Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Leon Duhanaj: Vetëvendosje, jo Vetëfundosje!

| E marte, 14.04.2015, 08:08 PM |


VETËVENDOSJE, JO VETËFUNDOSJE!

Nga Leon Duhanaj

Vetëvendosja, ky parim i shenjtë, mbi të cilin ndodhi rilindja e shumë kombeve. Parimi dhe e drejta e vetëvendosjes është një e drejtë universale dhe e patjetërsueshme e të gjithë popujve.

Vetëvendosja është një nga çështjet  me delikate, më të diskutuara të drejtës ndërkombëtare.

E drejta për vetëvendosje e popujve është argumenti me thelbësor, i popujve liridashës, për të argumentuar kërkesat e tyre kulturore, politike, gjuhësore e socio-ekonomike.

Këndej, nuk guxon dhe askush nuk ka të drejtë,  ta minimizoj dhe  ta shndërroj në një koncept, lokal, për interesa të paqarta dhe orientime të mjegullta e të qullta.

Askush nuk gëzon të njëjtën, të përcaktoj, apo vlerësoj  shkallen e patriotizmit të një individi, grupi apo një shoqërie të terë.

Secili individ , mbi bazën dhe parimet e demokracisë, gëzon të drejtën dhe lirinë  e mendimit dhe mënyrës së vetë të shprehurit të atdhedashurisë, duke respektuar të drejtën e patjetërsueshme për t’u shprehur lirshëm.

Kush dhe në çfarë baze, ka të drejtë t’i mohoj këto të drejta? Aq me pak, duke u thirrur në vlerat dhe parimet e vetëvendosjes, demokracisë, transparencës etj.

Kush ka të drejtë, t’ia rezervoj vetës të drejtën e përcaktimit dhe vlerësimit apo matshmerinë e patriotizmit dhe atdhedashurisë, tek të tjerët?

Jo, askush nuk  ka këtë të “drejtë”, sepse aty ku fillon kjo e “ drejtë”, përfundon e drejta e individit, e grupit dhe shoqërisë, e njohur dhe e respektuar botërisht, si vlere e demokracisë nga bota e  qytetëruar.

Secili qytetar, në mënyrën e vetë, i ka kontribuar këtij vendi, dikush më shumë e dikush me pak, gjithnjë sipas mundësive, kanë dhënë kontribut për lirinë të cilën e gëzojmë sot. Këtë  kontribut për liri, nuk ka të drejtë askush që ta privatizoj, qoftë për qëllime politike apo çfarëdo qofshin ato.

Ne, shqiptaret, për fat të keq, kemi arritur që, shumë vlera dhe procese të cilësuara demokratike, t’i degradojmë, si rezultat i injorancës sonë, frikës nga vlerat e mirëfillta, nga konkurrenca, dhe nga e vërteta.

A po shkojmë drejtë degradimit të vlerës së konceptit global, mbi të drejtën e vetëvendosjes, duke e minimizuar,reduktuar dhe ngulfatur atë?

Jo, kjo nuk guxon të na ndodh, prandaj apeloj tek të gjithë ata njerëz të cilët janë pjesë e proceseve, për refleksion, në mënyre që t’i shpëtojmë grackës së interesave meskine, duke ruajtur, të drejtën për vetëvendosje, si vlerë të patjetërsueshme globale, pjesë e së cilës, padyshim që duhet me qenë e drejta dhe liritë  individuale.

( Autori është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, i Lëvizjes Vetëvendosje)