| E enjte, 26.03.2015, 08:36 PM |
NË BUKURITË E KRYEQYTETIT TË VERIUT
-Shënime udhetimi nga Sanpietërburgu-
Nga Ndue Lazri
Kur po afrohej 30-vjetori i martesës me bashkëshorten time, Zhanin, po mendoja për ndonjë surprizë të veçantë. U kujtova që në vitet e rinisë sonë të dy ishim të dashuruar me letërsinë, artin e kulturën ruse. Tek lexonim kujtimet e Kadaresë dhe krijimet e tij për ambientet moskovite të kohës studenteske, por edhe lirikat e poetëve rusë me berjozka e ambiente përrallore, apo shikonim pikturat e Rjepinit e baletet e mrekullueshme ruse, shpesh ëndërronim për ndonjë udhëtim në ato anë. Por gjer aty guxonim, në kufijtë e ëndërrimit, se në kohën e regjimit totalitar kapërcimi i kufijve ishte një privilegj që e dinim se nuk do na përkiste kurrë.
Por tani, pas 30 vjet martese, kur komunizmi kishte vdekur edhe në strofkën e tij, në ish-Bashkimin Sovjetik, e ne ndodheshim në emigrim në Itali, ajo ëndërr nuk dukej aq e parealizueshme. Kishim patur kënaqësinë të vizitonim Barcelonën, Parisin, Athinën, Montecarlon. E pse të mbetej larg ëndrra ruse?…
***
Ishte ora 20.30 e një mbrëmjeje fundkorriku, kur arritëm në aeroportin “Pulkovo” të Sanpietërburgut. E megjithatë ishte ditë. Në fillim nuk po orientoheshim. Por kur nga kati i 18-të i hotelit “Azimut”, në breg të Fontankës,(një degë e lumit Neva),vazhdonim të shikonim dritë mbi qytet edhe pasi kishte kaluar mesnata, e kuptuam se kishim të bënim me fenomenin e Netëve të Bardha, për të cilin kishim lexuar dikur në një libër të Dostojevskit.Të emocionuar zbritëm në rrugë për ta përjetuar më mirë këtë fenomen. Kishte pak njerëz, kryesisht turistë, që ashtu si ne filmonin Sanpietërburgun me dritë natyrore edhe në ato orë të vona të natës. Praktikisht vetëm për nja dy orë intensiteti i dritës u ul deri në nivelin e muzgut të zakonshëm europian, pastaj drita e gjallë u rikthye sërish e u bë ditë. Ndërsa ne lëviznim rrugëve, banorët e qytetit me siguri flinin. Për ata një fenomen i tillë është më se i zakonshëm.Vetëm aty - këtu na zinte syri ndonjë rus tek lëvizte me shishen e votkës në dorë. Bile edhe në orët e para të mëngjesit na qëlloi të shikonim ndonjë prej tyre me shishen tashmë thuajse të boshatisur, tek lëviznin duke kënduar nën zë ato këngët karakteristike ruse. Nuk mund te them se dehja ishte një fenomen tipik, pasi edhe në gjendjen e tyre ata ishin aq të kthjellët sa të mos i hidhnin shishet boshe rrugëve duke ndotur qytetin, por i linin në ndonjë qoshe ku mund t’i merrnin ata që pastronin qytetin.
Duke lëvizur nëpër rrugë, një gjë na ra në sy menjëherë: Ata që kanë ndërtuar qytetin nuk e kanë patur problem hapësirën. Në fakt , perandori Pjetri i Madh, me qëllim kishte thirrur një arkitekt francez, i cili paraqiti një projekt unikal për ndërtimin e qytetit. Pjetri i shpjegoi që donte të ndërtonte një qytet me tipare perandoreshe. Dhe arkitekti francez Leblanc u mbështet mbi dëshirat e kërkesat e parandorit në hartimin dhe zbatimin e atij projekti që ishte baza e Sanpjetërburgut të sotëm.
Të gjitha
rrugët (qoftë edhe ato më të voglat) ishin shumë të gjera. Nuk ekzistonte
ankthi i parkimit, qoftë edhe në qendër të qytetit, gjë që është një incubo në
vendet perëndimore, sidomos në Itali, ku ne jetojmë prej vitesh. Bulevardet,
shetitoret buzë Nevës e kanaleve të tjera të saj, sheshet, parqet e shumtë
ishin të hapësirave marramendëse. Projektuesit dhe ndërtuesit e qytetit kanë
qenë largpamës në zgjidhjet urbane aq sa
problemi i trafikut edhe për shumë e shumë kohë nuk do të ekzistojë në këtë
qytet. Mbase ai i zbatimit të rregullave të qarkullimit, po, pasi vërehej
njëfarë kaosi në lëvizje, gati si në
Idea që projektuesit dhe ndërtuesit e kanë patur hapësirën pa kursim, reflektohet edhe në faktin që në pjesën më të madhe zotërojnë ndërtesat e ulta që arrijnë deri në 5-6 kate.Nuk ka grataçiela dhe hapësirën e zotërojnë kupolat e shumta e të praruara, karakteristike për kishën ruse dhe supremacinë e saj, e që e tërheqin menjëherë shikimin dhe vëmendjen e vizitorit.
***
Më pëlqen
që në nisje të këtij reportazhi mbi Sanpietërburgun të ndalem në Sheshin e
Dekabristëve, aty ku ngrihet monumenti i Pjetrit të Madh, që është edhe
themelues i këtij qyteti.I ngritur në atë shesh të madh në breg të lumit Neva,
ai është monumenti i parë skulpturor në Rusi.I projektuar dhe realizuar nga
skulptori francez Falconet dhe dy ndihmës të tij, monumenti ishte dhuratë
dhe nderim i veçantë që Katerina e
dytë,ose Katerina e Madhe e Rusisë, i bënte themeluesit të qytetit në festimet
e njëzet vjetorit të uljes së saj në fron,(më 7 gusht 1782).
Me siguri edhe vetë Pjetri i Madh, me gjithë vizionin e tij të gjerë, nuk e kishte imagjinuar që Sanpietërburgu do të kishte një ditë shtrirjen, bukurinë dhe magjinë që ka sot. Duhej shieja dhe ambicja artistike e një femre për të arritur deri këtu. Veprën e tij do ta vazhdonte e bija gazmore, Elisabeta Petrovna. E ndjeshme ndaj bukurisë dhe finesës artistike në ndërtim, e pajisur me kulturë, ajo iu kushtua stilit barok dhe gjatë 20 vjetëve që qëndroi në fron ndërtoi kryevepra, të cilat ia shtojnë aq shumë hijeshinë ish-kryeqytetit të veriut, siç quhej në ato kohë. Ajo ftoi në oborrin e saj arkitektë me talent, në mes të të cilëve italianin Rastrelli. Nga mendja dhe duart e tij doli një kryevepër e arkitekturës botërore si Pallati i Dimrit e pastaj plot të tjera që i kanë rezistuar kohës. Këtij arkitekti Elisabeta i shprehu edhe një ëndrër të saj personale: Të ndërtonte manastirin e parë femëror në Rusi, ku ajo të tërhiqej në lutje herë pas here. Për këtë zgjodhi një vend të bukur në rrethinat e pallatit Smolljanij që kishte ndërtuar i ati. Prandaj edhe manastirit do t’ i jepej emri Smollnij. Arkitekti italian punoi me pasion, me shije e fantazi dhe projektoi një nga ndërtesat më të bukura të stilit barok në Rusi. Ai kishte planifikuar të ndërtonte tek ky manastir edhe katedralen më të lartë prej 140 metrash. Por punimet u ndërprenë nga e ashtuquajtura Lufta e 7 vjetëve dhe nga vdekja e vetë Elizabetës, e cila nuk e pa kurrë të realizuar plotësisht ëndrrën e saj. Vetëm pas 60 vjetësh nga fillimi i punimeve, katedralja u përfundua sipas projektit, por nuk shërbeu kurrë si manastir femëror. Megjithatë ajo mbetet ndër katedralet më të bukura dhe është një rrezatim i vërtetë i gjenisë në arkitekturë. Në fasadat e saj sikur shkrihen ngjyrat e kthjellta të qiellit me ato të ujrave të Nevës, në një transparencë gati kristaline, mbi të cilat ngrihen katër kupola, si të ndërtuara në qelq të brishtë e të praruar.
Por shkëlqimin më të madh Sanpietërburgut ia dha një grua tjetër e bukur, energjike, ambicioze, inteligjente dhe e vendosur, Katerina e dytë, e mbiquajtur më vonë me respekt Katerina e Madhe. Ajo kaloi me ëmbëlsi e elegancë nga stili barok në atë klasiçist. Shpirtit të fuqishëm të Pjetrit te Madh ajo i shtoi inteligjencën dhe shijen e saj të hollë dhe e bëri Europën të shikonte e habitur mrekullinë arkitekturore e artistike që po realizohej në Sanpietërburg. Përveç Pallatit të Dimrit, luksi i shfrenuar dhe eleganca e qytetit perandorak vërehen tek Kopshti Veror, ku pallati veror i Pjetrit të Madh është i rrethuar nga një park i mrekullueshëm prej 12 hektarësh, me gjelbërimin ku të gjitha stinët shpalosin magjinë e ngjyrave të tyre, me skulptura që mahnisin me bukurinë e rrallë e me shatrivane që përcjellin muzikën qetësuese të ujit. Por një nga komplekset më brilante e me një bukuri të mahnitshme është ai që quhej oborri i Pjetrit, ose Peterhov. Kjo ishte rezidenza e pritjeve madhështore që Pjetri i Madh me qëllim e ndërtoi në brigjet e Gjirit të Finlandës, si një monument madhështor që i tregonte botës shtrirjen e Rusisë mbi Detin Balltik. Ujvara e Madhe, shatrivanet e shumtë që krijojnë një ylber të përhershëm, statujat e panumërta, kopështet, pallatet që harmonizohen si në një të vetëm, përbëjnë një nga magjitë më të mëdha të Sanpietërburgut. I një bukurie të veçantë është ai që quhet Carskoje cello (fshati i carit). Edehe qytetari më i privilegjuar do ta pranonte me dëshirë të ishte fshatar i atij “fshati”. Kopshtet e mahnitshme dhe pallati madhështor i Katerinës e përbëjnë këtë fshat një margaritar të arkitekturës e natyrës sanpietërburgase.
Pjetri i Madh e Katerina e Madhe. Dy personazhe të shquar, dy emra të mëdhenj, që qëndrojnë të gdhendur pranë e pranë edhe në shkëmbin e monumentit në Sheshin e Dekabristëve. Një legjendë ruse thotë se sa kohë monumenti i Pjetrit do të qëndrojë në këmbë, Sanpietërburgu nuk do të ketë mort. E koha ka treguar se si monumenti, ashtu edhe ky qytet, kanë ditur t’u qëndrojnë rrebesheve të historisë.
***
Të qëllon të dëgjosh mes turistëve perëndimorë të thonë jo pa njëfarë tendence: “I bukur është Sanpietërburgu”, por vetëm 300 vjet histori ka. Është e vërtetë se qyteti në vitin 2003 festoi 300-vjetorin e themelimit të tij. Por, si për t’i treguar botës se rrënjët historike të kësaj pjese të Rusisë janë diku më thellë, Pjetri i Madh i kushtoi kujdes të veçantë nderimit dhe lartësimit të figurës së një pararendësi të tij legjendar, princit të Novgorodit, Aleksandër Nevskij. Kur në vitin 1240 suedezët sulmuan tokat në perëndim të Nevës, princi, që kishte moshën 19 vjeç, organizoi një qëndresë heroike dhe i mposhti armiqtë pikërisht në brigjet e Nevës. Në nderim të figurës së tij, në vitin 1710, Pjetri i Madh dha urdhër të ndërtohej një manastir me emrin “Trinia e shenjtë”. Aleksandër Nevskij u shpall shenjtori i dytë mbrojës shpirtëror i qytetit, përkrah Shën Pjetrit. Atij i është kushtuar edhe njëra nga 300 urat më të mëdha të Sanpietërburgut. Ndërsa në një nga sallat e Pallatit të Dimrit është varri i i argjendtë i këtij princi. Për ndërtimin e tij janë përdorur një ton e gjysmë argjent, aq sa arrinte të nxirrte në atë kohë gjatë një viti një nga minierat e argjendit të Rusisë.
***
Padyshim, padurimi i turistit, kur vjen në Sanpietërburg, është për të vizituar në radhë të parë Ermitazhin, një nga muzetë më të mëdhenj (në mos më i madhi) dhe më të pasurit në botë. I vendosur në sallat e Pallatit të Dimrit, të Ermitazhit të vjetër e Ermitazhit të ri,që janë pjesë në vazhdim të të njëjtit kompleks arkitekturor, ai tërheq çdo ditë me mijëra e mijëra dashamirës të artit nga të gjithë kontinentet.
Impresionohesh që kur hyn në sheshin e paanë përpara pallatit. Kolona madhështore, por edhe aq fine e delikate e Aleksandrit, me lartësinë 47.5 metra konsiderohet më e larta në botë. Harku gjigand i Shtatmadhorisë plot gdhendje e skulptura të mrekullueshme nga njëra anë dhe ndërtesa imponente e luksoze e pallateve që përbëjnë muzeun, formojnë një tërësi harmonike, që, në shikim të parë të lënë gati pa frymë.
Por emocionet më të shumta i provon hap pas hapi, duke kaluar njërën pas tjetrës sallat e shumta, ku luksi dhe bukuria e veprave të artit janë në konkurencë e njëkohësisht në harmoni të pashoqe. Ndodhesh përpara kryeveprave botërore si “Danaja” e Rembrandit, apo veprave të shumë autorëve të mëdhenj si Da Vinçi, Mikelanxhelo,Raffaello,Tiziano,Giorgione,Rubens,VanGog,Goghen, Francisco Goya Matis,Renuar,Kandinskij e mijëra të tjerë dhe të duket si ëndërr që ke mundësinë t’i sodisësh nga afër.Në gjendjen e një dehjeje e gati trullosjeje totale kalon nga njëra tek tjetra e të vjen keq që je nën morsën e kohës dhe shpesh detyrohesh t’u hedhësh vështrime fluturimthi. Kryevepra e Rembrandit “Danaja”, në vitin 1985 rrezikoi të asgjësohej përfundimisht. Dikush e goditi me thikë në dy pika të ndryshme dhe hodhi mbi të acid sulfurik. Dëmi ishte aq i madh sa në fillim specialistët menduan se nuk kishte rrugë tjetër veç të bëhej një kopje e re e saj. Por nuk do të ishte më dora e Rembrandit. Atëherë iu vunë një pune restauruese që zgjati 12 vjet, për ta sjellë thuajse plotësisht në gjendjen e saj të para atentatit.
Autorët janë kaq të shumtë sallave të Ernitazhit e numri i veprave është kaq i madh sa edhe pse i kushtojmë një ditë të tërë, nuk arrijmë t’ia shohim fundin.Autorë si Picasaso,Goghen,Matis e ndonjë tjetër janë të përfaqësuar në mënyrë më të plotë e punimet e secilit zënë 2-3 salla. Ndërsa Da Vinçit, edhe pse ka vetëm dy punime,i është lënë në dispozicion salla më e madhe e më luksoze e pallatit.E është pikërisht aty ku vizitorit i duhet të rrijë të presë në radhë për të soditur veprat e artistit të madh italian me famë botërore.
Janë të shumta sallat e ambientet, ku luksi, mrekullitë arkitekturore, finesa e ndriçimit dhe e ekspozimit të veprave të artit, të mahnisin me bukuritë e tyre. Të tilla janë llozha e Raffaellos, Salla e Pjetrit, salla e malakiteve, shkalla e galës apo shkalla Iordanskaja, siç quhet ndryshe.
Do të ishte e pakuptimtë të rrija e të ndalesha në emra veprash e autorësh, sepse nuk do mjaftonin libra të tërë, por ndjen një kënaqësi të papërshkrueshme kur shikon turmat e pafund të vizitorëve që formojne radhët e gjata për të hyrë në muze.Ato vepra, që i dhanë shkëlqim të veçantë botës e shpirtit njerëzor në kohën kur u krijuan, sot e kësaj dite vazhdojnë të transmetojnë pasuri të panumërta shpirtërore e materiale në dobi të brezave. E të mendosh se shumë nga autorët e këtyre veprave nuk e njohën luksin,madje shpesh punuan të privuar edhe nga mjetet më të nevojshme të jetesës. Por ata kishin forcën e pasurinë magjike të talentit të tyre, që do të vazhdojnë t’u transmetojnë brezave atë që asnjë forcë e madhe ekonomike nuk do të arrinte ta bënte sot. Ndaj kjo pasuri e pamatshme ruhet me rreptësi si nga agjentët atmosferikë, ashtu edhe nga çmenduritë e njerëzve. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, meqenëse gjatë historisë Pallati i Dimrit ishte sulmuar shpesh, veprat e artit të Ermitazhit u transferuan me trena dhe u fshehën në Urale deri në vitin 1945, që të mos pësonin dëme nga lufta.
***
Kur
mbyllet muzeu ka rënë mbrëmja, por është ende dritë. Marrim urën më të afërt
për të dalë në bregun tjetër të Nevës. Synimi ynë është të arrijmë tek
kryqëzori “
Arrijmë
tek kryqëzori
***
Dita tjetër qëlloi e hënë dhe tërë muzetë ishin mbyllur. Dolëm nëpër rrugë për të parë jetën e zakonshme të qytetit. Hyjmë në një nga tregjet, ku veç çmimeve te larta asgjë tjetër nuk të bënte përshtypje. Pas disa vitesh nga ky udhëtim Zhani do më thoshte: -Si nuk u kujtove të më bleje një samovar (çajnikun e famshëm rus) kur ishim në Sanpietërburg…Faktikisht, sa ishim atje nuk u kujtuam, se ishte verë, por mbetet një nga obligimet e mia që në rastin më të parë të porosis një samovar që të ma sjellin nga Rusia.
Shëtisim buzë kanaleve të ndryshme të Nevës, plot ura të zbukuruara me skulptura të ndryshme. Na kujtohet disi Venezia, por këtu përmasat e kanaleve e urave janë gjigante. Ngado ndërtesa që tërheqin me arkitekturën e tyre. Rruga kryesore dhe më e vizituara e qytetit quhet Prospektiva Nevskij. Ajo është e mbushur në tërë gjatësinë e saj me ndërtesa të tilla. Tepër e populluar e në gjallëri ditë e natë. Hypim në autobuzët e vegjël e të mbushur plot e përplot me udhëtarë, ku ti paguan por askush nuk ta zgjat biletën. Me taksitë duhet të kesh kujdes sepse të bëjnë të paguash të paktën dyfishin e asaj që kushton në të vërtetë.Vetëm kur iu drejtohesh në rusisht, janë gati të bëjnë pazar e ta ulin çmimin. Edhe në restorante është mirë të mbash përherë rubla të vogla me vete, sepse përgjithësisht nuk të kthejnë kusur e të mbajnë më shumë nga bakshishi që ke menduar të japësh. Natyrisht, në një qytet, që megjithëse është i dyti në Rusi për prodhim industrial shumë veta jetojnë me turizmin, fenomene të tilla janë të kuptueshme e, natyrisht, nuk janë këto që mund të prishin kënaqësinë e qëndrimit në Sanpietërburg. Bile, kur i mendon pastaj,të vjen vetvetiu një buzëqeshje.
Ndërtesat që na tërheqin më shumë vëmendjen janë kishat e katedralet.Shkojmë të vizitojmë disa prej tyre. Kisha e ringjalljes së Krishtit, një nga simbolet e Sanpietërburgut, të habit me shumëllojshmërinë e formave e të ngjyrave, që e bëjnë atë një monument unikal. Por edhe historia e saj është e veçantë e dramatike. Më parë ajo quhej”Shpëtimi i gjakut të derdhur”. Në këtë pikë në breg të Nevës në vitin 1881 një terrorist, që i përkiste organizatës “Vullneti i popullit” vrau perandorin Aleksandri i dytë. Në kujtim të tij u ngrit dy vite më vonë kjo kishë, e ndërtuar sipas stilit të arkitekturës ruse e që përfaqëson edhe sot një nga realizimet më të veçanta të kësaj arkitekture.
Më tej Katedralja e Madonës së Kazanit, me kupolën madhështore e formën e harkuar të fasadës ballore përbën një nga realizimet më të bukura arkitekturore të Prospektiva Nevskij. Katedralja e Sant Isakut, me kolonat madhështore në të katër anët e saj e ambientin përreth, është një nga pikat më tërheqëse të qytetit.Të vizituarit e këtyre objekteve, kërkon shumë kohë. Por kërkon edhe t’i bësh llogaritë mirë. Në secilën prej tyre duhet të paguash si çmim bilete të njëjtin që paguan për të vizituar Ermitazhin. E nëse do që të përdorësh edhe videokameran e makinën fotografike duhet të paguash mbi 20 euro apo 30$ për secilin objekt. Kështuqë në morinë e monumenteve të duhet të seleksionosh e të zgjedhësh ata më kryesorët për t’i vizituar edhe brenda.
***
Sanpietërburgu është qyteti i Pushkinit. I lindur në afërsi të Fshatit të Carit, ai u rrit në ambientet aristokratike të familjes perandorake, u formua me kulturë franceze (e njihte frëngjishten më mirë se rusishten) dhe në ambientet e këtij qyteti arriti të bëhej poeti më i madh i gjithë Rusisë. Emrin e tij e gjen gati kudo. Në Prospektiva Nevskij është kafeneja Wulf, ku ai shkonte gjithnjë për të pirë kafenë e ku takohej me artistë e intelektualë të tjerë të qytetit. Më tej është teatri që mban emrin e tij. Apartamenti ku ai jetoi vitet e fundit në rrugën Mojka buzë Nevës dhe ku vdiq pas plagosjes në duel, është muze që vizitohet nga turistë prej të gjitha anëve të globit. Aty është salla e tij e punës me bibliotekën shumë të madhe, dhomat e ndenjes e ambientet ku priste miqtë, disa nga objektet e tij personale (shumë të tjera janë dërguar në shtëpinë e tij muze në Moskë), një konfeksion me armët e tij etj. Ai ishte poet i dashuruar në oborrin perandorak dhe në kopshtin e pallatit luksos të Katerinës, në një pejsazh poetik mes gjelbërimit, ka një nga monumentet e tij.
Sanpietërburgu me bukuritë e tij, me klimën e ambientet tërhiqte shumë artistë, jo vetëm shkrimtarë, por edhe muzikantë, piktorë, balerinë nga e gjithë Rusia. Këtu jetoi për shumë kohë e vdiq një nga kompozitorët më të mëdhenj rusë, Çajkovskij. Në vitet e fundit të tij jetoi e punoi këtu shkrimtari tjetër i madh, Dostojevskij. Apartamenti ku ai punoi derisa u nda nga jeta e ku shkroi romanin e tij të fundit “Vëllezërit Karamazov” është muze. Në varrezën e artistëve në Sanpietërburg prehen edhe kompozitorë të tjerë të njohur si Musorgskij, Glinka, Rimskij-Korsakov, vëllezërit pianistë Rubinshtejn, si dhe balerinë, piktorë e artistë të tjerë.
Në vitet e fundit të shekullit të 19-të e vitet e para të shekullit të 20-të jeta kulturore artistike e Sanpietërburgut filloi t' i ngjajë pak stilit liberty, pak a shumë si në ambientet pariziane. Shkrimtarët, artistët dhe intelektualët takoheshin në orët e çajit dhe mbrëmjeve nëpër lokale e sallone, organizonin diskutime, koncerte e ekspozita, duke e gjallëruar shumë jetën kulturore të qytetit. Epiqendra dhe perandoresha e pakurorëzuar e kësaj jete tërheqëse e të bukur ishte bërë poetja rebele Ana Ahmatova. Populli i Sanpietërburgut ishte i dashuruar pas saj. Ai i ka dedikuar me dashuri disa monumente në rrugë e sheshe të ndryshme të qytetit dhe shtëpia ku jetoi për 30 vjet është ndër muzetë më të vizituar. Tridhjetë vitet që vazhdoi pak a shumë kjo atmosferë quheshin “shekulli i argjendtë”, që do të ndërpritej nga era e revolucioneve, së pari ai i vitit 1905 e pastaj Lufta e parë botërore dhe revolucioni i tetorit, i vitit 1917.
Pikërisht
në vitin 1905 në jetën e oborrit rus hyri si papritur një figurë e çuditshme,
misteriose, por shumë karizmatike, prifti muzhik i ardhur nga
Kjo gjë
zgjoi zilinë e urrejtjen e kabinetit qeveritar, të disa ministrave, që i
ngritën një kurth për ta zhdukur. Ministri Jusupov, me dy-tre të tjerë, e ftoi
në shtëpinë e tij, duke i premtuar që do ta njihte edhe me një damë elegante,
praktikisht gruan e tij, (e cila atë natë faktikisht do ishte jashtë qytetit).
Gjatë mbrëmjes i ofruan të pinte
Vrasja e tij u prit me njëfarë indiference nga cari. Mbase nga që kishin filluar të qarkullonin zëra të njëfarë afrimi të dyshimtë të careshës me Rasputinin. Nuk u bënë hetime. Madje Jusupovit iu dha një nga pallatet luksoze të Sanpietërburgut.
Rasputini iku kur Rusia ishte në kulmin e ngjarjeve luftarake e të revolucionit.- Në atë mënyrë ikjeje të Rasputinit të plagosur, duke u zvarritur nëpër dëborë,- shkruan gazetari italian Ferruccio Gattuso,- ishte vetë Rusia që po ikte, Rusia e vjetër tashmë jashtë kohës, e kacavarur në një botë që historia po e flakte tej.
U përmbys
perandoria dhe pushteti i carëve dhe erdhi “cari i ri”, Partia bolshevike.
Lenini, ia hoqi Sanpietërburgut edhe emrin e kryeqytetit dhe bëri të tillë
Moskën. E, për më tepër, i vuri emrin e tij qytetit, duke e quajtur
***
Një kënaqësi më vete në Sanpietërburg përbën udhëtimi me metro.Impressionuese kur fillon zbritjen nën dhe me shkallën e lëvizshme, së cilës nuk i shihet fundi.Të duket sikur do të zbresësh në qendër të tokës si në romanet e Zhyl Vernit. Natyrisht, duhet të arrish nën nivelin e shtratit të Nevës, që është lumë i thellë dhe i lundrueshëm.Vetëm duke kaluar nga stacioni në stacion, nëpër trenat ku nuk gjen vend per t’u ulur, e kupton sa e madhe është popullsia e qytetit dhe se çfarë gjallëri lëvizjeje ka. Stacionet janë të bukur e shumë të pastër. Kur je në shkallën e lëvizshme vëren se njerëzit vendosen në njerën anë të saj, duke e lënë gjysmën tjetër të shkallës bosh. Arsyen e kuptuam vetëm kur pamë se kishte plot nga ata që nxitonin dhe e konsideronin të ngadaltë lëvizjen e shkallës. Ata vraponin, shpesh duke i kapërcyer shkallët nga dy e nga tri. Nxitimi tipik i njeriut rus, që dikur më kishte bërë aq përshtypje te drama “Orët e Kremlinit”.
Afër mesnatës po i afroheshim hotelit dhe u kujtuam të futeshim në një dyqan për të blerë votkë. Kur ia thamë shitësit, ai na tregoi një kartelë ku shkruhej se pas orës 23 ishte e ndaluar shitja e pijeve alkoolike. Në një kuptim na erdhi keq, por nga ana tjetër menduam se sa mirë do të ishte të vihej një ligj i tillë edhe në Itali, ku pijet alkoolike në diskoteka shiten deri në 3 të mëngjesit, duke bërë që në çdo fund jave të ketë dhjetra viktima të rinjsh nga aksidentet mobilistike gjatë kthimit nga diskoteka. Por keqardhja jonë zgjati vetëm për një çast, pasi shitësi na bëri shenjë të prisnim. Pasi mbaroi me klientët e tjerë,i tha dikujt që të mbyllte derën.
-Sa shishe doni?-na u drejtua pasi dera u mbyll.
Morëm aq sa deshëm të merrnim dhe dolëm. Njeriu që kishte mbyllur derën ishte në uniformë ushtarake. Mësuam se ai dhe shitësi ishin vëllezër dhe se administronin një numër dyqanesh përgjatë asaj rruge.
***
Ditën
tjetër kishim vendosur të vizitonim muzeun
e rezistencës së popullit të Leningradit, në periudhën e Luftës së dytë
botërore. Dihet nga historia që Leningradi luftoi për 900 ditë nën një rrethim
të egër të nazistëve gjermanë, pasi Hitleri kishte vendosur ta zhdukte nga
harta si qytet. Qëndresa qe e jashtëzakonshme, në kushtet e një urie që çdo
ditë merrte qindra jetë njerëzish.
Na u desh
shumë kohë gjer ta gjenim muzeun. Mjaft nga ata që i pyesnim, megjithëse banorë
Mësojmë se pas luftës, në vitin l948, Stalini, në vazhdim të represioneve të tij, pushkatoi ish-drejtorin e këtij muzeu dhe e mbylli institucionin. 37 mijë reliktet e tij u asgjësuan apo u shpërndanë. Synimi i Stalinit ishte të errësonte rezistencën heroike të 900 ditëve të Leningradit, për të himnizuar betejën e Stalingradit. Kjo e shpjegon varfërinë e muzeut dhe ndrojtjen e pavullnetshme për ta vizituar atë. Edhe 50 vjet pas vdekjes së Stalinit, dukej sikur njerëzit i trembeshin ende ndjekjes së tij.
Vetëm pas rrëzimit të komunizmit muzeu u hap në përmasa të zvogëluara, me ato materiale që u dhuruan nga ish-mbrojtësit e Leningradit që i kishin shpëtuar represionit stalinist.
Pas rrëzimit të komunizmit, Sanpietërburgu rifitoi emrin dhe shkëlqimin e tij në sytë e botës. Presidenti Putin, që është nga ky qytet, ka këmbëngulur për të dhënë fonde që Sanpietërburgu të zhvillohet më tej. Gjatë fushatës elektorale për president ai u bëri edhe një premtim tjetër bashkëqytetarëve: që ta rishpallte Sanpietërburgun kryeqytet të Rusisë, siç ka qenë dikur. Siç dihet, pas fitores së zgjedhjeve shumë premtime elektorale harrohen.
Por populli nuk harron. Edhe atëherë kur fal.