| E hene, 18.05.2015, 05:54 PM |
Hajduti Gruevski dhe shërbëtorët e tij shqiptarë!
Nga Arbana Xharra
Shqiptarët e Maqedonisë kanë momentumin e tyre! Të terrorizuar nga makineria kriminale e Nikola Gruevskit, të cilin e mbajtën në pushtet edhe bashkëpunëtorët e tij, politikanët shqiptarë, duhet të mbështesin masivisht protestën. Shqiptarët e portretizuar si destabilizues, terroristë, kriminelë, të paemancipuar, madje historikisht të shfrytëzuar për agjenda politike, e kanë kohën për të ngritur zërin. Pushtetit korruptiv të Gruevskit nuk i mjaftonte trajtimi çnjerëzor ndër vite i shqiptarëve, por i nevojitej edhe njollosja ndërkombëtarisht e shqiptarëve, si terroristë. Me rastin “Monstra”, Gruevski arriti të vulosë propagandën antishqiptare se “Maqedonia po rrezikohet nga shqiptarët”. Gjashtë personave iu dha burg të përjetshëm, por gjithë shqiptarëve imazhin e një populli të prapambetur e të rrezikshëm që prodhon kriminelë. Kurse, bashkëpunëtorëve shqiptarë të Gruevskit, u mjaftonte nga një “govatë mishi” për të mos bërë zë.
Ata i ndihmuan regjimit të Gruevskit, duke e mbajtur në pushtet me votat e shqiptarëve, që përbëjnë një të tretën e banorëve të Maqedonisë. Dhe deshëm apo jo, pjesë e bandave të Gruevskit, sot vazhdojmë të kemi edhe shërbëtorët politikanë shqiptarë. Andaj, shqiptarët në Maqedoni kanë dy herë më shumë arsye të dalin masivisht në protesta. Të kërkojnë largimin e hajdutit Gruevskit bashkë me përfaqësuesit e tyre shqiptarë. Është koha të ngrenë zërin kundër përfaqësuesve politikë shqiptarë, të cilët për interesa pushteti e biznesi, kanë qëndruar krah Gruevskit.
Në protestë nuk u panë politikanët shqiptarë. Shumë e qartë: nuk duan të humbasin pozicionet e tyre politike.
Shqiptarët atje, s’kanë më kohë të humbasin, duhet të pastrojnë taborin e tyre. Duhet t’u mjaftojë konflikti i fundit për t’u bindur se shfrytëzohen sa herë pushtetit i duhen si shkak për të shpëtuar. Por, të mos presin ndihmë nga politikanët shqiptarë matanë kufirit, sepse një duhet ta kenë të qartë: krimi dhe korrupsioni i bashkon të gjithë në një pikë. Përfshirja e kosovarëve në planin e fundit të Gruevskit, i cili për interesa të tij vrau shqiptarë dhe maqedonas, në Kumanovë, është argument i qartë se grupe banditësh të udhëhequr për interesa politike dhe financiare, janë të gatshëm të fusin në aksion njerëzit e tyre, sa herë ju duhet në emër të “shqiptarisë dhe patriotizmit”.
Heshtja e politikës në Kosovë dhe disa ish-komandantëve të luftës, që zanat të perfeksionuar e kanë plaçkën, dhe e politikanëve shqiptarë të Maqedonisë, nuk duhet të na befasoj. Ky qëndrim është reflektim i bashkëpunimeve të tyre ndër vite. Prishje-ndreqjet e tyre për interesa të biznesit, janë botërisht të njohura. Hapja e kufijve për kontrabandë të duhanit, bizneset e nëntokës, janë urëlidhja nën hije mes këtyre politikanëve tash sa vite.
Prandaj, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe të tjerë duhet ecur bashkë me Gruevskin.
Shqiptarët nuk duhet nënvlerësuar fuqinë e tyre elektorale, atyre u mbetet të dëshmojnë se janë properëndimorë dhe të emancipuar, që duan ndëshkimin e grupeve kriminale, duke kërkuar të drejtat e tyre që u garantohen, në një shtet demokratik funksional. Por kjo arrihet me një frymë të re politike kredibile, me platformë të qartë politiko-ekonomike properëndimore. Shqiptarët duhet të kthjellen nga mpirja që i ka shkaktuar pushteti mashtrues dhe i korruptuar, ata duhet nxjerrë në skenë njerëz që përfaqësojnë denjësisht shqiptarët dhe jo interesat e tyre personale.
Një është e qartë, Maqedonia nuk mund të ndryshojë pa shqiptarët, kështu që duhet shfrytëzuar ky momentum kur në mbështetje të protestës paqësore kundër pushtetit të Gruevskit janë vënë edhe shumë ambasada dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Shqiptarët janë faktorë dhe fuqizimi i tyre nuk mund të arrihet me këtë kastë politike, e cila me çdo kusht dëshiron të mbesë në pushtet. Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, e ka kuptuar peshën e shqiptarëve, është koha që shqiptarët duhet shfrytëzuar për ndryshim. Atyre u duhet një frymë e re politike shqiptare!