Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dukagjin Hata: “Legjitimitet” në emër të Kanunit

| E diele, 17.05.2015, 01:59 PM |


Kur bota e keqbërjes kërkon të fitojë “legjitimitet” në emër të Kanunit

Nga Dukagjin Hata

Një nga rrymat më moderne bashkëkohore të psikoanalizës së sotme lidhet me shentologjinë, përfaqësuesi më karizmatik i së cilës Hobardi, ka një teori mjaft interesante, ku sipas saj, devijimet psikologjike, traumat shpirtëore dhe prirjet antishoqërore të njeriut lindin dhe kultivohen që në paralindje, kur gjendet në barkun e nënës. Nëse i besojmë kësaj teorie, njeriu nuk është plotësisht përgjegjës për atë që është, në kuptimin e sjelljes dhe të modelimit social, pasi nuk ka të drejtën e zgjedhjes dhe të alternativës. Teoritë më racionale të psikologjisë, shkencës dhe fesë thonë se njeriu nuk ka të drejtë të zgjedhë shumë gjëra në jetë, por mënyrën e tij të sjelljes, kulturën, mënyrën e komunikimit dhe raportet me të ngjshmin, etj.,sigurisht që po. Por edhe familja, shkolla, shoqëria kanë shumëçka në dorë për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, që modelet e tyre sociale të sjelljes, etikës, punës, talentit etj të jenë produktive dhe në përputhje me modelet më të suksesshme sociale e shoqërore, në të gjithë brezat.

Hapja e Shqipërisë, krahas zgjimit të resurseve të gjithëfarëshme, të energjive pozitive shndërruese e transformuese, solli me vete dhe një radikalizim të keqbërjes, lulëzim të botës së krimit, grupeve shoqërisht të rrezikshme dhe bandave kriminale, të cilat kulmuan në vitin 1997, kur shteti ra dhe krimi i rrugës fitoi legjitimitet. Grupet e krimit dhe bandat e aramtosura u bënë mbretër të rrugës, sfiduan ligjin dhe të drejtën, mbollën frikë e terror, lanë pas hijen e kobshme të anarshisë dhe kaosit. Një gazetë prestigjioze perëndimore e cilësonte Shqipërinë e vitit 1997, si “mbretëria e gangsterëve dhe figurave të krimit të rrugës”, si vendi ku “mjafton të keshë një kallash në njërën dorë dhe një krikëll birrë në dorën tjetër” dhe mund të bësh çfarë të duash pa të hyrë gjëmb në këmbë.

Ky vizion gjysëmapokaliptik do ta shoqëronte për një kohë të gjatë imazhin e vendit të shqipeve, aq sa dhe sot, pas kaq vitesh, megjithë luftën e madhe të strukturave të shtetit shqiptar, kryesisht të policisë dhe antikrimit, për ta frenuar këtë paranojë kërcënuese, bota e krimit vazhdon të rezistojë me dëshpërim.

Është e vërtetë se pas vitit të mbrapashtë, nisi një goditje frontale ndaj grupeve dhe bandave të armatosura, të cilat do të pësonin goditje të rënda, shaktërruese, por jo rrallë ato do të ripërtëriheshin me elementë të rinj kriminalë. Me kohë, disa nga anëtarët e këtyre bandave janë të vrarë në larje hespesh midis bandave rivale ose me njëri tjetrin, disa të tjerë janë arrestuar dhe kanë marrë dënimin përkatës nga gjykata, ka syresh që  ndodhen në burgjet e huaja, duke vuajtur dënimin ose në pritje për tu ekstraduar, ndërkohë që ka prej tyre që janë në kërkim nga policia shqiptare apo Interpoli.

Plaga më e infektuar dhe që ende pas njëzet e pesë vitesh luftë të shtetit dhe shoqërisë nuk po mbyllet është ajo e gjakmarrjes dhe hakmarrjes, jo dhe aq për motive kanunore (sigurisht edhe për këto motive) se sa për motive të dobëta, për të përligjur hakmarrjen, keqbërjen, grabitjen, trafiqet e qenieve njerëzore etj.  Të përfshirë në ethet e hakmarrjes, dhjetëra banda në vendin tonë, përgjatë një lufte të gjatë e të egër, janë shpërbërë, ndërkohë që mjaft protagonistë të tyre janë ekzekutuar në mënyra mafioze.

Shumica e bandave më famekeqe në Shqipëri ku mund të numërojmë: Banda e Cërrikut, Banda e “Mandelës”,  Banda e “Kakamit”, Banda e “Çobanëve”, Banda e “5 dyqaneve”, Banda e Rrugës së Kavajës, Banda e Lushnjës, “Hakmarrja për Drejtësi”, Banda e Çoles, Banda e Kinostudios, Banda e Altin Dardhës, Banda e Lazaratit, Banda “Kola” (Burrel), Banda “Dedja” (Burrel), Banda e Gjergj Gushalit (Berat), Banda e Durrësit, Grupi për vrasjen e biznesmenëve, Grupi për vrasje me eksploziv, Grupi i Emiljano Shullazit, Banda e Kateshit, Banda e Zani Caushit, Grupi Salillari, Grupi “Poter Al”, Banda e Lul Berishës, Grupi “Harem 2005”, Banda “Go Ëest”, Grupi “Kokaina”, Banda e Jaupëve, Grupi “Ledi V”, Grupi “Kokrra e Ullirit”, Grupi “Kompas”, Banda e Otllakut, Banda “Ujëvara”,Banda “Era e Jugut”, Grupi “Piramida”, Banda “Kanun”, Banda që trafikonte raketa tokë-ajër etj, pra shumica e këtyre bandave janë eleminuar. Shumica e drejtuesve të këtyre bandave janë ekzekutuar në prita mafioze, ose kanë rënë në duart e policisë, duke u përballur me togat e zeza të organeve të drejtësisë, në Shqipëri ose në vende të ndryshme të BE-së. Ndërkohë “bandat e gjakut”, njerëz të paguar që vrasin për kanun ose në emër të tij, vazhdojnë të “punojnë” pa iu hyrë ferrë në këmbë. Kapja e një vrasësi me porosi zbuloi vetëm majën e ajzbergut të një krimi të përbindshëm, vrasjeve të porositura si akte hakmarrje, që vazhdon të kërcënojë jetët njerëzore në këtë vend.

Në një intervistë të dhënë në një të përditshme të Tiranës, Hekuran Suti apelon për drejtësi, pasi prej njëzet vjetësh kërkon dënimin e vrasësve të dy vëllezërve të tij, krime që jo vetëm nuk janë ndëshkuar sipas ligjit, por fiset e ekzekutorëve këcënojnë përsëri me vrasje. Ngjarja e parë kriminale ka ndodhur më 17 nëntor 1992 në Zogaj të Bulqizës, gjatë një grindje në lokalin e fshatit, ku vritet Iljas Suti, ndërkohë që shtatë vjet më vonë, në rrethana të tjera, më 20 shtator 1999, ekzekutohet vëllai tjetër Afrim Suti. Vrasja e parë u krye në prani të shumë dëshmitarëve, por dhe e dyta kishte dëshmitarë; pra të dyja vrasjet do të bëheshin në prani të dëshmitarëve, por ekzekutorët pas senacash të dyshimta hetimore e gjyqësore, përfundimisht do të gjendeshin të lirë dhe sot janë akoma të lirë.

Aksionet e policisë kundër bandave dhe grupeve krimianle në Shqipëri kanë qenë gjithmonë prezent, por bandat e krimit të hakmarrjes që lulëzojnë çdo ditë në Shqipëri nuk po marrin goditje të forta, si dhe bandat e tjera, ku  kapot e tyre janë vënë para drejtësisë dhe të vuajnë pasojat e krimeve të tyre. Sidomos duhen vlerësuar aksionet e policisë gjatë këtij viti të ngarkuar, për të vënë nën kontroll trafiqet dhe krimin kundër personit, siç është aksioni i uniformave blu në Lazarat, që konsiderohej “bastioni” i canabasit dhe kokainës, për të vënë ligj dhe rregull si në të gjithë vendin.

Zbulimi i vrasësve serialë, killerëve me pagesë, siç ka ndodhur para disa kohësh me një protgonistë të tillë, tregon se krimi i rrugës po modernizohet dhe sofistikohet, gjë që duhet ti bëjë organet kompetente të jenë më aktive në luftën parandaluese e zbuluese të krimit mafioz.

Sa më shumë që policia dhe strukturat e antikrimit godasin botën e krimit, aq më shumë reagon ajo, në tentativën për të fituar “parajsën e humbur”, tentativë e dëshpëruar, që shpesh shoqërohet me aksione të dëshpëruara krimianle. Koha ka provuar se bandat dhe ikonat e tyre nuk janë të paprekshëm, siç hiqen, mjafton që shteti të tregojë “dhëmbët”, siç ka ndodhur e po ndodh me një ritëm agresiv kohët e fundit, dhe karshillëku i tyre bie, bashkë me mbretërimin e rremë, që serivirin tek publiku, me anë të veprave keqbërëse dhe ushtrimit të terrnajës kriminale.

Shqipëria po del gradualisht nga harta e vendeve të pasigurta, bile ka dalë, përveçse në krimin e gjakmarrjes, i cili për hir të së vërtetës shfaqet si hakmarrje kompleksive, me një agresivitet të fortë dhe  përzihet me luftën mafioze mes bandave, me trafiqet njerëzore dhe krime të tjera. Këto krime  qëllimisht i faturohen Kanunit, për të fituar “legjimitet”. Kuptohet që ky nuk është legjitimitet, por një tentativë e botës së krimit për të fshehur këmbët, që të mos marrë goditjet e merituara nga dora e fortë e ligjit dhe e drejtësisë.