Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Ma fshij lotin

| E enjte, 14.05.2015, 06:34 PM |


Dibran Demaku

 

MA FSHIJ LOTIN!...

 

(Fëmijëve të trishtuar të Kumanovës)

 

Ma fshij lotin në fytyrë

vdekja paska veç një emër

gjaku ka veç një ngjyrë

rrjedhe në trup apo në zemër!

 

Bishat ma shkatërruan pragun

bishat ma shkatërruan shpresën

si të ia bëj sonte me gjakun

si të ia bëj nesër me Besën?!

 

Është ky një mallkim apo ves

që s`ju nda kurrë fisit tim

ëndërr e këputur mu në mes

nuk sjell tjetër veç zemërim!

 

Dhe zemërimi do të ndizet

deshi apo nuk deshi miku

s`durojnë më kërbaq kurrizet

vëth në vesh ta ketë armiku!

 

Ma fshij lotin në fytyrë

ma fshij lotin në brendi

gjaku i rrjedhu i kuq në ngjyrë

s`kërkon hakmarrje veç Liri…