| E enjte, 19.03.2015, 07:12 PM |
Rrustem Geci - poezi promemoriale
P R I Z R E N I
A do të jemi në kohë historike
mbi Prizren ende ka ré të zeza
rënia e himnit s´mund të ndodhë
flaka e këngëve vetëm po shtohet
Ky qytet njëzotësh i shqiptarëve
shkruan Gjirokastra për Prizrenin
është përtej 7 mrekullive të botës
Prizreni ujin e vet e njeh nga etja
Është vullnet qytetar i shqiptarve
dhe gjak i të gjithë shekujve tanë
që kombi ynë më të mos bëj burg
për çlirim tokash dhe kryengritje
Atdheu, sot po bisedon në Prizren
Në shtëpinë - shekull të Lidhjes
aty ka një Këshill që po vendosë
që Prizreni të jetë Vlora e vërtetë
A do ta bëjë këtë histori Atdheu
që n´Prizren të shpallet Bashkimi
retë në qiell mund të kenë rrufe, po
Nusja e kombit sot do kurorëzohet!..