| E diele, 20.07.2008, 04:52 PM |
Gratë dhe burrat kanë sjellje dhe kënd vështrime të ndryshme për jetën dhe arsyeja për këtë është se organi i trurit ka një ndërtim fizik të ndryshëm. Sipas një studimi të fundit, ndryshimi mes tyre është shumë i madh dhe nis që në mënyrën e të konceptuarit të ndërtimit të trurit dhe materialit gjenetik të tij. Dallimet në rrjetin transmetues të sinjaleve dhe madje edhe ato të materialeve kimike që transmetohen janë aq të mëdha, saqë të çojnë në përfundimin se në fakt ekzistojnë dy tru njerëzorë, duke qenë se janë dy gjini dhe jo një, siç mendohej deri më tani. Meshkujt mund të kenë ardhur nga Marsi dhe femrat nga Venusi shkroi në fillim të viteve ‘90 psikoterapisti i famshëm amerikan, John Gray, dhe që nga ajo kohë ideja se mashkulli e femra janë shumë të ndryshëm është përhapur me shpejtësi. Një gjë është e vërtetë që, për sa u përket reagimeve emocionale, ndryshimi mes sekseve është shumë i madh. Deri së fundmi dallimet shpjegoheshin vetëm me prezencën e hormoneve të ndryshme te të dy sekset, të cilat krijonin edhe sjelljet e ndryshme. Me kalimin e kohës rezultatet e kërkimeve të vazhdueshme kanë nxjerrë në pah edhe faktorë të tjerë shumë të rëndësishëm, që ndikojnë në ndryshueshmërinë e gjinive me njëra-tjetrën. Sipas një artikulli të botuar këtë javë në revistën shumë të njohur "New Scientist", po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe po faktohet gjithnjë e më shumë ndryshueshmëria anatomike e trurit të mashkullit dhe femrës. Disa nga këto dallime mund të japin edhe shpjegimin e duhur për një numër të madh misteresh shëndetësore, të tilla si arsyet se përse disa lloj sëmundjesh prekin më shumë femrat dhe përse disa sëmundje konsiderohen vetëm mashkullore, apo përse disa medikamente funksionojnë mirë te njëra gjini, ndërkohë që te tjetra nuk japin të njëjtin rezultat, apo cilat janë sëmundjet kronike që prekin meshkujt dhe cilat ato që prekin më shumë femrat. Që ka dallime mes meshkujve dhe femrave, kjo është diçka që dihet prej kohësh, pa qenë nevoja e përfundimeve shkencore, por deri më tani besohej se gjithçka kishte të bënte me hipotalamusin, pjesa e trurit që merret me rregullimin e ushqimit, situatës së gatishmërisë apo edhe dëshirave seksuale. Së fundmi ka dalë në pah edhe ndryshimi fizik dhe anatomik i trurit të femrës nga ai i mashkullit. Ndryshimi nis që nga përmasat dhe strukturat brenda dy organeve. Në një studim të Harvardit u zbulua se pjesë të lobit frontal, që kanë të bëjnë me marrjen e vendimeve dhe funksioneve, zgjidhjeve të problemeve, ishin proporcionalisht me përmasa më të mëdha te truri i grave në krahasim me trurin e meshkujve. E njëjta gjë vlen edhe për korteksin limbik, funksioni i të cilit është menaxhimi i emocioneve. Studime të tjera kanë vënë në dukje se hipokampusi që menaxhon kujtesën afatshkurtër është proporcionalisht më i madh te femrat se te meshkujt. Te truri i meshkujve, zonat që janë më të mëdha se truri i femrave janë ato të korteksit që merret me përpunimin e sinjaleve nga organet sensorë dhe që merret edhe me perceptimin e hapësirave, si dhe amigdala që kontrollon emocionet dhe sjelljen seksuale e shoqërore. "Fakti që një strukturë trunore është proporcionalisht më e madhe, ose më e vogël te të dy organet e trurit mashkullor dhe femëror, tregon se edhe funksionimi i tyre është detyrimisht i ndryshëm", thotë profesor Lerry Cahill i Qendrës për Studime të Memories në Universitetin e Kalifornisë. Një nga fokuset e kërkimeve shkencore ka të bëjë me mekanizmat e shtypjes së dhimbjeve. Mendohet se ato janë gjithashtu të organizuara ndryshe te meshkujt dhe te femrat. Një gjë e tillë do të shpjegonte faktin që femrat vuajnë më shumë nga dhimbjet afatgjata dhe ato kanë një reagim të ndryshëm ndaj ilaçeve qetësuese që kanë për bazë opiumin. Sipas një studimi, gratë qetësohen më shumë nga opoidi, nalbufina në krahasim me burrat, ndërkohë që te këta të fundit bën më shumë efekt morfina, pasi nalbufina rrit intensitetin e dhimbjes. Këto rezultate do të çojnë ehe në një orientim të ri të industrisë farmaceutike, pra te prodhimi i medikamenteve të ndryshme për meshkujt dhe për femrat. Shëndeti mendor është një tjetër zonë ku ndryshimet trunore vihen re me shumicë dhe mund të ofrojnë shpjegime për shumë çështje. Marrim rastin e depresionit. Femrat diagnostikohen dy herë më shumë me këtë sëmundje në krahasim me meshkujt dhe kjo mund të shpjegohet me nivelin e neurotransmetuesit serotinin. Nga ana tjetër, meshkujt kanë më shumë probabilitet që të diagnostikohen me autizëm në krahasim me femrat, me sindromën e touretit, dysleksit dhe skizofrenit. Hormone të tilla, si prostaglandis, që ndihmojnë në mashkullizimin e trurit para lindjes së foshnjës, mund të jenë pjesërisht shkaktare të këtyre ndryshimeve. Abuzimi me ilaçet është një tjetër fenomen që mund të shpjegojë ndryshimet në mënyrën e të sjellit. Meshkujt janë thuajse gjithmonë shumë më të prirur se femrat në përdorimin e kokainës. Por kur një femër e provon këtë drogë, ajo krijon varësi shumë më shpejt se një mashkull dhe del shumë më vështirë nga kjo situatë. Një nga arsyet se përse dallimet fizike mes trurit të meshkujve dhe femrave nuk janë vënë re më parë, është se pjesa më e madhe e studimeve të deritanishme është bërë mbi trurin mashkullor dhe atë të kafshëve, që do të thotë se duke u lënë jashtë femrat themelet e gjithë dijeve dhe përfundimeve të deritanishme nuk janë të forta. Profesorët e studimit të mësipërm, që kanë demonstruar me fakte ndryshimet e mëdha në procesin e dhimbjes mes mashkullit dhe femrës, çuditen që deri më tani të gjitha kërkimet shkencore në lidhje me trurin e njeriut nuk kanë përfshirë fare trurin femëror, duke e marrë të mirëqenë ngjashmërinë e tij me trurin mashkullor. Sipas tyre, nëse studimet synojnë arritjen e rezultateve, të cilat janë më pranë të vërtetës, duhet që të përfshijnë në të ardhme patjetër edhe trurin e femrës që, siç duket në hapat e parë të studimit të tij, është i ndryshëm me atë të mashkullit edhe në aspektin anatomik.
REZULTATET E ZBULIMIT MBI NDRYSHIMET FIZIKE TË TRURIT MASHKULLOR DHE ATIJ FEMËROR
-Vendimmarrja dhe aftësia për të zgjidhur probleme: Procese që ndodhin në lobin frontal, i cili është proporcionalisht më i madh te femrat -Kundërveprimi emocional: Kontrollohet nga korteksi limbik, që është proporcionalisht më i madh te femrat -Perceptimi i hapësirës: Kontrollohet nga korteksi parietal, që vë në funksionim mënyrën e të lëvizurit. Proporcionalisht është më i madh te meshkujt -Kontrolli emocional: Bëhet nga amugdala, që është proporcionalisht më e madhe te meshkujt. Kur kujtojmë skena me ngarkesa të mëdha emocionale, meshkujt e bëjnë me anën e djathtë të trurit, ndërsa femrat me anën e majtë. Meshkujt kujtojnë gjërat kryesore të një ngjarjeje, ndërsa femrat detajet -Shtypja e dhimbjes: Kontrollohet nga një zonë që ndodhet në mes të trurit, e njohur për një rol të rëndësishëm në shtypjen e dhimbjes te meshkujt, por jo në ato nivele te femrat Çfarë mendojnë ekspertë të ndryshëm: Rosie Boycott, themeluese e revistës "Spare Rib" Mes trurit të mashkullit dhe atij të femrës ka ndryshime të mëdha. Në vitet ‘70 kam parë feministe që kërkoni barazinë absolute mes të dyja sekseve, çka për mua është një budallallëk i vërtetë. Barazia nuk i zgjidh problemet, pasi meshkujt dhe femrat janë të ndryshëm, por plotësojnë njëri-tjetrin Oliver James, psikolog Studimi i mësipërm nuk sjell ndonjë gjë të re. Masa e pjesëve të ndryshme të trurit mund të jetë shkaktuar nga përvoja të ndryshme në fëmijëri dhe nuk ka të bëjë aspak me dallimet mashkull-femër. Për shembull, një femër, e cila ka pësuar abuzime seksuale në fëmijëri, ka një masë trunore më të vogël në zonën e hipokampalit, se sa një grua që nuk e ka pasur një përvojë të tillë. A. C. Grayling, filozof Ky zbulim nuk ka të bëjë vetëm me dallimin mes sekseve, por edhe me atë mes racave e popullatave të ndryshme, të cilat kanë mënyra reagimi të ndryshme ndaj sëmundjeve të ndryshme dhe ndaj medikamenteve të ndryshme. Phillip Hodson, psikoterapist Ky fakt mund të përdoret për të forcuar stereotipet dhe kjo është shumë shqetësuese. Njerëzit kanë nevojë të kuptojnë se, pavarësisht ndryshimeve, janë të barabartë dhe se nuk ka punë që mund t‘i bëjnë burrat e punë që mund t‘i bëjnë vetëm gratë. Nuk mendoj se meshkujt janë nga Marsi dhe femrat nga Venusi. Ne jemi të gjithë nga Toka.