| E diele, 25.09.2005, 01:59 AM |
Legjenda e futbollit shqiptar, Ferit Ragami
Futbollisti i madh i kombëtares tregon pengun e jetës
“Byroja Politike shiti ndeshjet në vitin ‘85”
Vladimir KARAJ
![]() |
Ferit Rragami |
Jeteshkrimi
Emri: Ferit Ragami
Vitlindja: 1957
Vendlindja: Shkodër
Vendbanimi: Tiranë
Profesioni: Futbollist, aktualisht menaxher
Ka luajtur me : Vllazninë ('76 - '78, '81 - '90), Partizanin('78 - '81), Shkëndijën ('72 - '76)
Vlerësime: Mjeshtër i Sportit, Mjeshtër i Merituar i Sportit
Kombëtarja që befasoi botën
Historia e kombëtares që luajti në vitet 1984-1986 për eliminatoret e Botërorit të Meksikës, është ndoshta pjesa më e bukur dhe më e trishtuar e historisë së futbollit shqiptar. Sigurisht jo vetëm atëherë, por edhe sot, djemtë që përfaqësojnë ngjyrat e vendit tonë, në futboll janë gjithmonë në qendër të vëmendjes së pjesës më të madhe të vendit. Por atëherë, Shqipëria, mund të kishte qenë surpriza botërore. Shqipëria, me drejtues Shyqyri Rrelin do të barazonte 2 me 2 me Poloninë, që ishte një ndër skuadrat më të mira të botës e një vit më vonë, do të fitonte kundër Belgjikës që ndodhej në kulmet e saj. Musta, Zmijani, Hodja, Targaj, Ocelli, F.Ragami, Demollari, Muça, Josa, Minga, Kola, Omuri e mjaft të tjerë, ishin shqiptarët, që vunë në pozitë Poloninë e Bonjek, kampion Evrope me Juventusin dhe Belgjikën e Shifos. Sigurisht, bëhej fjalë për një grup, mjaft shpresëdhënës. Madje, një pjesë e këtyre lojtarëve, kishin çuar Shqipërinë, në 8-shen e shpresave më të mira të Evropës. Një plejadë e papërsëritshme, që do t'i mbyllte ato eliminatore me golavarazhin 6-6.
Ragami, futbollisti që u bë menaxher
Presidenti i firmës ku punon futbollisti, qëllon rastësisht aty, dhe të thotë menjëherë që pasi e kishte admiruar si futbollistët tani po i admiron edhe punën si menaxher. Për Ferit Ragamin futbolli është ndryshe nga biznesi. Këtu atë e ka përplasur jeta e tranzicioni dhe kjo është një punë, ndërsa futbolli ishte pasioni i tij.
Golashënuesi me këmbë 45-sa
"Numrin e këmbës, me këpucët që ne veshim tani, unë e kam 45-së", thotë Ragami, ndërsa tregon me sy nga këmba, me të cilën ka shënuar 90 gola. Ndërsa buzëqesh, na shpjegon se këpucët sportive që ai vishte ishin 42-shi dhe në ato që visheshin dikur ishin 44-ra. Sigurisht, nëse për dikë tjetër do të dukej shumë e çuditshme, për ata që e njohin Ragamin kjo është normale. Njeriu që shënonte gola nga 40 metra, nuk mund të kishte një këmbë të vogël. Por tani Ragami nuk i ka mirë punët me këmbën e djathtë të golave, e cila pas një incidenti nuk i bindet më dhe madje që prej asaj dite ai nuk luan më me të.
Brigel, Mateus, Magat, tre gjermanët e vështirë
Nuk mund të rrijë pa përmendur se tre kundërshtarët më të vështirë të huaj, për të janë gjermanë. Duke filluar me Magat dhe Mateus e për të vazhduar më pas me trajnerin e sotëm të kombëtares sonë Hans Peter Briegel. "Këta kanë qenë një treshe e vështirë, bëhej fjalë për kampionë bote", thotë Ragami. Ndërsa i kujtohet e tregon një nga historitë më të çuditshme të jetës së tij. Duke qenë se ishte një me "njollë në biografi", Ragami ishte ndër futbollistët që nuk mund ta zëvendësonte bluzën e kombëtares, me kolegët kundërshtarë. Ai kujton se në një nga ndeshjet me Republikën Federale Gjermane, të gjithë shokët i kishin shkëmbyer bluzat, ndërsa vetë Ragami jo. Madje ai i ka dhënë bluzën e tij Magat, por pasi i kishte hequr stemën. "U desh të ndërhynte Rumenige, që unë më në fundt të pranoja të jepja edhe st emën e kombëtares, por gjithmonë me frikën se do të më ndodhte diçka kur të kthehesha", tregon futbollistë një nga detajet e jetës së tij.
TO - Maj 2005
Flet legjenda e futbollit shqiptar, Ferit Rragami
Rragami: Shitjet e ndeshjeve kanë filluar që në vitet ‘80
Leonard Karaj
Ka shkuar edhe më tej një nga legjendat e futbollit tonë. Ferit Rragami, ish-futbollist i kombëtares sonë, në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, thotë se trukimi i ndeshjeve ka filluar që në vitet ‘80. Ndryshimi i vetëm, sipas tij, ishte se në atë kohë çdo gjë vendosej nga “lart”, ndërsa sot janë futbollistët, gjyqtarët dhe menaxherët ata që bëhen pre e bastexhinjve. Ndërkohë, për sa i përket polemikave midis Vatës dhe Strakoshës, ai nuk nguron të vihet në krah të ish-portierit të ekipit përfaqësues, pasi, sipas tij, një portier nëse do të shesë një ndeshje e bën edhe pa ndihmën e ndonjë futbollisti tjetër. “Vetë pozicioni që ai ka në skuadër dhe në fushën e lojës të lë të mendosh se një gjë të tillë, kur vjen puna e bën pa shumë zhurmë dhe pa problem”, thotë Rragami. Por ai nuk ndalet vetëm te debati i mësipërm, por edhe tek institucioni i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ju keni qenë dëshmitar edhe të asaj kombëtareje të 1985-ës, e cila tregoi se ishte kompetitive, por nuk arriti të kualifikohej, pse?
Sipas mendimit tim, ndeshja me Greqinë dhe Poloninë u shitën ose u dhuruan nga regjimi, pasi në dy ndeshjet e fundit, kur ne na mjaftonte vetëm një barazim, shumë nga futbollistët titullarë u zëvendësuan nga lojtarët e ekipit të Shpresave. Kjo, me urdhër nga lart, pasi gjoja duhej riorganizuar ekipi kombëtar. Kështu ne humbëm në Tiranë ndaj Polonisë 1 – 0, ndërkohë që kishim barazuar në Varshavë 2 – 2 dhe humbëm në Greqi 2 – 0, duke i thënë lamtumirë kualifikimit.
Sipas jush, a ka vazhduar seria e ndeshjeve të shitura ose dhuruara edhe pas viteve ‘90?
Ashtu siç e thashë edhe më parë, shitja e ndeshjeve ka filluar që në vitet ‘80 në Shqipëri, por pas viteve ‘90 problemi më i madh ka qenë riorganizimi i futbollit tonë. Ne nuk kemi pasur njerëzit e duhur dhe ende nuk kemi njerëzit e duhur për të drejtuar futbollin shqiptar.
Cili është mendimi juaj për debatin e hupur për shitje ndeshjesh midis Rudi Vatës dhe Foto Strakoshës?
Nuk më vjen mirë që ndodhin këto konflikte midis futbollistëve me emër, që kanë dhënë kontribut në futbollin shqiptar. Por po t’i referohem deklaratave të Rudi Vatës, mendoj se nuk janë shumë të arsyeshme, pasi nëse një portier do të shesë një ndeshje e bën edhe pa ndihmën e ndonjë futbollisti tjetër. Vetë pozicioni që portieri ka në skuadër të lë të mendosh se një gjë të tillë, kur vjen puna e bën pa shumë zhurmë dhe pa problem. Kështu, nga ana profesionale unë e hedh poshtë këtë si ide. Më vjen keq sinqerisht për Rudi Vatën, pasi e vlerësoj jashtëzakonisht shumë për atë që i ka dhënë futbollit shqiptar dhe se si e ka mbrojtur emrin e Shqipërisë në Evropë. Sipas meje do të ishte më mirë që ai të hapte një debat mbi organizimin e futbollit në Shqipëri, pasi kjo është plaga më e madhe e futbollit tonë.
Pra, ju nuk mendoni se ka pasur një debat midis dy ish-kapitenëve të ekipit kombëtar për të shitur ndeshjen me Uellsin?
Për mendimin tim jo. Unë i njoh si Rudi Vatën dhe Foto Strakoshën. Të parin e kam pasur në skuadër, ndërsa Strakoshën e kam pasur kundërshtar. Habitem që Rudi Vata e shfaq këtë gjë pas dhjetë vjetësh. Duke qenë se Strakosha pati rastin të dalë shpejt nga Shqipëria, duke u aktivizuar në Greqi, nuk besoj se ai në vitin 1995 paska pasur nevojë për 25 mijë marka, duke shitur një ndeshje të kombëtares. Pastaj, siç e thashë edhe më lart, nëse ai paska dashur të shesë ndeshjen mund ta kishte bërë edhe pa ndihmën e ndonjë futbollisti tjetër dhe i merrte të gjitha paratë vetë pa i ndarë me ndokënd.
Ish-trajneri i kombëtares ka hedhur hije dyshimi mbi këtë ndeshje, cili është prononcimi juaj?
Mendimi im është se nëse një trajner i ekipit kombëtar ka dyshime serioze për një ndeshje, ai që në atë moment duhet të japë dorëheqjen. Pasi kjo reflekton mbi personalitetin e tij në skuadër dhe mbi punën e tij. Unë nuk mbaj mend që Bajko të ketë dhënë dorëheqjen direkt pas asaj ndeshjeje. Sipas meje, është thjesht një justifikim i trajnerit për ndeshjen në fjalë.
Ku qëndrojnë defektet e organizimit të futbollit tonë sipas jush?
Mendimi im është se ata që punojnë sot në Federatën Shqiptarë të Futbollit nuk janë njerëzit që i duhen futbollit shqiptar. Po të vësh re, që nga viti ‘90 sheh shumë pak ndryshime në strukturën e kësaj federate. Janë po ata njerëz, që në të shumtën e rasteve nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse nga njëra zyrë kanë shkuar në zyrën tjetër brenda për brenda këtij institucioni. Unë mendoj se ka ardhur koha që të rinovohen të gjitha strukturat dhe të vijnë persona të rinj, që në vitet e fundit kanë marrë eksperienca të vyera në Evropë dhe kanë një mentalitet krejt tjetër. Këtu mund të hyjë në lojë Rudi Vata dhe Foto Strakosha, pasi janë dy persona që kanë marrë një eksperiencë në vendet ku janë aktivizuar dhe këtë mund ta vënë shumë mirë në shërbim të riorganizimit të futbollit tonë. Pra, skandali nuk është dyshimi se është shitur një ndeshje, por skandal është mënyra e organizimit të federatës së futbollit, duke filluar që nga kampionati ynë dhe deri te ekipi kombëtar.
A mund të na jepni ndonjë rast abuzimi të mundshëm të kësaj federate?
Po, mjafton të shikosh kur nisen nëpër turne futbollistë të rinj ose ekipi i shpresave dhe kombëtarja. 12 – 13 futbollistë janë ata që e meritojnë në të vërtetë, të tjerët janë aty falë njohjeve dhe ryshfeteve. Një gjë e tillë tashmë vazhdon që prej vitit 1992. Rasti i fundit është turneu që federata kishte organizuar me ekipin kombëtar para zgjedhjeve në Amerikë. Shumë nga futbollistët e zgjedhur nuk arritën të merrnin as vizë për të shkuar në këtë turne.
Kombëtarja
Ndeshja e parë ka qenë ajo kundër Finlandës në 1980-ën, ku ekipi ynë përfaqësues fitoi me rezultatin 2 - 0. Ai ka qenë pjesë e organikës së kësaj skuadre deri në vitin 1990, vit kur Rragami u largua nga veprimtaritë sportive. Rragami është aktivizuar në më shumë se 30-të takime me përfaqësuesen.
Për Rudi Vatën
“Rudi Vata është një nga futbollistët më të mirë të viteve ‘90. Kontributi që ai ka dhënë gjatë kohës që aktivizohej me ekipin kombëtar është i padiskutueshëm. Por nuk i shoh as të arsyeshme dhe as të drejta deklaratat e fundit të Rudit. E them këtë, pasi qoftë si futbollist, qoftë si tifoz unë besoj se portieri, nëse do të shesë një ndeshje e ka shumë më të lehtë për vetë pozicionin në skuadër, kështu që nuk ka nevojë t’i bëhet ortak me dikë tjetër”, thotë Rragami.
Për Foto Strakoshën
“Foto Strakosha është një nga portierët më të mirë, pas epokës së Perlat Mustës. Duke qenë sa ai pati rastin të dalë shpejt nga Shqipëria, duke u aktivizuar në Greqi, nuk besoj se ai në vitin 1995 paska pasur nevojë për 25 mijë marka, duke shitur një ndeshje të kombëtares. Pastaj, siç e thashë edhe më lart, nëse ai paska dashur të shesë ndeshjen, mund ta kishte bërë edhe pa ndihmën e ndonjë futbollisti tjetër dhe i merrte të gjitha paratë vetë pa i ndarë me ndokënd”, thotë Rragami.
Altin Rraklli
“Unë kam luajtur në atë takim dhe për aq sa mbaj mend nuk di të jetë shitur ajo ndeshje. E njoh mirë si Rudi Vatën dhe Foto Strakoshën dhe nuk do të më pëlqente të bëhesha avokati i askujt. Unë mund të flas me siguri vetëm për veten time dhe mendoj se ai takim nuk ka qenë trukuar. Normalisht më vjen çudi që një temë e tillë hapet pas 10-të vjetësh”, ka thënë Altin Rraklli.
Sokol Kushta
“Unë do të thosha që të bëheshin hetime jo vetëm për ndeshjen me Uellsin, por edhe për takimet me Portugalinë, Gjeorgjinë dhe Turqinë. Mendoj se të gjithë ata që dinë diçka mbi shitjet e ndeshjeve duhet të flasin hapur dhe prokuroria të vihet menjëherë në lëvizje. Edhe federata duhet të ndihmojë në sqarimin e kësaj çështjeje”, ka thënë Kushta.
Besnik Hasi
“Mendoj se këto probleme duhet të ishin zgjidhur që në kohën kur Rudi Vata ishte pjesë e ekipit përfaqësues. Normalisht unë nuk kam qenë në atë ndeshje, por besoj se të gjithë ata që aktivizohen me kombëtaren e dinë mirë se ç’përgjegjësi është të veshësh atë fanellë. Për aq sa e njoh unë Strakoshën, ai ka qenë gjithmonë i gatshëm për kombëtaren”, ka thënë Besnik Hasi.
Alban Bushi
“Sipas mendimit tim, do të ishte më mirë që organet kompetente të fillonin hetimet dhe të zbardhin të vërtetën mbi këtë çështje. Normalisht, nëse ekziston një e vërtetë tjetër, besoj se do t’i bënte mirë futbollit shqiptar, pasi edhe ata më skeptikët do të besonin më shumë te skuadra përfaqësuese”, ka thënë Bushi.
Neptun Bajko
“Unë kam pasur dyshimet e mia për atë ndeshje, pasi nëse fitonim ne merrnim dhjetë pikë dhe do të kishim një short më të mirë në eliminatoret e tjera. Mendoj se rezultati 1 – 1 dhe loja e futbollistëve linte diçka për të dëshiruar. Për momentin nuk mund të them më shumë, pasi unë thjesht se dyshoj dhe nuk kam fakte reale për këtë ndeshje”, ka thënë Bajko.
TO - Shtator 2005