Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Peisazh i ashpër

| E enjte, 07.05.2015, 07:11 PM |


QAZIM  D. SHEHU

 

PEIZAZH I ASHPËR

 

Nëpër shkëmbenj trishtimi zë e niset,

Shkrofëtijnë nga dielli  legjendat e shpikura,

Në gojë vikamash një filiz jete dridhet,

Pasqyrat afrojë stuhinë të përtërihet.

 

Ndonjë zog, këtu , trembet e ik

I hutuar  në udhëtimin biblik,

Nën flokët ulëritëse të pyjeve

Qiellin thepat grisin si me thikë.

 

PRINDËRIT

 

Do shkoj tek shtëpia ime në malësi,

Të gjejë hijen e prindërve që s`janë,

Hije që në ëndrra më rri,

Hutim flake që ofshan.

 

Shtëpisë sime i këndon oshëtima e ikjes,

Oshëtimë që vetëm unë e ndjej,

Ende ndez zjarr pa iu dorëzuar  fikjes,

Në Kostenjë.

 

Vjen natën fytyrë e nënës dhe babës,

Syri i tyre hedh rreze mbi hi,

Hija e nënës dhe e babës

Nxjerr xixa mbi gurin e zi…

 

JUBILARE

 

Më duhet të zbres nja njëqind vite

Të arrij tek Lufta e Parë,

Dhe duke bërë llogarinë

Tek e Dyta të shkoj duke qarë.

 

Me yjet e paqes që shpesh shuhen

Nga ndonjë psikopat që s`mendohet,

Shpresoj që e treta mbi ne mos luhet,

Nga kjo botë që padrejtësisht pasurohet .

 

MIRAZH

 

Ma zbraz zemrën nga rëndomtësia,

Me flokun biond në ajër shënon një rreth,

Një rreth të lëvizshëm ,kjo është dashuria

Them ,e kjo më ngjeth.

 

Në lëvizje ngjet kjo, në largësi,

Pastaj afrohesh me syrin gështenjë

Më krijon një shtjellë ku prehje s`gjej,

Rrethi zvogëlohet për thellësinë e denjë…

+++

Rjedhin kujtimet,

Shikimesh  të vjedhura,

Hoje ku s`vjen më bleta.

+++

Bota ndërsehet në fjalë,

Botë impotente,

Nderin shikon me lente.

+++

Botë sureale

Ngritur në një rrenë,

Përjetësinë dëfren

+++

Në vlagën e një frymëzimi

Nga dashuria për ty,

Fjalët asgjësohen...

+++

Harkun tendosa,

Më iku shigjeta,

U zmadhua shenja.

+++

Fre veri gjuhës!...,

Babë ,nuk jam kalë;

Gjykoje jetën, djalë!...

+++

Bishat e malit u rralluan,

Në përralla hynë,

Dyll i hënës u ngre statujën.

+++

Jetojmë në kohë të qeta,

Varet në ajër një bori,

Ajri  i fryn me mëri.

+++

E thur një këngë për ty,

Pa fjalë, me tinguj,

Para tingullit ke lindur.

+++

Gjethnajë e blertë,

Hutuese ,përvëluese,

Dridhet kënga mashtruese..

+++

E thirra ulërimën e ujkut,

Të shqyente  hipokrizinë;

Qeshte e vërteta në vitrinë…