë role që reflektojnë madhështinë e tyre dhe të kombit. Duket madhështore skena, edhe pse nga pak, secilin në sallë e “ngacmojnë” emocionet e “ngatërruara” edhe me krenarinë për fëmijët, nipat dhe mbesat e tyre, por nga pak edhe rrugëtimi i arsimit në Kosovë nëpër periudha kohore.
Ja, ne dimë edhe të mësojmë por edhe të bëjmë program shpirti e kulture për ju më të dashurit, sikur kështu rrëfen shpirti i këtyre vogëlushëve dhe vogëlusheve me ëndrra e synime të mëdha
Çdo lëvizje e secilit fëmijë kishte mesazhin e shumëfishtë për arsimimin dhe formimin e karakterit e të personalitetit të gjeneratës që po vjen. Këtë e dëshmon edhe ajo, se secili prej tyre që në gjoks mbante një shkronjë, me sytë dhe shikimin e tyre të pastër e të çiltër, kërkon të afërmit e tyre atje në sallë, për t’u treguar se sa mirë e kanë nisur jetën edhe në skenë. Vërtet është madhështore kjo, sepse, këtë ma vërtetojnë edhe sytë e përlotur të shumë atyre që në sallë që me mendje ishin tretur në skenë, e të cilët nganjëherë padiktueshëm ktheja kokën dhe i shikoja. Edhe kjo më bënte krenar mua, sepse dhembja shumë herë është madhështi e punës, jetës dhe e fryteve të punës...!
Me kërshëri dhe me plot respekt përcillet çdo pikë e programit nga të gjithë të pranishmit në sallë, ku nuk mungoi për tërë ditën edhe drejtori i Shkollës “Lidhja e Prizrenit”, z. Rexhep Bogu
Kujtoj se ka kohë që në këtë formë e mënyrë, teatri i Pejës nuk është vizituar kaq dinjitetshëm dhe kaq me përkushtim, dhe kur kthej mendjen që në këtë tempull që nga vegjëlia kam vepruar, kam punuar, kam interpretuar role nga më të ndryshmet, jam gëzuar e përmalluar, kam qeshur e kam qarë, edhe muret e kësaj ndërtese sot janë të gëzuar dhe plotë hare. Edhe sot edhe nesër, kjo që kjo çerdhe e kulturës le të jetë peshë e mendjes ku derdhet mundi për vlerat kulturore, për theksimin dhe theksimin e vlerave shpirtërore dhe intelektuale të cilat duhet shpërndarë popullit si polenin e luleve fushave gjithandej atdheut.
Tash, më tha mendja se çfarë rezultati i madh është ky, që filizat tona t’i përgatisim për ta marrë jetën mirë, drejtë e sigurt në duart e veta. Këtë e bëjnë vetëm ata që punojnë e veprojnë drejtë, me vullnet e profesionalizëm, e bëjnë punëtorët e arsimit, e bëjnë dhe e madhështojnë por edhe e shndërrojnë në vepër mësueset dhe mësuesit. Ata dhe ato frymojnë me rezultatin e secilit nxënës, besa edhe nuk flinë dot rehat, pa u bindur për punën dhe rezultatin.
Mësuesja, znj. Valbona Mangjolli Bakraçi, të cilës pas programit, përveç buzëqeshjes dhe buqetave të luleve nuk i munguan edhe lotët e gëzimit
Në këtë rast, më duhet të përmendi punën, mundin dhe veprën e mësueseve të Shkollës së Mesme të Ultë, “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, pasi që edhe mora pjesë në këtë festë të paharruar të shpirtit dhe mendjes, e ato janë: mësuesja znj. Valbona Mangjolli Bakraçi, mësuesja znj. Pranvera Bajri, mësuesja znj. Myzafere Bytyqi dhe mësuesja znj. Syzana Krasniqi. Në këtë vazhdimësi rezultatesh, vlen të përmendet edhe angazhimi i përkushtueshëm i drejtorit, z. Rexhep Bogu.
Ishte kjo një ditë e veçantë që përgjithmonë do të mbetët në kujtesë, por ishte edhe një e arritur që do ta begatojë sirtarin e punës së këtyre mësueseve, sikurse edhe të gjithë punëtorëve të tjerë të arsimit.
Dhe, si rrumbullakim i tërë kësaj, bëhet si vulë edhe një kujtim me peshë, fotografim para hyrjes së Teatrit “Istref Begolli” në Pejë.
Kaq munda të them diçka thjeshtë e modeste për këtë ngjarje me peshë e mesazh shumëdimensional.
Këta dhe mijëra e mijëra fëmijë-fidanë të tjerë janë ardhmëria e kombit dhe e atdheut-krenaria dhe lumturia jonë