| E enjte, 19.03.2015, 07:59 PM |
Dy fjalë për “Frymë pranverore”…
Nga Entela Binjaku
Javën e kaluar në mjediset e Frymës së Re Demokratike u çel ekspozita me titull “Frymë pranverore” si ide e Olgert Rakipllarit, një djalë i cili më shumë se fjalë, ka punë.
Në këtë ekspozitë punimesh të artit pamor morën pjesë të rinj nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare.
Me punimet e kësaj ekspozite Olgerti dhe kolegët e tij artistë, do të hartojnë një katalog ndaj kërkuan edhe përshtypjet e mia mbi këtë aktivitet që u mbajt në pasditen e datës 13 mars.
Ky është dhe dedikimi im.
"Organizimi i një aktiviteti kulturor, është një mundësi që ju jepet pjesëmarrësve për t’ju gëzuar disa çasteve të bukura, për të ndarë ndjesi të mira, për të zbutur me disa milimetra natyrën njerëzore e për të pasuruar ndoshta me po kaq njësi, botën e tyre të brendshme.
Kur këto aktivitete ndodhin shpesh dhe efektet përsëriten, dobishmëria e tyre është edhe më e madhe, jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për të gjithë ata që komunikojnë e bashkëveprojnë me ta.
Këto ishin disa nga përshtypjet me të cilat u ndava nga ekspozita “Frymë Pranverore” 2 e cila erdhi këndshëm, me një harmoni kombinimesh e energji rinore në vigjilje të “Ditës së verës”.
Organizatorët kishin treguar një kujdes të posaçëm për të përcjellë artin e tyre si një tërësi vlerash dhe teknikash falë të cilave çdokush gëzon lirinë e të shprehurit.
Veçantia e këtij aktiviteti qëndron pikërisht në faktin se ai “serviret” në një mjedis politik.
Për një shoqëri në zhvillim si jona, e dalë nga një e kaluar e regjimit totalitar, ndërthurja e artit me politikën, nënkupton një hap më tej drejt demokracisë, sepse arti në vetëvete është një përpjekje e qëllimtë rezistence, gjë për të cilën ne si shoqëri kemi shumë nevojë.
Ekspozita “Frymë Pranverore” meriton të vlerësohet edhe si një dukuri e re kulturore brenda mjediseve të politikës sonë, për të ndihmuar të rinjtë të eksplorojnë në mënyrë inteligjente, kufijtë mes artit dhe politikës, prej ndërthurjes së të cilave, sot mund të flasim për “estetikën e politizuar” dhe “politikën e estetizuar”.
“Frymë pranverore” mbylli edicionin e dytë.
Me urimet më të mira për të rinjtë artistë, me besimin se e ardhmja e tyre artistike do të kontribuojë në emancipimin shoqëror, do të dëshiroja të përgëzoja këtë përpjekje për të përdorur simbolin e një dite, siç është “Dita e Verës”, për të ndërtuar një identitet më pranë Frymës së Re.