Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Larg “sindromës së institucionit”....

| E hene, 04.05.2015, 07:10 PM |


Larg “sindromës së institucionit”....

Nga Entela Binjaku

Në vendin tonë,  ka një qasje skematike, konformiste të opinionit publik ndaj shtëpive të  fëmijës, qëndrim i  trashëguar por edhe i fituar me kalimin e kohës.   Në opinionin e qytetarëve shqiptarë këto  janë institucione të mbyllura, ku  presupozohet keqardhja, ku ata  që kalojnë jetën brenda tyre  janë disa fatkeqë, për të cilët  shoqëria nuk bën dot gjë për t’i ndihmuar  etj.

Psika e shoqërisë sonë e cila  nuk thellohet në analizën e njohjes së anëtarëve të saj  si dhe mendësia e mbylljes së vetë  këtyre institucioneve,  nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë  përforcuar këtë mendim stereotipizues.

Ndërkohë edhe  vizitat në  dyert  e  tyre  kryesisht apo vetëm në ditë festash,  nga ana e aktorëve të  politikës,  ka bërë  që ata  edhe të shoqëruar me media,    kthejnë vektorin e  vëmendjes në kahun e tyre,  ndërkohë që do të duhej të ndodhte e kundërta. Pikërisht në këtë situatë,   në mbështetje të qëllimit  për njohjen e njerëzve në nevojë, dhe konkretisht të fëmijëve që jetojnë në këto institucione,  Fondacioni “Harriet Martineau” ju drejtua me një lutje zyrtare Shërbimit Social Shtetëror. Në qendër të saj ishte dëshira për të kryer një vizitë në Shtëpinë e fëmijëve parashkollorë në Shkodër. Qëllimi ishte  t’u ofronim fëmijëve shërbimin dentar duke ju dërguar  pranë mjekun stomatolog,  i cili do të bisedonte me ta,   në mënyrë që të shpëtojnë “nga frika e zakonshme prej dentistit”. Ky qëllim shkon edhe në mbështetje  të misionit të organizatës për edukimin, që duhet të nisë që në vogëli.

Me marrjen e miratimit zyrtar, u  kontaktua drejtuesja e këtij institucioni znj. Anjeze Gjeluci e cila tregoi një gadishmëri  të admirueshme për të na mirëpritur.    emër të  Fondacionit ishin planifikuar disa dhurata simbolike,  të grumbulluara falë vullnetit të miqve me ndjeshmëri ndaj  kauzave sociale. Me sugjerimin ndihmës të  drejtoreshës,   këto  u orientuan drejt  nevojave    kishin vogëlushët.

Për shkak se nuk kishim qenë asnjëherë në këtë institucion,  shkuam në njërën prej shtëpive të shtëpisë së fëmijës  që gjendet në këtë qytet, por siç mësuam,  shtëpia që kërkonim,  ishte diku tjetër. Për të na ndihmuar, u ofrua një djalë rreth të 15-tave i cili na shoqëroi me bicikletë, karakteristike  në Shkodër,  drejt e në destinacionin e kërkuar.

Duke e falënderuar na tha “Se e kishte për detyrë..se edhe ai  i shtëpisë së fëmijës ishte!”.

Takimi me vogëlushët ishte gëzim më vete. 23 fëmijë, të gjithë të moshës 3- 6 vjec. Sapo kishin ngrënë drekën, një pjesë u kthyen nga shtëtitja në qytet, të cilën siç na tha drejtoreshë Anjeze  “e programonin thuajse  3 herë në javë”. Në shoqërinë e punonjëses sociale, të edukatoreve dhe drejtoreshës ata vogëlushë u miqësuan shpejt me ne, na ndoqën me vëmendje dhe mezi ç’prisnin hapjen e dhuratave...si çdokush...

Njëra nga edukatoret na tha se kishte 20 vjet që punonte në këtë institucion dhe se thuajse të gjithë  për të cilët ishte kujdesur ktheheshin dhe e takonin hera-herës.

Drejtoresha e kësaj shtëpie  ndodhej në këtë detyrë që prej 1 viti e gjysëm. Në plot kuptimin e fjalës,  ajo  ishte një shembull për t’u marrë shembull. E përkushtuar, me ndjeshmëri të lartë, fëmijët e donin, njihte psikologjinë e tyre,  e hapur dhe transparente për të gjithë që dëshironin të kontribuonin...Ashtu kishte vepruar edhe me ne.

Fëmijët që shkojnë të jetojnë në institucionet shtetërore të kujdesit janë fëmijë me situata specifike, ku mbizotëron varfëria  dhe pamundësia  e plotësimit të nevojave.

Një pjesë e madhe e vogëlushëve të kësaj shtëpie ishin fëmijë të marrë nga rruga dhe  kryesisht kishin lypur. Strehimi dhe kujdesi në këtë institucion ju krijoi jo vetëm kushte të ndryshme  jetese por edhe një  tjetër aspiratë për jetën. Edhe pse sot ata janë të vegjël së paku në kujtesën e tyre fëmijëria mund të kthehet në një fazë të bukur,  ku njerëzit që i rrethojnë tregojnë vëmendje dhe respekt ndaj nevojave të tyre.

Shtëpia e fëmijëve 3-6 vjeç në Shkodër u përzgjodh prej Fondacionit “Harriet Martineau” gjatë një bisede të lirë me doktoreshën  Beqaraj e cila shfaqi gjithë dëshirën për të dhënë nga koha e saj  kujdesin profesional dhe vëmendjen njerëzore.  Të mësuar me shtëpinë e fëmijës në kryeqytet, për  të cilën gjithashtu Fondacioni tregon respekt për punën dhe kujdesin që tregon, ne vendosëm t’ përkushtonim vizitën  një tjetër shtëpie e cila ndodhet larg vëmendjes së opinionit publik.

Fëmijëve ju  shpërndanë  librat  e dhuruar falë kontributit të miqve  të cilët sapo mësuan për këtë nismë,  treguan shumë gadishmëri.

Pasi vizituam  mjediset e saj, pasi u njohëm me ndryshimet  e përmirësuara  të kushteve, kuptuam  se në këtë mjedis  njerëz të dashur japin nga dashuria e tyre.

Sipas znj. Gjeluci “ institucioni  ka punuar   për të crrënjosur edhe vetë sindromat e institutit. Shkuarja ne parukieri cdo 3 muaj  për vajzat e cdo muaj për djemte , rritja e flokeve  të vajzave, vendosja e  vatheve per vajzat per t'u dalluar nga djemtë, kanë qenë disa nga veprimet që kemi kryer”. Bashkëpunimi me aktorët që jetojnë jashtë mureve të institucionit është një domosdoshmëri për ata vogëlushë.  Por ndërkohë që  institucionet  punojnë për  crrënjosjen së sindromës së tyre, shoqëria  mbetet ende  prapa dhe vazhdon të jetojë  me simptomat e stereotipizimit.

Njohja e kontributit të individëve të organizuar në OJF-ra ose jo, që  e shohin ndryshimin që synojnë, do ta ndihmonte shoqërinë të tregojë forcën ndikuese kur mbështet njerëzve në nevojë. Pasqyrimi i punës që kryhet në këto institucione, njohja me nevojat e fëmijëve, transparenca në përdorimin e kontributeve  do t’i shërbente rritjes së ndërgjegjes shoqërore për t’u solidarizuar me qytetarët që jetojnë në vështirësi.

Të tillë ka shumë në radhët e shoqërisë sonë..edhe nga ata që janë në nevojë, edhe nga ata që mund të ndihmojnë, por kur  të gjithë sëbashku jetojnë me  stereotipizimin,  “sindroma e  institucionit” vazhdon  të mbetet e fortë dhe mbizotëruese. Për crrënjosjen e saj shoqëria mund të nisë cdo ditë, me të gjitha mundësitë që ka dhe që mund të gjenerojë në radhët e saj...