Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arben Rrozhani: Thjesht pazar turk

| E diele, 17.05.2015, 12:42 PM |


Thjesht pazar turk

Nga Arben Rrozhani

Shumë shqiptarë u mërzitën nga vizita e fundit e presidentit turk Erdogan. Më saktë, nga pazaret e tij: më jep të të jap. U fut në presidencë dhe herën e parë gjeti bustin e Skënderbeut, por të dytën herë, ama, u zhduk nga faqja e dheut.

Hipi në majë të Prezës dhe u përlot bashkë me hanëmen, kur një vajzë allaturka i këndonte sikur të ishte prijësi i shqiptarëve, ato vargje të cilat ai i këndon në çdo miting që bën në vendin e vet.

Por shqiptarët kot mërziten me Erdoganin. Ai është thjesht shitësi, ne jemi blerësit. Ai prej një dekade po na shet otomanizmin e tij, Turqinë imperiale, me historinë e saj famëkeqe 6-shekullore dhe ne ia kemi blerë, jo se duam, por sepse shitemi për 5 aspra.

Edhe këtë herë, pazari ishte thjesht turk. Do të të sjell investime, por të lartësojmë fillimisht xhaminë në kalanë e Prezës. Skënderbeut do t’i kthehen eshtrat në varr, me çfarë po ngjet sot, në atë vend, ku 6 shekuj më parë u martua motra e tij, Mamica dhe ku xhamia u ndërtua, mbi portën e kalasë, pasi ajo u pushtua nga turqit osmanë. Kjo nuk ndodhi dy ditë më parë për herë të parë. Ka një histori më se 10-vjeçare që u jemi nënshtruar kërkesa të qeveritarëve turq, duke flakur në kosh historinë tonë të lavdishme, jo thjesht një bust të vogël të Skënderbeut. Këtë duan turqit e rinj dhe e kanë vënë në qendër të platformës së tyre të ekspansionit në Ballkan, duke evokuar me nostalgji kohën e Portës së Lartë.

Pesë vite më parë, Turqia financoi mbajtjen e një simpoziumi ndërkombëtar kushtuar historisë së Perandorisë Osmane, kur në shtator 2010, rreth 70 ekspertë të periudhës së Perandorisë Osmane u mblodhën në qytetin turk Bilexhik. Rektori i Universitetit të Bilexhikut, Azmi Jozxhan, deklaroi se duhet ndryshuar perceptimi për osmanët: “Sipas kuptimit të tyre tradicional, turqit janë përshkruar si kolonizues të ashpër dhe pushtues, të cilët kanë shkaktuar gjakderdhje. Hulumtimet tregojnë se këto pohime nuk i përgjigjen së vërtetës. Duke grumbulluar në një vend shkencëtarë nga disa shtete, ne dëshirojmë të bëjmë hapat e parë në ndryshimin e historisë osmane, nëse kemi mundësi për këtë.”

Jo vetëm fjalë, por edhe vepra. Në Kosovë dhe në Shqipëri, autoritetet turke kërkuan rishikimin e teksteve të historisë për periudhën e gjatë të pushtimit osman, si përshkruheshin turqit etj. Erdogani, atëherë kryeministër, shkoi edhe më larg: të hiqeshin të ashtuquajturat fyerje për popullin turk dhe të rishihej roli i Skënderbeut.

Kur kryeministri turk vizitoi selinë e qeverisë shqiptare në 12 shkurt 2005, protokolli i shtetit hoqi një bust të vogël të heroit shqiptar, mbi oxhakun e zyrës së re, ku u zhvillua takimi me mikpritësin Fatos Nano. Sa për fillim. Mediet turke më pas zbuluan se Erdogan kishte kërkuar nga autoritetet shqiptare korrektësi historike, pra duke rishikuar tekstet e historisë, ngritjen e një komisioni ekspertësh dypalësh për rishikimin e teksteve të historisë dhe që “informacioni mbi marrëdhëniet Turqi-Shqipëri duhet të reflektohet korrektësisht në librat shqiptarë të historisë”. Natyrisht, qeveria e Nanos nuk dha asnjë detaj.

E njëjta kërkesë edhe në mars 2008, kur Erdogan erdhi sërish në Shqipëri dhe u takua me homologun Berisha, i cili pranoi shitjen e dyshimtë të kompanisë fikse “Albtelekom” nga Nano dhe iku nga pushteti në 2013-n, duke u shitur veprat më të rëndësishme energjetike dhe pranoi që konsorciumi amerikano-turk, “Bechtel-Enka” të merrte pa projekt dhe pa garë Rrugën e Kombit, e cila edhe pse ka kushtuar rreth 1,3 miliardë euro ende nuk është mbaruar dhe është në gjendje skandaloze.

Presioni turk për ndërrimin e historisë, për fat të keq në Shqipëri nuk ka hasur në rezistencë, ndryshe nga Kosova, ku profesorë të historisë janë kategorikisht kundër. Hakif Bajrami, një nga historianët më të njohur në vend, shprehej katër vite më parë: “Okupatori mbetet okupator. Krimet që i kanë bërë Turgut Pasha e sulltanët e Turqisë, asnjë ministri, asnjë individ në asnjë mënyrë nuk mundet t’i injorojë”.

Krejt e dinë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka luftuar kundër turqve. Tash na me e fshi atë a? Krejt botën e japim, e Skënderbeun s’e japim”. Prej Shkupit e deri në Merdar, Pasha i Turqisë më 1910, në çdo 10 metra e ka ngulur në hunj nga një shqiptar. A t’i harrojmë ne ato? Jo, nuk duhet t’i harrojmë edhe nuk bën t’i harrojmë”, shprehej i revoltuar ai, pas kërkesë së ministrit të Arsimit turk, Dincer në Prishtinë.

Në Shqipëri nuk ndodhi diçka e tillë dhe nuk pritet që të ndodhë. Shqipëria, e ndodhur në krizë financiare, nuk ka kohë të merret me “vogëlsira” të tilla, arkiva historike dhe patriotizma. Sot, asaj i duhen ca fonde. Ai që i ka ato, nuk po bën asgjë të keqe, thjesht po bën pazar turk, siç ka bërë qëmoti.

www.shekulli.com.al