| E diele, 15.03.2015, 04:45 PM |
Letrari dhe absurdi
Nga Dr. Ilir Muharremi
Pasi ndjenja e absurdit mund të godasë çdo njeri,
në thelbin e vet trishtues është e pakapshme. Vështirë mendja percepton
lakuriqësinë, por ja vlen të mendohet. Hapësira për të projektuar mundësinë e
njohjes definitive të saj, është e pamundur. Vetë e pamundura lind këtë
ndjenjë. Te njeriu gjithmonë mbetet diç pa u njohur dhe ekzistimin e kësaj,
mendja shpreson ta rrigjejë. Nëse kërkojmë vërtetësinë e vlerave, njohja është
e pamundur. Ndjenjën e absurdit Kamy provon ta rrokë në botët vëllazërore, të
inteligjencës dhe të artit. Klimën e absurditetit e ndjenë në fillim, ndërsa
fundin e rrumbullakon me gjithësinë absurde nën ndriçimin e një drite të
veçantë, me qëllim të nxjerrë në pah fytyrën e absurditetit të përkryer. Forcën
e përkryerjes vetë mund ta zbulojë.
Origjinën e mjerë të absurdit ky filozof i zëshëm e fisnikëron në një
fillim të thjeshtë në kthinat e një restauranti. Këtë e nisë nga përvoja e tij
e heshtur. Ky njeri pyetjen ndaj natyrës së mendimeve të tij e shpreh zëshëm,
dhe ka të drejtë. Krijon përfytyrimin e
një gjendje shpirtërore të veçantë nga vetja që shoqërohet me nyjën lidhëse të
objektives. “Zinxhiri i veprimeve të përditshme është këputur, zemra kërkon kot
nyjën lidhëse” thotë Kamy për të vazhduar se “Kjo është shenja e parë e
absurdit”. Paralajmërimi i një bote të re brenda të mundurës duke përmbys të
gjitha dekoret troket në dyert e arsyes. “Zgjimi, tramvaji, katër orë punë në
zyrë, drekë, punë, darkë, gjumë dhe e hënë , e martë....” shpjegon Kamy. Kjo
rrugë ndiqet lehtësisht ndoshta nga çdo njeri. Vetëm se mendja bëhet më shumë e
ndërgjegjshme dhe kërkon arsyen “përse”, tani çudira ndodhet në rrugë. A duhet
të vazhdohet? Me një fillim të ri të vetvetishëm që ngjan me origjinën e
shpirtit dhe reflekton përmes ndërgjegjes. “Fillon”, këtë fjali Kamy e përdorë
si një rifillim i ri, por jo edhe tërësisht i ri ngaqë vazhdimi i përket
kthimit te zinxhiri apo te zgjimi përfundimtar. Prapë vazhdon rrjedhoja. “
Ti kthehemi absurdit. Arsyeja përpiqet të thotë se bota është absurde. Por, e kundërta absurdi jeton te njeriu. Detyrimi i të jetuarit zgjon absurdin dhe është e kotë të ngrihemi kundër absurdit. Letrari ngushtësisht i lidhur me filozofinë trajton absurdin dhe letërsia jonë veçanërisht dramaturgjia ngec në këtë rrjedhojë. Problemi themelor i absurdit është vdekja si diçka e pashmangshme që e bënë jetën pa kuptim. Përse duhet jetuar për të vdekur? Kjo nxitë kuptimin ideologjik pesimistë. “Të ekzistosh do të thotë të jesh i perceptuar”, thoshte Berkli. Diçka që nuk perceptohet nuk mund të ekzistojë. Kjo mohon absurdin. Marrim shpirtin. Nëse shpirti ekziston vetëm gjatë perceptuarit, atëherë a ekziston edhe kur nuk perceptohet? Kjo nxjerrë absurdin. Kuptimi kthjellohet në atë se ekzistojë. Por, nëse ekziston pa perceptim, atëherë si e vërteton ekzistimin? Shpirti ekziston si ide në mendje dhe asgjë jashtë nesh nuk vërteton ekzistimin. Ajo çfarë jeton brenda nesh ka edhe perceptimin. Mendja në një farë forme përkrahë absurdin, por edhe e mohon. Nëse flasim për diçka që nuk mund ta njohim, ajo është asgjë. Nëse shpirti ekziston në mendjen tonë, duhet ta ketë edhe substancën e ekzistimit. Çfarë është një qershi? - pyeste Berkli. E butë, e kuqe, e rrumbullakët, e ëmbël dhe me aromë. Të gjitha këto janë krijuar në mendje, nëpërmjet shqisave. Butësia ndihet, ngjyra shihet, rrumbullakësia shikohet, ëmbëlsia shijohet dhe aroma nuhatet. Ekzistenca konsiston përmes perceptimit dhe sipas Berklit nuk ka realitet tjetër. Cilat cilësi të shpirtit i perceptojmë? Nëse një substancë nuk ekziston, arrin shkallën e ndijimit, sipas Berklit është mendimi apo shpirtrat ato që ekzistojnë. Arsyeja disi më thotë se kjo është absurde.
Personazhet e dramës absurde ç’veshën nga çdo ndjenjë sigurie shkëputen nga lidhjet historike. Te Beketi personazhet i rezistojnë pritjes së vazhdueshme e që nuk vjen kurrë. Jetojnë në të ardhmen, e nesërmja pret të nesërmen, prapë nga fillimi. Përse ndodh kjo? Kjo pyetje është absurde, nuk ka ndonjë zbulim absurd, por vetëm duhet ndjekur rrjedhojat e tij. Tek Bucati pafuqia e njeriut bie preh e pushtetit të vdekjes. Jonesko revoltën ndaj vdekjes e shprehë si dy luftim, ballë për ballë me të, përsëri rrjedhoja e saj vazhdon dhe kotësia nuk mund ta ndal rrjedhojën. Herold Pinteri njeriun e gjen në skutat më të errëta, më të ftohta të jetës. Hajdegeri të vetmin realitet të ekzistencës së njeriut e sheh në shkallën e shqetësimit. Sipas tij, njeriu përhumbet në këtë botë me këtë lloj frike. “Kur kjo frikë bëhet e ndërgjegjshme për vetveten”, thotë Kamy, shndërrohet në ankth. Atëherë, ekzistenca gjen rrugën e vet në kthjelltësinë e saj. A mund t’i jap bota ndihmë njeriut në këtë ankth? Unë them jo, ngaqë kapërcen arsyetimin dhe Hajdegeri flet vetëm për të. Nuk arrin ta veçoj ndërgjegjen nga absurdi. Kjo ndërgjegje thërret vdekjen, pastaj shqetësimin, atëherë ekzistenca në vetvete klithë nëpërmjet ndërgjegjes. Zëri i ankthit është i qartë, shkrirja e vetvetes në një botë anonime buçet. Ndërsa, Jaspersi arsyen e cilëson si dështim dhe na qon drejt sekreteve hyjnore. Kjo botë për të është e rrënuar dhe hiçi paraqitet si realitet. Kierkegardi, të paktën kupton mos zbulimin e absurdit dhe e jeton atë. Euridisi vret absurdin vetëm gjatë braktisjes, atëherë jetojmë nën imponim e ekzistencës. Nëse jetojmë më absurdin, ne e vështrojmë dhe asnjëherë nuk mund ta mohojmë.
Tek këto mendje unë shohë afrinë e thellë që gërshetohet rreth një ideje të pashpresë. Unë i takoj edhe vetë këtij privilegji të hidhur ngaqë detyrohem të kërkoj gjithçka ose asgjë. Arsyeja shprehë pafuqinë përballë kërkimit të zemrës dhe me vetë kërkimin e kuptimit të botës për të cilin jam i sigurt që asnjëherë nuk do ta gjej, është një irracionalitet që rrjedhë përjetësisht. Nëse mendja arrijnë deri në kufijtë e skajshëm, sipas Kamysë duhet të jep një gjykim dhe të zgjedhë përfundimet e saja. Prapë përgjigja nuk do të shuhet përderisa ekziston rrjedhoja e saj. “Absurdi lind nga ballafaqimi midis kushtrimit njerëzor dhe heshtjes së paarsyeshme të botës”. Këtu absurdi kërkon kuptimin dhe rrjedhojat e një jete. Këto dy personazhe dramatike qëndrojnë kokë me kokë, por pa të dyja nuk do të ekzistonte absurdi. Absurdi nuk rregullon marrëdhëniet me botën, por i prishë ato. Lind nga pështjellimi i situatave jetësore.